Historia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës i shpreh zhvillimet e tërësishme ndër shqiptarë në gjysmën e dytë të sh. 20. Derisa në Shqipëri themelimi i një institucioni të këtij lloji të shkencës qe shtruar qysh para Luftës II Botërore, madje qenë ndërmarrë hapa, që u ndërprenë gjatë Luftës, dhe rifilluan pastaj, por arritën të përligjeshin vetëm pas gjallërimit të një jete universitare prej disa dekadash më 1972, në Kosovë ideja e tillë ka një histori tjetër.
Në vitet ’50 të sh. 20 në Kosovë nisi të shtrohej nevoja për studime dhe hulumtime shkencore të organizuara të nivelit më të lartë, kështu që më 1953 u themelua Instituti Albanologjik, i cili, në rrethanat e atëhershme të trysnisë së egër ndaj shqiptarëve arriti të vepronte vetëm deri më 1955, kur pushteti e mbylli me pretekstin e shpjeguar mirë nga udhëheqësi partiak i Kosovës Dušan Mugoša në një mbledhje të atëhershme: “Atë institut ne e kemi formuar në kohën e tensionit informbyroist, ndër të tjera që t’i kundërvihemi propagandës së tyre [të Shqipërisë], kurse sot ai nuk është i nevojshëm si i tillë. Sepse ne shumicën e gjërave të fushave, të cilat i studion Instituti, mund t’i marrim drejtpërdrejt nga Shqipëria kur të duam”. Megjithatë, kjo logjikë nuk mundi të mbyllte çdo shteg. Kështu, më 1958 u themelua Shkolla e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, fill pastaj që nga viti 1960 Fakulteti Juridik-Ekonomik dhe Fakulteti Filozofik, si filiala të Universitetit të Beogradit dhe me mësimdhënie serbokroatisht. Fakti që këto institucione e zhvillonin veprimtarinë e tyre në mjedis kosovar krijoi mundësinë që një numër gjithnjë e më i madh i të rinjve shqiptarë të inkuadrohej në këto veprimtari dhe me rastin e ndryshimit të parë të klimës politike në vend më 1966 të delte me kërkesa normale për mësimdhënie në gjuhën shqipe dhe zgjerim të rrjetit të institucioneve universitare sipas përmasave të vendit. Kjo solli me vete dhe hapësirën për zhvillimin e veprimtarive shkencore-hulumtuese në këtë mjedis dhe në gjuhën shqipe. Më 1967 u themelua sërish Instituti Albanologjik, u intensifikua puna në Institutin e Historisë dhe në institucionet e tjera shkencore-kulturore si Muzeu i Kosovës, Arkivi, etj. Në bërthamat universitare të studimeve në fushat e shkencave të natyrës dhe teknike tashmë ekzistonte një interes dhe veprimtari hulumtuese-shkencore, ndërsa fryma e re dhe entuziazmi i dhanë krih shprehjes së nevojave jo vetëm për zgjerim të tyre, po edhe për botim të rezultateve të kësaj pune. Kështu iu dha një shtysë revistave të specializuara në fusha të dijes, si Gjurmime albanologjike (në fillim, 1962-1968, në Fakultetin e Filozofisë, Dega e Gjuhës Shqipe, më vonë në Institutin Albanologjik), ndërsa një vend me peshë në këtë hapësirë e zunë dhe nismat e studentëve, si ajo me revistën shkencore Dituria (1971), ndërsa po vazhdonte botimi i intensifikuar i revistës me spektër më të gjerë Përparimi (nga 1955).
Zgjerimi i rrjetit të fakulteteve dhe të katedrave brenda tyre, themelimi i Fakultetit të Mjekësisë dhe i Fakultetit Teknik, rezultuan me themelimin e Universitetit të Prishtinës, në kuadër të të cilit u arrit një shkallë e lartë e veprimtarive universitare dhe shkencore-hulumtuese, ndërsa zhvillimet në fushën e ekonomisë, sidomos në kuadër të komplekseve Trepça, Elektroekonomia e Kosovës, Kombinati Agroindustrial, sistemi bankar, etj. i dhanë një përshpejtim plotësues kësaj veprimtarie të gjithmbarshme. Kështu, ekonomia jo e fuqishme, por në rritje, bëhej gjithnjë e më shumë mbështetje për zgjerimin e potencialit shkencor-hulumtues, i cili më vonë do të bëhej bartës i zhvillimeve të përgjithshme në vend. Të gjitha këto mbështeteshin nga një buxhet i veçantë për veprimtarinë shkencore.
Në fillim të viteve ’70, fare natyrshëm dhe paralelisht me kërkesat për mëvetësimin e Kosovës në rrafsh të barabartë me njësitë e tjera federale të Jugosllavisë, u shtrua nevoja për krijimin e institucionit më të lartë të shkencës dhe të arteve. Në përgjigje të kërkesave të tilla Kuvendi i Kosovës më 1974 ngriti Komisionin Amë për themelimin e Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Brenda muajit tetor 1975 Komisioni zgjodhi 11 anëtarë të rregullt dhe 2 anëtarë korrespondentë të Shoqatës. Shoqata u transformua në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 18 prill 1978.
