Aktuale

aktuale 1
 

Deklaratë me rastin e vdekjes së akademik Esat Stavilecit

 

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton opinionin se sot, në orët e pasdites, në shtëpinë e tij, vdiq anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, eksperti i shquar në fushën e shkencave juridike, akademik Esat Stavileci. Është kjo një humbje e madhe për familjen, shkencën dhe Akademinë, për kolegët dhe miqtë e shumtë anë e mbanë Kosovës dhe trojeve shqiptare.

Akademik Esat Stavileci lindi më 11 korrik 1942, në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit. Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Prej vitit 1965 deri në pensionim punoi profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoraturës. Krijimtaria e tij shtrihet në shumë fusha të interesimit shkencor, veçanërisht në ato juridike-kushtetuese, në fushën e sistemeve politike krahasimore, të administratës dhe të administrimit publik në përgjithësi, të metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike dhe në fushën e terminologjisë juridike.

Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Stavileci, miqve dhe adhuruesve të tij gjithandej Kosovës dhe botës shqiptare.

Mbledhja komemorative do të mbahet të hënën, më 17 gusht 2015, në orën 10:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa homazhet nga ora 10:30-11:30, po ashtu në Mjediset e Akademisë.

Akademik Stavileci do të varroset në varrezat e qytetit të Gjakovës në orën 17:00, më 17 gusht 2015.

Akademia përkujtimore dhe homazhet do të bëhen në Pallatin e Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë nga ora 14:00.