Libri me titull “Competitiveness in the Western Balkans: Challenges and Opportunities for Kosovo” (Konkurueshmëria në Ballkanin Përendimor: Sfidat dhe Mundësitë për Kosovën) është fryt i bashkëpunimit të një grupi të shquar studiuesish të ekonomisë të fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën. Ky libër i redaktuar nga Akademike Justina Shiroka-Pula, Akademik Isa Mustafa dhe Anëtar korrespondent Besnik Krasniqi është rezultat i një projektit më të gjerë me titull “Aftësia konkurruese e Kosovës në ekonominë globale”, financuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në Prishtinë.
Libri ofron analiza përshkruese dhe empirike të faktorëve që ndikojnë në konkurrueshmerinë në Ballkanin Perëndimor dhe nxjerr mësime dhe rekomandime për Kosovën. Për më tepër, ky libër synon të avancojë njohuritë shkencore rreth faktorëve që ndikojnë në aftësitë konkurruese të Ballkanit Perëndimor, si faktorët mikro ashtu edhe makro, dhe nxjerrë mësime për politikat e promovimit të eksportit dhe aftësisë konkurruese të ekonomisë së Kosovës.
Studimet e prezantuara synojnë t’u ofrojnë politikëbërësve të Kosovës një këndvështrim më të gjerë të politikave ekonomike në Ballkanin Perëndimor, duke u mundësuar atyre të hartojnë politika të ardhshme bazuar në rekomandime të mbështetura në prova empirike. Kontribuuesit në këtë libër janë studiues të shquar nga vende të ndryshme të botës si Will Bartlett (Shkolla Ekonomike e Londrës, Mbretëria e Bashkuar), Nebojsa Stojcic (Universiteti i Dubrovnikut, Kroaci), Adnan Efendic (Universiteti i Sarajevës, Bosnje dhe Hercegovinë), Nick Williams (Universiteti i Leeds-it, Mbretëria e Bashkuar), Veland Ramadani (Universiteti i Evropës Juglindore, Maqedonia e Veriut), Hyrije Abazi (Universiteti i Evropës Juglindore, Maqedonia e Veriut), Adhurim Haxhimusa (Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Grisons-it FHGR, Zvicër), Liridon Kryeziu (Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë dhe Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest, Kosovë), dhe Azem Rexhaj (Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë, Kosovë).