Në fillim veprimtarinë e saj ASHAK duhej ta zhvillonte në një bashkërenditje me universitetin në rritje, brenda të cilit vepronin institute e bërthama shkencore dhe hulumtuese në Fakultetin Filozofik/ më vonë të Shkencave të Natyrës, në Fakultetin e Mjekësisë, në Fakultetin Teknik, në Fakultetin Ekonomik, në Fakultetin Filozofik, me institutet e pavarura nga Universiteti dhe nga Akademia – Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Instituti Hidrometeorologjik, pastaj institutet që vepronin në kuadër/ ose të lidhura me kapacitetet industriale të Kosovës, si Instituti Teknologjik që vepronte në kuadër të Kombinatit Trepça, Instituti i Hulumtimeve që vepronte në kuadër të Elektroekonomisë, Instituti Agroteknologjik në Pejë i lidhur me agroekonominë, dhe të institucioneve të tjera me interes në fushat e shkencës, të arteve dhe të kulturës. ASHAK qysh në fillim duhej ta formësonte veprimtarinë e vet si institucioni më i lartë i shkencave dhe i arteve dhe të merrte role të rëndësishme në fushat e shkencave dhe të arteve në suaza të organizimit shtetëror të Kosovës brenda Federatës së Jugosllavisë. Ajo po ashtu duhej ta harmonizonte punën me Unionin e Akademive të Shkencave dhe të Arteve të Jugosllavisë, ku bënte pjesë si anëtare e barabartë dhe në një mandat (1985-1987) qe Kryesuese e Unionit dhe qendër e selisë së tij. Përmes atij Unioni ASHAK e zhvillonte dhe veprimtarinë ndërkombëtare.
ASHAK në atë kohë kishte tri Seksione: 1. Seksionin e Shkencave Shoqërore, 2. Seksionin e Shkencave të Natyrës dhe 3. Seksionin e Gjuhësisë, të Letërsisë dhe të Arteve. Më 1985 Kuvendi i ASHAK mori vendim për themelimin e Arkivit të Akademisë e të Institutit të Arkeologjisë dhe të Etnografisë. Arkivi dhe Biblioteka, që ishin funksionalizuar, u shkatërruan pas ndërhyrjes së policisë serbe në selinë e Akademisë më 1994, çka pamundësoi punën e saj më tej në atë godinë. Instituti i Arkeologjisë dhe i Etnografisë nuk arriti të themelohej për shkak të trysnive politike dhe tendencave drejt rrëgjimit të Akademisë pas vitit 1985 dhe për arsye edhe buxhetore më vonë.
Më 1976 Shoqata e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës nisi botimet e para periodike: Vjetari-Godišnjak, që me këtë titull do të vazhdojë të dalë deri më 1991, kur duhet të jetë botuar vëllimi 11-12, të cilin nuk patëm mundësi ta shihnim; dhe në kuadër të Seksionit të Shkencave të Natyrës: Acta biologic et medicinae experimentalis (këtë bashkë me Shoqatën për Biologji dhe Mjekësi Eksperimentale të Kosovës), që do të vazhdojë të dalë me rregull deri më 1989. Në vitin 1977 Shoqata e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës arriti të botonte dhe një Libër shënues – Spomenica. Në vitin 1978 Seksioni i Shkencave të Natyrës nxori botimin e parë të veçantë – Lj. Rakic: Regulacioni sistemi ponašanja. Po atë vit Shoqata u shndërrua në Akademi.
Në vitin 1979 Akademia vazhdoi botimin e veprave të veçanta. Të tri seksionet nxorën nga një botim: vëllimin me studime të R. Qosjes Prej tipologjisë deri te periodizimi shqip (bashkë me Institutin Albanologjik, Seksioni i Gjuhësisë, i Letërsisë dhe i Arteve), vëllimin Tito për Kosovën, Kosova për Titon, shqip e serbokroatisht dhe vëllimin e përbashkët Bronhijalni reaktibilitet, serbokroatisht (Seksioni i Shkencave të Natyrës autorët). Seksioni i Shkencave Shoqërore botoi dhe monografinë e J. Redžepagic-it Pedagoška misao Svetozara Markovica, por bashkë me/ dhe në kuadër të botimeve të veçanta të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Në vitin 1980 Seksioni i Shkencave Shoqërore nisi botimin e përkohshëm Studime-Studije, libri 1, ndërsa dy librat e tjerë u botuan respektivisht më 1983 dhe më 1988. Më 1980 nisi dhe botimi i serisë Kërkime – Istraživanja të Seksionit të Shkencave të Natyrës, që do të vazhdojë të dalë më 1984 (libri 2), 1985 (libri 3) dhe 1986 (libri 4). Seskioni i Gjuhësisë, i Letërsisë dhe i Arteve atë vit botoi monografinë e B. Bokshit Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes dhe të V. Filipovic-it Umetnost Veljka Petrovica.
Në vitin 1981 Seksioni i Shkencave Shoqërore nisi botimin Kërkime-Istraživanja, prej të cilit dolën vetëm 2 vëllime atë vit, ndërsa ASHAK përgatiti për shtyp materialet e Konferencës shkencore për 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në dy vëllime, që arriti të botohej vetëm më 1990. Më 1982 ky Seksion dhe Seksioni i Gjuhësisë, i Letërsisë dhe i Arteve botuan nga një vepër të veçantë të autorëve G. Zajmi dhe I. Ajeti në gjuhën serbokroate.
Më 1983 vetëm Seksioni i Gjuhësisë, i Letërsisë dhe i Arteve arriti të botonte një vepër të veçantë – Književni ogledi i studije të V. Vukovic. Në vitin 1984 Seksioni i Shkencave Shoqërore arriti të botonte veprat e M. Krasniqit – Lugu i Baranit, shqip, të A. Hadrit – Ali Keljmendi, serbokroatisht, dhe vëllimin e përbashkët – Aktualiteti dhe rëndësia e mendimit dhe veprimtarisë praktike të Marksit, shqip e serbo-kroatisht, ndërsa Seksioni i Gjuhësisë, i Letërsisë dhe i Arteve veprën e V. Bovan, Srpske narodne umotvorine sa Kosova, serbokroatisht.
Më 1985 seksionet nuk botuan asnjë vepër e veçantë, ndërsa ASHAK botoi librin ASHAK-ANUK 1975-1985. Në vitin 1986 u botuan 3 vepra të veçanta serbokroatisht: J. Redžepagic: Od gradjanske do marksistièko-lenjinistièke pedagogije, D. Bajraktarevic: Istorijski razvoj kosovsko-metohijskih govora dhe M. Haxhiu & V. Morcic-Piperski: Centralni hemosenzorni sistem i respirativna aktivnost.
