Aktuale

aktuale 1
 

Përkujtim: Sadri Fetiu (1942-2021)

Pas një sëmundjeje të gjatë, pardje u nda nga jeta mbledhës i folklorit dhe studiuesi dhe mësimdhënësi i gjuhës dhe letërsisë, Sadri Fetiu (1942-2021). Sadri Fetiu lindi në Peqan të Suharekës. Kreu studimet për gjuhë dhe letërsi në Fakultetin Filozofik të UP-së (1965). Studimet pasuniversitare i kreu gjithashtu në Prishtinë, ku mbrojti edhe tezën e disertacionit të doktoratës (1987). Punoi gazetar dhe ishte mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Shkollën teknike “19 Nëntori” në Prishtinë. Në periudhën 1977-2007 punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në degën e folklorit, pastaj këshilltar shkencor dhe drejtor i këtij institucioni (në vitet 1991-2007). Botoi vepra nga fusha e studimeve të folklorit dhe të letërsisë: “Romani shqiptar i luftës” (1979), “Poetika e baladës popullore” (1987), “Balada popullore shqiptare, aspekte krahasimtare” (1987), “Folkloristikë” (2009), “Aspekte të studimeve albanologjike” (2012). Ka përgatitur për botim vëllimet me lëndë folklorike “Ninullat” (1982), “Këngë e lojëra të fëmijëve” (1983) dhe ka bashkëpërgatitur vëllimet “Këngë popullore të Rilindjes Kombëtare” (1978), “Këngë kreshnike II” (1991), “Këngë popullore historike” I, II, III, IV (2007)” etj. Ka mbledhur materiale folklorike në shumë vise shqiptare të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, si dhe ka marrë pjesë me kumtesa në shumë tubime shkencore nga fusha e folkloristikës shqiptare. Ka botuar përmbledhjen poetike: ”Vargje satirike” (1998) dhe veprën me shkrime publicistike “Udhëkryqet e Kosovës” (2005). Ishte profesor i angazhuar për lëndët mitologji, folklor krahasimtar dhe letërsi për fëmijë në Universitetin e Prishtinës.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllime familjes dhe kolegëve të Institutit Albanologjik të Prishtinës.