Libri “Gjenocidi dhe masakrat e Serbisë në Kosovë (1998-1999)” është përmbledhje kumtesash dhe referatesh mbajtur më 28 prill të vitit 2023 në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, qëllimi i së cilës ishte tërheqja e vëmendjes edhe një herë e opinionit të gjerë rreth zhvillimeve të viteve 1998-1999 në Kosovë, duke u përqendruar në masakrat që kanë ndodhur në të gjitha anët e vendit. Konferenca u organizua në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, kështu që në botim janë përfshirë 17 kumtesa të historianëve, juristëve dhe politikanëve, si dhe të profesionistëve të profileve të tjera nga Kosova dhe nga Shqipëria. Në fund të librit është përfshirë edhe një shtojcë me dëshmitë e të mbijetuarve nga masakrat e policisë, ushtrisë dhe njësive paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë.

Në parathënie të botimit është thënë se konferenca shkencore dhe botimi i përmbledhjes së kumtesaqve synon “për të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën historike dhe për të trajtuar çështje të rëndësishme nga periudha e viteve 1998-1999, e sidomos për të sjellë argumente shkencore për gjenocidin dhe masakrat e Serbisë në Kosovë, Seksioni i Shkencave Shoqërore i ASHAK-ut, organizoi Konferencë shkencore multidisiplinare për të trajtuar aspekte historike, politike, diplomatike, ekonomike, demografike, juridike, mjekësore, psikologjike dhe muzeore për të vërtetën historike të kësaj periudhe, të cilat botohen në këtë vëllim të veçantë.”