Po kështu më 1987 Seksioni i Shkencave Shoqërore arriti të botonte veprën kolektive monografike Rugova. Vitin 1988 e karakterizoi e njëjta frymë. U botuan veprat kolektive Život i delo Vuka Karadzica (serbokroatisht) dhe Efikasiteti i zhvillimit të viseve më pak të zhvilluara të Jugosllavisë (serbokroatisht e shqip) dhe vepra e D. Pejèinovic-it: Ekološka studija korovske vegetacije Kosova, ndërsa në vitin 1989 nuk doli asnjë botim i veçantë.
Në të vërtetë, tendencat e tilla të mbushjes së veprimtarisë së kësaj akademie me botime më shpesh serbokroatisht apo në të dy gjuhët erdhën e u forcuan drejt mbytjes së plotë të veprimtarisë botuese të institucionit më të lartë të shkencave dhe të arteve në Kosovë. Më 1989 filloi faza e përgjithshme e përshkallëzimit të trysnisë dhe agresionit të institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj institucionneve të Kosovës. Duke përdorur dhe mekanizmat jugosllavë të detyrimit, Serbia aneksoi Kosovën dhe nisi procesin e reduktimit drastik apo të shuarjes së të gjitha institucioneve që shënonin mëvetësinë dhe shtetësinë e Kosovës, të institucioneve që vepronin drejtpërsëdrejti për emancipimin, edukimin dhe përgatitjen e popullatës për zhvillim të mëtejmë. Në këtë proces u godit së pari Universiteti i Prishtinës, në të cilin më 1991 u pamundësua mësimdhënia në gjuhën shqipe dhe u nxorën nga puna 840 profesorë dhe arsimtarë në një muaj. Një numër i mirë i akademikëve, intelektualëve, profesorëve të universitetit, studiuesve, shkrimtarëve, gazetarëve dhe veprimtarëve të tjerë të kulturës e të dijes nuk u pajtua me gjendjen dhe u vu në rrjedhën e rezistencës në format më të ndryshme.
Qysh në diskutimet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1989 Kuvendi i ASHAK-ut doli me angazhimet publike së pari me Deklaratën Kushtetuese, pastaj me angazhimet dhe veprimtaritë e tjera në favor të mbrojtjes së të drejtave që po shkileshin në mënyrë drastike. Përveç angazhimit bashkë me mekanizmat e tjerë të rezistencës në drejtim të organizimit të Referendumit për pavarësi, në drejtim të organizimit e të hartimit të dokumenteve themelore për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ASHAK në atë kohë zhvilloi dhe veprimtari shkencore në dobi të afirmimit të çështjes së drejtë, sidomos me simpoziumet e mëdha shkencore me karakter ndërkombëtar – Shqiptarët dhe Evropa në Prishtinë (për botimin e materialeve të tij ishte ngarkuar si editor akademik R. Qosja, por nuk dihet pse nuk u botuan) dhe Çështja shqiptare bashkë me Akademinë e Shqipërisë në Tiranë (u botuan nga Instituti i Historisë), dy simpoziumet për Gjenocidin serb në Kosovë, simpoziumet për Statusin e Kosovës, më vonë Strategjia e zhvillimit ekonomik të Kosovës, ashtu si dhe një varg takimesh e konferencash për fusha të ndryshme të dijes, materialet e të cilave janë botuar.
Kështu më 1990 Akademia botoi vetëm veprën e Z. Grudës Panamski kanal (serbokroatisht) dhe ribotoi veprën e Gj. Fishtës Anzat e Parnasit, ndërsa më 1991 vetëm veprën e D. Petrovic-it: Književni rad Gligorija Camblaka u Srbiji. Pastaj vijuan dy vjet pa asnjë botim.
Më 1992 Kuvendi i Serbisë, përmes Ligjit për Akademinë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, e shpalli të mbyllur ASHAK-un dhe urdhëroi që pasuria e Akademisë të merrej nga establishmenti ekzekutiv i instaluar i Kosovës. Anëtarët e ASHAK-ut nuk e përfillën atë vendim dhe, në vijim të një deklarimi me shkrim, vazhduan punën e tyre. Më 1994 policia serbe mbylli godinën e ASHAK-ut, përzuri prej andej akademikët dhe e përdori pastaj atë për destinacion tjetër. ASHAK u detyrua që veprimtarinë e vet ta zhvillonte në një shtëpi që ia kishte dhënë në dispozicion pa kundërshpërblim profesori i universitetit dr. Hamdi Syla në lagjen Ulpiana në Prishtinë.
Kjo qe fazë e re e veprimtarisë së Akademisë në rrethana skajshmërisht të vështira. ASHAK nuk u pajtua me ndalimin e botimeve shkencore dhe as me pushimin e kontakteve ndërkombëtare dhe si rrugë të mbijetesës e të rezistencës zgjodhi zgjerimin e veprirmtarisë. Në atë kohë në Kosovë vepronin vetëm pak anëtarë të ASHAK-ut – mjekët M. Haxhiu, O. Imami, studiuesi i fushave të bujqësisë R. Bakalli, kishin mërguar në Amerikë, historiani Z. Mirdita në Zagreb, disa nuk ishin më në këtë jetë. Zgjedhjet e fundit të vitit 1993 sollën mundësinë që në vitin 1994 të niste ringjallja e Akademisë. Në vitet 1990-93 ASHAK-u kishte botuar vetëm doktoratën e D. Petrovic-it Književni rad Gligorija Camblaka u Srbiji më 1991. Menjëherë më 1994 u botuan veprat e I. Ajetit, Shqiptarët dhe gjuha e tyre dhe G. Zajmit Dimensions of the Question of Kosova in the Balkans, po më 1994 u krijua Seksioni i Arteve i veçantë nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, u themelua revista për shkencat shoqërore e filologjike Studime. Megjithë vështirësitë materiale-teknike, por edhe të tjera, pas kontakteve me autorë të mundshëm dhe pas komunikimit dhe me studiues jashtë Kosovës, të cilët e respektonin vullnetin tonë, ia dolëm ta nxirrnim numrin 1 me të gjitha kriteret për një revistë të këtij lloji, me rezymetë në gjuhët me qarkullim të gjerë; me platformën dhe me konturat e krijuara revista vazhdon të dalë me rregull deri në ditët tona dhe boton edhe në gjuhët me qarkullim ndërkombëtar.
