baneri 0
 

Enciklopedia e Kosovës

Enciklopedia e Kosovës dhe Fjalori Enciklopedik i Kosovës

Enciklopedia e Kosovës

Projekt i përbashkët, afatgjatë, i të gjitha seksioneve. Gjatë vitit 2012 Kryesia e ASHAK-ut ka emëruar anëtarët e Bordit të Enciklopedisë, të cilin e udhëheq kryetari i Akademisë akademik Hivzi Islami, ndërsa në përbërje të tij janë përfaqësuesit e të gjitha seksioneve. Bordi i Enciklopedisë u aprovua në mbledhjen e Kuvendit të Akademisë, në të cilën u dhanë dhe udhëzimet për  hartimin e strukturës organizative dhe emërimet përkatëse në Redaksinë Qendrore, redaksitë e fushave, përfshirë dhe përgjegjësit e sektorëve. Njëkohësisht është emëruar dhe kryeredaktori i Enciklopedisë së Kosovës, akademik Mehmet Kraja. Me qëllim të përkufizimit të një strukture të qartë organizative, është kërkuar që në këtë fazë të vendoset bashkëpunim me institucionet e ngjashme që merren me projekte të këtilla.

Fjalori Encikopedik i Kosovës

Gjatë vitit 2012 janë bërë punët kryesore organizative rreth realizimit të këtij projekti: është emëruar Bordi i Enciklopedisë, Këshilli i Enciklopedisë, Redaksia Qendrore, si dhe janë konstituuar 24 redaksitë e fushave. Është paraparë që deri në fund të vitit 2012 të përfundohet fjalësi i zërave për secilën fushë, ndërsa gjatë vitit 2013 të hartohen tekstet e zërave. Paraprakisht do të përcaktohen kriteret e përfshirjes dhe vëllimi i përfshirjes, si dhe do të bëhet trajnimi i stafit redaktorial dhe i autorëve të teksteve. Për hartimin e teksteve të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës parashihet të angazhohen deri në 500 autorë të profileve të ndryshme të shkencës dhe të dijes.