Libri “Proceset konvencionale membranore dhe te integruara (Parimet dhe zbatimi)”, siç thotë autori në parathënie, synon të përcaktojë mundesinë e shfrytëzimit të këtyre proceseve në praktikë. Libri trajton tri lëmi kryesore: parimet dhe zbatimi i proceseve konvencionale, membranore dhe te integruara (hibride) që janë zbërthyer nëpër kapituj të veçantë. Këto procese bashkëkohore sot përdorën në lëmenj e separimit në industri të ndryshme dhe për trajtimin e ujit. Proceset e shtjelluara e në veçanti ato membranore dhe te integruara janë procese të reja, për të cilat ka njohuri teorike të pakta dhe zbatime shpesh te kufizuara. Këto procese shpesh shoqërohen me terma të pastandardizuara, prandaj autori është përpjekur t’i rregullojë në mënyrë që ato të jenë sa më të afërt fenomeneve që i përfaqësojnë.
Libri është shkruar sipas standardeve bashkëkohore të teksteve shkencore. Ai përmban një gamë të gjerë të proceseve teknologjike qe janë shtjelluar me metodologji sa me të përafërt, duke pasur parasysh specifikat e veçanta të tyre. Këto procese jenë shpjeguar thjeshtë, kuptueshëm dhe janë renditur në mënyrë kronologjike, duke u nisur nga parimet e deri te zbatimi i tyre në industri dhe mbrojtjen e mjedisit. Vlerën dhe origjinalitetin e tekstit e rrisin shpjegimet e duhura të ndërveprimit të specieve që trajtohen nga literatura apo edhe të hulumtimeve të vetat. Ky është ndër tekstet e rralla në literature e në veçanti në gjuhën shqipe dhe mund të jetë ndihmesë e madhe për specialistët dhe hulumtuesit e rinj në orientimin dhe planifikim e hulumtimeve shkencore nga këto lëmenj në të ardhmen.