Vitet 1995-1996 shënojnë rritjen në drejtim të kësaj kthese për mbarë në botimet dhe veprimtarinë e ASHAK-ut. Seskioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë botoi librin përkujtimor për E. Mekulin dhe nisi serinë e veprave të albanologëve të shquar të traditës me vëllimin I të Veprave të S. Rizës, ndërsa Seksioni i Shkencave Shoqërore botoi veprën kolektive Gjenocidi dhe aktet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga Kriza lindore e këndej dhe veprën e J. Rexhepagiqit: Sami Frashëri dhe Pedagogjia e Rilindjes kombëtare. Seksioni i Shkencave të Natyrës e rinisi ciklin e botimeve të veçanta me veprat kolektive: Shqyrtim multidisiplinor i mundësive zhvillimore të Kosovës. Këto zgjerime shkojnë paralelisht me rritjen e numrit të anëtarëve të ASHAK.
Në vitet 1997 dhe 1998 u çuan më tej nismat e mëparme. Vazhdoi botimi i Studime dhe nisi botimi i revistës Kërkime (shkencat e natyrës), që vijon me rregull edhe sot; u botua vëllimi 2 i Veprave të S. Rizës, vëllimi 1 i Veprave të I. Ajetit dhe të G. Zajmit, opera Goca e Kaçanikut e R. Dhomit, vëllimet 2 dhe 3 të Veprave të I. Ajetit, monografia e B. Bokshit Pjesorja e shqipes, materialet e konferencës Letërsia shqipe dhe gjuha letrare dhe në Seksionin e Shkencave të Natyrës veprat e N. Dacit Kimia organike eksperimentale (bashkë me Librin Shkollor) dhe Kimia e mjedisit.
Zgjerimi i rezistencës së armatosur ndaj pushtimit serb më 1998 dhe lufta e vitit 1999 zvogëluan përkohësisht punën e ASHAK, por anëtarët e saj qenë aktivë me veprimtari. Arriti të botohej numri i ri i Kërkime dhe monografia e M. Dushit Sistemet ciklike të transportit.
Faza e re në jetën e ASHAK filloi pas Luftës së vitit 1999, pas kthimit të popullatës se dëbuar në rrethana të rrënimit të tërësishëm të vendit. ASHAK u kthye në selinë e saj dhe vazhdoi punën me intensitet më të madh. Pos revistave, në vitin 2000 u nxorën dhe botimet e veçanta: L. Gjergji: Nëna e Dashurisë (Kryesia), Naim Frashëri – 100 vjet pas, D. Rozhaja: Fiziologjia krahasuese (SSHN) dhe H. Muharremi: Muslim Mulliqi (SA). Këto rrjedha vijnë e shtohen në vitin 2001 me botimet e Ajetit, Zajmit, Gjerqekut, Dhomit, Ballatës, Ferrit dhe me botimet kolektive, ashtu si më 2002 me veprat e Rizës, Ajetit, Dacit, Dushit, Gashit-Spahos, Dhomit etj. Në këtë periudhë pati dhe diskutime brenda Akademisë për të ardhmen e saj. Një anëtar e shtroi kërkesën për mundësinë dhe modalitetet e shkrirjes me Akademinë e Shqipërisë, por Kuvendi nuk i pranoi sugjerimet e tilla si të frytshme. Puna vijoi me përq ëndruime në aspektet e mundshme në rrethanat e mungesave të mjedisit dhe të buxhetit të reduktuar, pra kryesisht në botimet.
Në vitin 2003 botohen veprat e Pedersenit, Zajmit e Hadrit dhe monografitë e M. Berishës e S. Hamitit. Tani nis për herë të parë veprimtaria në hartimin e fjalorëve terminologjikë, këtë radhë botohet Fjalori i emrave të bimëve dhe Fjalori i terminologjisë së botanikës, të dy bashkë me ASHSH në një vëllim shumë të gjerë dhe në disa gjuhë. Në vitin 2003 rifilloi botimi i Vjetarit të ASHAK për vitet e mbetura, për të vazhduar me rregull. Viti 2004 shënon një cilësi të re në botimet e veçanta me veprat e B. Bokshit, E. Berishës, P. Nushit, u vazhdua seria Vepra të Zajmit, Rizës, Cimochowski-t (shqip), Pedersen-it (shqip), ndërsa si botim kolektiv doli vetëm Kosova dhe statusi i saj i ardhshëm – aspekte e këndkundrime, Statusi i ardhshëm i Kosovës, ku përfshiheshin materialet e tubimeve shkencore me këto tema. Po atë vit u botua vepra e rëndësishme (mbi 800 faqe) e albanologut gjerman W. Fiedler për sistemin foljor në gjuhën e “Mesharit” të Gjon Buzukut në gjuhën gjermane, që mund të konsiderohet një ndërmarrje e veçantë për albanistikën.
Në vitin 2005 ASHAK arriti rekordin e saj të derisotëm me botimet. Përveç revistave, që dolën me rregull, në Seksionin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë botoi veprat e: B. Bokshit, A. Aliut, R. Ismajlit, S. Hamitit, hartoi dhe botoi fjalorin e gjerë të terminologjisë së indormatikës me autorët N. Caka & A. Dika & S. Rodiqi, veprën kolektive Rrjedhat e letërsisë bashkëkohore shqiptare; në Seksionin e Shkencave Shoqërore veprat e H. Islamit, M. Kullashit, E. Stavilecit, M. Krasniqit, J. Rexhepagiqit; në Seksionin e Shkencave të Natyrës veprat e M. Dushit e L. Susurit; në Seksionin e Arteve veprat e R. Dhomit, T. Emrës, dhe në Kryesi veprat: 30 vjet të ASHAK, Artistët akademikë, Aktet e Kuvendit të Kosovës, Kosova shtet i pavarur dhe sovran.
Vitet në vijim po ashtu kanë shënuar rritje të sasisë dhe të cilësisë së botimeve të Akademisë, qoftë në saje të ndërmarrjeve të veçanta botuese, qoftë edhe falë konferencave e tubimeve shkencore të mbajtura ndërkohë, materialet e të cilave duheshin botuar. Revistat tashmë janë vënë në rend të botimit brenda vitit, ndërsa materialet e konferencave dhe të tubimeve shkencore po ashtu shpejt pas mbajtjes së tubimit. Në vitin 2006 Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë botoi 3 vepra të natyrës filologjike-kritike: Poezitë e P. Budit (R. Ismajli), monografinë për Gj. Nikollë Kazazin bashkë me botimin kritik të Doktrinës së tij (B. Demiraj), veprën e G. Darës I Riu (Sh. Demiraj), pastaj vëllimin e I. Ajetit, Për të vërtetën shkencore dhe kolanën me poezi të përzgjedhura të shoqëruara me Parathënie e shënime të poetëve anëtarë të Akademisë – E. Mekuli, E. Gjerqeku, B. Bokshi, A. Podrimja, E. Basha, S. Hamiti, ndërsa në Seksionin e Shkencave Shoqërore duan veçuar monografia për Banesën qytetare të Kosovës (sh. XVIII-XIX) nga E. Riza e Nj. Haliti. Po atë vit u shënua botimi i veprës së zgjedhur të Aleks Budës dhe, si botim i Akademisë në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës, Hartës arkeologjike të Kosovës. Pos Studime 13, Vjetari 26 e 27, Kërkime 14 e Botimet e ASHAK, dolën dhe materialet e tubimeve shkencore: për Faik Konicën dhe për Kosovën shtet i pavarur e sovran.
Në vitin 2007 kemi botime të rëndësishme në fushat filologjike-gjuhësore: botohet e plotë shqip dhe gjermanisht vepra albanistike e Franc Miklošiè-it, duke shënuar kështu dhe bashkëpunimin e parë konkret me Akademinë Sllovene të Shkencave dhe të Arteve, përmblidhet nga revistat e shpërndara nëpër botë, përkthehet dhe botohet për herë të parë shqip vepra e albanologut më të madh amerikan E. P. Hamp dhe monografia gjermanisht për Formimin e shumësit në gjuhën shqipe e W. Fiedler-it, e shoqëruar me 80 harta dialektore, të realizuara brenda Akademisë. Të gjitha këto vepra hyjnë në fondin themelor albanistik. Në serinë e veprave të përzgjedhura të anëtarëve të Akademisë u botua përzgjedhja e gjerë Kritika e I. Rugovës, ndërsa në Seksionin e Shkencave Shoqërore një vepër e E. Stavilecit, pastaj katalogu i madh i R. Ferrit në Seksionin e Arteve dhe revistat.
Po këto rrjedha vijojnë në vitin 2008, që shënohet me botimin e veprave të veçanta të Ch. Gut për V. Pashën, A. Aliut me studime letrare dhe të veprës së përzgjedhur të albanologut E. Çabej me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, ku përfshihen veprat e tij themelore. Në Seksionin e Shkencave Shoqërore këtë herë dalin vepra të H. Islamit, J. Rexhepagiqit, M. Kullashit, P. Nushit, E. Stavilecit, E. Murtezait dhe përzgjedhja e gjerë e Veprave sociologjike e politologjike të F. Aganit. U botuan materialet e Konferencave shkencore për Filologjinë shqiptare, për Mitrush Kutelin dhe për Mjedisin e Kosovës.
Botimet paraqesin një nga format e rëndësishme të punës të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në fillimet e saj ASHAK përballej me vështirësi të natyrave të ndryshme në këtë drejtim: duke filluar nga standardet dhe orientimet që vendoseshin në rrafshin e akademive të Jugosllavisë e deri te nevoja për t’i bërë të qarta relatat ideologgjike në rrafshin e përbashkët për tërë shtetin dhe në rrafshin e veçantë për shqiptarët. Në atë periudhë më të shpeshta ishin botimet serbokroatisht dhe për probleme shpesh jotipike dhe jorelevante për Kosovën. Në vitet ’90 u bë kthesë në këtë drejtim dhe, përveç veprave më të shumta të autorëve vendorë, nisën të botoheshin dhe seri me vlerë për tërë kulturën shqiptare, si kolana e Veprave të albanologëve të traditës. Në këtë kolanë deri tash janë përfshirë veprat e S. Rizës (4 vëllime), të I. Ajetit (5 vëllime), të W. Cimochowski-t (një vëllim), të H. Pedersen-it (një vëllim), F. Miklošiè-it, E. P. Hamp-it, pastaj të G. Zajmit (4 vëllime), vepra të zgjedhura të A. Hadrit (një vëllim), A. Budës (1 vëllim), F. Aganit (1 vëllim), E. Çabejtë (1 vëllim), I. Rugovës (1 vëllim), çka në tërësi tashmë paraqet një korpus me vlerë, ndërsa së shpejti pritet të dalin dhe vepra të albanologëve të tjerë. Njëkohësisht ka ardhur duke u zgjeruar veprimtaria botuese dokumentare. Në këtë kohë u botuan dhe vijojnë të botohen vepra me vlerë në fyshat e shkencave shoqërore, në fushat e shkencave të natyrës, po edhe në fushat e arteve. Përveç veprave të sipërpërmendura në fushat e dijeve shoqërore, do të përmendim këtu veprat e N. Dacit, të M. Dushit, të M. Berishës, të L. Susurit, të H. Gashit dhe veprën e rëndësishme postume të D. Rozhajës në fushat e shkencave të natyrës, ashtu si dhe veprat muzikore të R. Dhomit, të Z. Ballatës, studimet muzikologjike të E. Berishës, katalogët me riprodhime të gjera të R. Ferrit, T. Emrës dhe sidomos monografitë e H. Muharremit për M. Mulliqin dhe të E. Bashës, A. Spahiut për A. Çavdarbashën, traditë që duhet të vazhdojë.
Në përgjithësi, periudha 2002-2008 është periudha më e frytshme sa u përket botimeve në tërë historinë e Akademisë, si sa i përket sasisë (ka po aq botime sa kishte në tërë periudhën e mëparme mbi 25-vjeçare), ashtu sa i përket cilësisë dhe orientimit.
Mijëvjeçari i ri filloi në rrethana të reja, me mundësi të reja, pa kontrollet dhe survejimet e mëparme, por me kufizimet e natyrës financiare e materiale, në një anë, dhe me pasojat që kishte lënë jeta e vështirë nën shtypjen e rëndë të viteve ’90, shpërnguljet dhe lufta. Në këtë kohë ASHAK i rimori këto veprimtari me këmbëngulje më të madhe dhe e zgjeroi veprimtarinë botuese në të gjitha drejtimet. Në vitet 2005-2006 ajo shënoi rritjen më të madhe të botimeve, ndërsa në vijim ngulet këmbë për rritjen e cilësisë dhe botimin në radhë të parë të veprave të krijuara në Akademi. Për fat të keq, ajo deri sot nuk ka arritur që paralelisht me rritjen e botimeve të ndërmarrë dhe hapa përkatës për shpërndarjen dhe plasimin e tyre në treg, çka do të ndihmonte pastaj sërish këtë veprimtari. Na mban shpresa se në një të ardhme të afërt mund të ndërmerret ndonjë hap me vlerë në këtë drejtim dhe kjo rrjedhë pozitive do të vazhdojë. Me këtë shpresë po nxjerrim dhe këtë katalog me të gjitha botimet e derisotme të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës sipas viteve e me shënime të tjera.
Rexhep Ismajli
Për të pasur një pasqyrë më të qartë për rrjedhat në ASHAK në këto dekada, më poshtë po japim dhe përbërjen e Kryesisë së saj në mandate të ndryshme, ashtu si dhe përbërjen e seksioneve. Do shënuar se viti 1992 shënon një kthesë: shpallja joligjore e mbylljes së ASHAK nga ana e Parlamentit të Serbisë shkaktoi përçarje në trupin akademik – anëtarët serbë e pranuan atë (edhe pse ASHAK është themeluar nga Kuvendi i Kosovës) dhe disa prej tyre e vazhduan punën në Akademinë Serbe, ndërsa anëtarët shqiptarë e boshnjakë vazhduan punën në rrethana të reja. Pas këtij viti edhe brenda grupit të anëtarëve shqiptarë pati derdhje të ndryshme: kjo qe dekada e shumë vdekjeve të hershme (H. Hoxha, E. Mekuli, A. Hadri, S. Pupovci, O. Imami, E. Ademaj, G. Zajmi, A. Pashku, D. Rozhaja, M. Mulliqi, F. Agani, A. Çavdarbasha, M. Haxhiu, R. Bakalli, E. Gjerqeku), në një anë, dhe e largimit pas punës apo të tjera (M. Haxhiu, Z. Mirdita, Z. Ballata, R. Bakalli, O. Imami, S. Hasani). Sadoqë ndërkohë u zgjodhën anëtarë të rinj, mungesat ndjeheshin.
1975-1979: E. Mekuli, Kryetar, I. Ajeti e V. Filipovic, Nënkryetarë, J. Rexhepagiq, sekretar i përgjithshëm, R. Qosja, Sekretar i SGJLA, S. Pupovci, sekretar i SSHSH, Lj. Rakic, Sekretar i SSHN;
1979-1982: I. Ajeti, kryetar, D. Rozhaja e V. Filipovic, nënkryetarë, S. Pupovci, sekretar i përgjithshëm, R. Qosja, sekretar i SGJLA, A. Hadri, sekretar i SSHSH, L. Rakic, sekretar i SSHN.
1982-1984: D. Rozhaja, kryetar, V. Filipovic, nënkryetar, S. Pupovci, sekretar i përgjithshëm, V. Vukovic, sekretar i SGJLA, J. Rexhepagiq, sekretar i SSHSH, O. Imami, sekretar i SSHN.
1984-1986: S. Pupovci, kryetar, J. Rexhepagiq, nënkryetar, V. Vukovic, sekretar i përgjithshëm, M. Mulliqi, sekretar i SGJLA, B. Jovanovic, sekretar i SSHSH, M. Dushi, sekretar i SSHN.
1986-1988: Kryetar V. Filipovic, nënkryetar M. Mulliqi, Sekretar i përgjithshëm O. Imami, sekretar i SGJLA S. Arsic, sekretar i SSHSH J. Rexhepagiq, sekretar i SSHN M. Haxhiu.
1988-1990: V. Filipovic, kryetar, M. Mulliqi, nënkryetar, O. Imami, sekretar i përgjithshëm, S. Arsic, sekretar i SGJLA, J. Rexhepagiq, sekretar i SSHSH, M. Haxhiu, sekretar i SSHN.
1990-1992: M. Haxhiu, kryetar, M. Krasniqi, nënkryetar, D. Pejèinovic, sekretar i përgjithshëm, V. Vukovic, sekretar i SGJLA, G. Zajmi, sekretar i SSHSH, R. Bakalli, sekretar i SSHN.
1992-1994: M. Krasniqi, kryetar, pastaj G. Zajmi, nënkryetar G. Zajmi, sekretar i përgjithshëm M. Dushi, sekretar i SGJLA E. Gjerqeku, sekretar i SSHSH Z. Mirdita, sekretar i SSHN D. Rozhaja.
1994-1996: G. Zajmi, pas 1995 I. Ajeti, Kryetar, I. Ajeti nënkryetar, N. Daci, sekretar i përgjithshëm, R. Ismajli, sekretar i SGJL, J. Rexhepagiq, sekretar i SSHSH, D. Rozhaja, sekretar i SSHN, R. Dhomi, sekretar i SA.
1996-1999: I. Ajeti, kryetar, M. Mulliqi, nënkryetar, N. Daci, sekretar i përgjithshëm, R. Ismajli sekretar i SGJL, J. Rexhepagiq, sekretar i SSHSH, M. Dushi, sekretar i SSHN, R. Dhomi, sekretar i SA.
1999-2002: N. Daci kryetar, J. Rexhepagiq, nënkryetar, R. Ismajli, sekretar i përgjithshëm, E. Gjerqeku, sekretar i SGJL, H. Islami, sekretar i SSHSH, M. Dushi, sekretar i SSHN, R. Dhomi, sekretar i SA.
2002-2005: R. Ismajli – kryetar, B. Bokshi – nënkryetar, H. Islami – sekretar i përgjithshëm, E. Basha – sekretar i SGJL, E. Murtezai – sekretar i SSHSH, M. Berisha – sekretar i SSHN, R. Dhomi – sekretar i SA.
2005-2008: R. Ismajli – kryetar, B. Bokshi – nënkryetar, H. Islami – sekretar i përgjithshëm, E. Basha – sekretar i SGJL, E. Murtezai – sekretar i SSHSH, M. Berisha – sekretar i SSHN, R. Dhomi – sekretar i SA.
2008-2011: B. Bokshi – kryetar, H. Islami – nënkryetar, E. Berisha – sekretar i përgjithshëm, M. Kraja – sekretar i SGJL, P. Nushi – sekretar i SSHSH, L. Susuri – sekretar i SSHN, T. Emra – sekretar i SA.
2011-2014: H. Islami – kryetar, P. Nushi – nënkryetar, I. Krasniqi – sekretar i përgjithshëm, M. Kraja – sekretar i SGJL, M. Krasniqi – sekretar i SSHSH, F. Krasniqi – sekretar i SSHN, Z. Ballata – sekretar i SA.
2014-2017: H. Islami – kryetar, A. Aliu – nënkryetar, I. Krasniqi – sekretar shkencor, E. Basha – sekretar i SGJL, J. Bajraktari – sekretar i SSHSH, F. Krasniqi – sekretar i SSHN, L. Mulliqi – sekretar i SA.
Seksioni i Gjuhësisë, i Letërsisë dhe i Arteve (1975-1994):
1. Besim Bokshi, korrespondent 1991, i rregullt 1996;
2. Enver Gjerqeku (1928), korrespondent 1986, i rregullt 1991;
3. Esat Mekuli (1916-1993), i rregullt 1975;
4. Idriz Ajeti (1917), i rregullt 1975;
5. Muslim Mulliqi (1934-1998), korresponden 1979, i rregullt 1985;
6. Rexhep Qosja (1936), i rregullt 1975;
7. Svetomir Arsic (1928), korrespondent 1983, i rregullt 1986, veproi në ASHAK deri më 1992;
8. Vladeta Vukovic (1928-2003), korrespondent 1979, i rregullt 1985, veproi në ASHAK deri më 1992;
9. Vuk Filipovic (1930-1990), i rregullt 1975;
1. Ali Aliu (1934), korrespondent 1996, i rregullt 2000;
2. Ali Podrimja (1942-2012), korrespondent 1996, i rregullt 2000;
3. Anton Pashku (1937-1995), korrespondent 1993;
4. Bardh Rugova (1974), korrespondent 2016;
5. Besim Bokshi (1930-2014), korrespondent 1991, i rregullt 1996;
6. Enver Gjerqeku (1928-2008), korrespondent 1986, i rregullt 1991;
7. Eqrem Basha (1948), korrespondent 2000, i rregullt 2004;
8. Ibrahim Rugova (1944-2006), korrespondent 1996;
9. Idriz Ajeti (1917), i rregullt 1975;
10. Kujtim Shala (1974), korrespondent 2016;
11. Mehmet Halimi (1937), korrespondent 2012;
12. Mehmet Kraja (1952), korrespondent 2004, i rregullt 2008;
13. Rexhep Ismajli (1947), korrespondent 1993, i rregullt 1996;
14. Rexhep Qosja (1936), i rregullt 1975;
15. Sabri Hamiti (1950), korrespondent 2000, i rregullt 2008;
16. Sinan Hasani (1922), korrespondent 1983, i rregullt 1986, jashtë përbërjes së punës nga 1992;
17. Zejnullah Rrahmani (1952), korrespondent 2012, i rregullt 2016;
1. Ali Hadri (1931-1987), i rregullt 1975;
2. Anton K. Berishaj (1954), korrespondent 2012, i rregullt 2016;
3. Arsim Bajrami (1960), korrespondent 2012;
4. Božidar Jovanovic (1926), korrespondent 1983, i rregullt 1986, veproi në ASHAK deri më 1992;
5. Edi Shukriu (1950), korrespondent 2012;
6. Ekrem Murtezai (1931), korrespondent 1996, i rregullt 2000;
7. Esat Stavileci (1942), korrespondent 1996, i rregullt 2000;
8. Fehmi Agani (1932-1999), korrespondent 1993, i rregullt 1996;
9. Frashër Demaj (1973), korrespondent 2016;
10. Gazmend Zajmi (1936-1995), i rregullt 1975;
11. Gjyljeta Mushkolaj (1963), korrespondent 2016;
12. Hajredin Hoxha (1926-1987), korrespondent 1979;
13. Justina Pula (1953), korrespondent 2016;
14. Hivzi Islami (1946), korrespondent 1996, i rregullt 2000;
15. Isa Mustafa (1951), korrespondent 2008; i rregullt 2012;
16. Jashar Rexhepagiq (1929-2010), i rregullt 1975;
17. Jusuf Bajraktari (1948), korrespondent 2012, i rregullt 2016;
18. Mark Krasniqi (1920), korrespondent 1979, i rregullt 1985;
19. Muhamedin Kullashi (1949), korrespondent 2016;
20. Pajazit Nushi (1933), korrespondent 2000, i rregullt 2008;
21. Syrja Pupovci (1937-1998), i rregullt 1975;
22. Zef Mirdita (1936); korrespondent 1991, jashtë përbërjes së punës nga 1994;
1. Arsim Morina (1956), korrespondent 2012;
2. Dervish Rozhaja (1934-1996), i rregullt 1975;
3. Dragoslav Pejèinovic (1932), korrespondent 1986, i rregullt 1991, veproi në ASHAK deri më 1992;
4. Esat Mekuli (1916-1993), i rregullt 1975;
5. Eshref Ademaj (1940-1994), korrespondent 1993;
6. Fejzullah Krasniqi (1953), korrespondent 2008; i rregullt 2012;
7. Feriz Krasniqi (1931), korrespondent 1996; i rregullt 2000;
8. Fetah Podvorica (1963), korrespondent 2016;
9. Isuf Krasniqi (1948), korrespondent 2008; i rregullt 2012;
10. Latif Susuri (1941), korrespondent 2000, i rregullt 2008;
11. Ljubiša Rakiq (1931), i rregullt 1975, veproi deri më 1992;
12. Minir Dushi (1929), korrespondent 1975, i rregullt 1979;
13. Mladen Karaman, korrespondent 1975;
14. Muharrem Berisha (1942-2010), korrespondent 1996, i rregullt 2000;
15. Musa Haxhiu (1939-2006), korrespondent 1979, i rregullt 1983, jashtë përbërjes së punës nga 1992;
16. Myzafere Limani (1954), korrespondent 2016;
17. Nexhat Daci (1944), korrespondent 1993, i rregullt 1996;
18. Osman Imami (1936-1996), korrespondent 1979, i rregullt 1985;
19. Qamil Haxhibeqiri (1949), korrespondent 2012;
20. Remzi Bakalli (1944-2007), korrespondent 1986, i rregullt 1991, jashtë përbërjes së punës nga 1992;
21. Ruzhdi Pllana (1940-2015), korrespondent 2012;
22. Salih Gashi (1944), korrespondent 2012;
1. Agim Çavdarbasha (1944-1999), korrespondent 1993, i rregullt 1996;
2. Engjëll Berisha (1934-2015), korrespondent 2000, i rregullt 2008;
3. Luan Mulliqi (1953), korrespondent 2012;
4. Muslim Mulliqi (1934-1998), korrespondent 1979, i rregullt 1985;
5. Rauf Dhomi (1945), korrespondent 1993, i rregullt 1996;
6. Rexhep Ferri (1937), korrespondent 1996, i rregullt 2000;
7. Tahir Emra (1938), korrespondent 2000, i rregullt 2008;
8. Xhevdet Xhafa (1934), korrespondent 2012;
9. Zeqirja Ballata (1943), korrespondent 1996, i rregullt 2000.
1975-1979: E. Mekuli
1979-1982: I. Ajeti
1982-1984: D. Rozhaja
1984-1986: S. Pupovci
1986-1988: V. Filipovic
1988-1990: V. Filipovic
1990-1992: M. Haxhiu
1992-1994: M. Krasniqi
1994-1996: G. Zajmi,
1995-1996: (pas vdekjes së G. Zajmit) I. Ajeti
1996-1999: I. Ajeti
1999-2002: N. Daci
2002-2005: R. Ismajli
2005-2008: R. Ismajli
2008-2011: B. Bokshi
2011-2014: H. Islami
2014-2017: H. Islami
1975-1979: R. Qosja, S. Pupovci, Lj. Rakic;
1979-1982: R. Qosja, A. Hadri, Lj. Rakic;
1982-1984: V. Vukovic, J. Rexhepagiq, O. Imami;
1984-1986: M. Mulliqi, B. Jovanovic, M. Dushi;
1986-1988: S. Arsic, J. Rexhepagiq, M. Haxhiu;
1988-1990: S. Arsic, J. Rexhepagiq, M. Haxhiu;
1990-1992: V. Vukovic, G. Zajmi, R. Bakalli;
1992-1994: Gjerqeku, Z. Mirdita, D. Rozhaja;
1994-1996: R.Ismajli, J. Rexhepagiq, D. Rozhaja; R. Dhomi;
1996-1999: R. Ismajli, J. Rexhepagiq, M. Dushi, R. Dhomi;
1999-2002: E. Gjerqeku, H. Islami, M. Dushi, R. Dhomi;
2002-2005: E. Basha, E. Murtezai, M. Berisha, R. Dhomi;
2005-2008: E. Basha, E. Murtezai, M. Berisha, R. Dhomi;
2008-2011: M. Kraja, P. Nushi, L. Susuri, T. Emra.
2011-2014: M. Kraja, M. Krasniqi, F. Krasniqi, Z. Ballata
2014-2017: E. Basha, J. Bajraktari, F. Krasniqi, L. Mulliqi
Ferid Murad;
Gonxhe Bojaxhiu;
Leonard Newmark;
Wilfried Fiedler;
Christian Gut;
Kristaq Prifti;
Robert Elsie;
Gjelosh Gjekaj;
Shaban Demiraj;
Tomë Berisha;
Michael Roux;
Agnja Desnickaja;
Janez Milçinski;
Çesk Zadeja;
Branko Pavicevic;
Dragiša Ivanovic;
Dušan Kanazir;
Ed-hem Çamo;
Gunnar Svane;
Joseph Milie-Emili;
Neils S. Cherniack;
Ramiz Abdyli;
Mihajlo Apostolski;
Tish Daija;
Ibrahim Kodra;
Grga Novak;
Kolë Popa;
Pavle Saviç;
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK)
Adresa: Rruga Agim Ramadani, nr. 305, Prishtinë, Republika e Kosovës
Tel: +383 38 249-303 – E-mail: [email protected]