Aktuale

aktuale 1
 

VËREJTJET E ASHAK-ut LIDHUR ME PROPOZIMIN PËR NDRYSHIMIN EVENTUAL TË LIGJIT PËR AKADEMINË

Të nderuar deputetë dhe ministra,

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, përkundër rrethanave të vështira në periudha të caktuara, ka arritur t’i ruajë misionin dhe vlerat themelore. Kjo vlen edhe sot. Ligji aktual për Akademinë është i vitit 2004, ndërsa për tekstin e efekteve të tij është e nevojshme një kohë dhe një procedurë vlerësimi serioz e konkret të mangësive eventuale dhe të pikave në të cilat duan bërë ndryshime. Akademia mendon se për çfarëdo ndryshimesh është e domosdoshme që përgatitjet të bëhen në nivelin e nevojshëm. 

Rrjedha e deritashme e nismës që vjen nga jashtë ASHAK-ut dhe pa konsultimin e institucionit lënë për të dëshiruar. Por që në fillim të nismës janë konstatuar mangësi të propozimeve të inicuesit në disa aspekte thelbësore: në tekstin e nismës, në tekstin e ndryshimeve dhe të plotësimeve të propozuara të Ligjit për ASHAK-un, në përfaqësimin gati njëpartiak të Grupit punues dhe në mungesën e procesverbaleve të takimeve të Grupit bashkë me konkluzionet përkatëse.

Ligji në fuqi i ASHAK-ut është hartuar në mbështetje të standardeve evropiane, të cilat janë dëshmuar të sukseshme në punën e Akademisë sonë. Mbi bazën e këtij Ligji dhe të inspektimit që i bëri udhëheqja e ALLEA-s (All European Academies - Federata e Akademive Nacionale të Evropës), ASHAK u pranua anëtare e kësaj Federate dhe e asociacioneve të tjera përkatëse ndërkombëtare (IAP – Paneli Ndërkombëtar i Akademive, Unioni i Akademive të Evropës Juglindore, Unioni i Akademive të Evropës Qendrore e Lindore, Rrjeti i Akademive për të Drejtat e Njeriut me seli në Nju Jork etj.). ASHAK ka hyrë në këto asociacione akademike dhe shkencore në vitet 2001-2004 ende pa qenë Kosova shtet i pavarur, në saje të veprimit të instancave të saj dhe të legjislacionit të vlerësuar. Ishte ky edhe një afirmim për Kosovën. Të gjithë jemi dëshmitarë se me sa vështirësi po ecën puna e integrimit në asociacionet ndërkombëtare e institucioneve të tjera të Kosovës. 

Në nëntor të vitit 2011 Akademia nga mediat mësoi se deputeti Ramë Vataj i partisë në pushtet paskësh ndërmarrë nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ASHAK-un. Atë nismë, pos partisë në pushtet, e kishin mbështetur dhe deputetë të pakicave dhe disa deputetë të disa partive opozitare. Kur partitë opozitare, LDK dhe AAK, vlerësuan se nisma ishte paragjykuese dhe me prapavijë politike, i tërhoqën nënshkrimet, ndërsa VV atëbotë as që e kishte mbështetur këtë nismë. 

Nisma ishte joparimore dhe dashakeqe, ashtu si vazhdimi i punës në Grupin punues, sikundër edhe procedurat e tjera. Nismëtari atëherë as që e kishte parë ligjin e ASHAK-ut, çka provohet nga fakti se për numër të ligjit e kishte vënë vitin e nxjerrjes. Fushata e egër që pasoi dhe po zhvillohet edhe sot kundër Akademisë nuk merret me Ligjin, por me ndërhyrjen me çdo kusht në autonominë e Akademisë. 

Nismëtari me 17. 04. 2012 organizoi debat publik, pa e pasur tekstin e nismës dhe sidomos tekstet e ndryshimeve dhe të plotësimeve të Ligjit për Akademinë, të propozuara nga vetë ai. Kishte ftuar dhjetra persona, anëtarë të ”Grupit”, deputetë dhe dekanë e të tjerë nga të gjitha fakultetet e UP-së. Pra, mungoi teksti i nismës dhe arsyetimet përkatëse për ndryshimet e propozuara, të cilat janë të domosdoshme për çfarëdo dëgjimi dhe debati publik, sikundër që mungonin edhe procesverbalet e takimeve të Grupit punues, me konkluzionet të cilat pasqyrojnë diskutimet për ndryshimet e propozuara, ndonëse janë kërkuar nga përfaqësuesit e Akademisë. E theksojmë se të tri takimet kanë përfunduar pothuajse pa asnjë rezultat për ndryshimet e propozuara nga nismëtari. Zgjidhjet e propozuara janë kundërshtuar me argumente nga përfaqësuesit e Akademisë. Në fund, madje, nismëtari ka nisur të përmendë emra personalë, pse nuk është në Akademi ky, apo ai person, etj. 

Debati publik i dështoi, sepse nga dhjetra të ftuar i erdhi vetëm një person, ndërsa nga Akademia morën pjesë 7 veta.

Natyrisht që Akademia është dakord që në preambulën e Ligjit ekzistues teksti ”Duke u bazuar në Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë (kreu 5.1. (d); 9.1.26)”, të zëvendësohet me ”Kushtetutën e Republikës së Kosovës” (nenet përkatëse).

Propozimet e tjera të nismëtarit paraqesin non-sens. Të shkojmë radhazi:

1. Propozimi që “ASHAK i paraqet Raportin e punës së vitit në përfundim dhe Planin e punës për vitin vijues, Kuvendit të Kosovës deri më 15 dhjetor të çdo viti” (neni 2) është atipik për ligjet, sepse raportet dhe planet e punës së Akademisë së Kosovës miratohen përfundimisht nga Kuvendi i Akademisë dhe botohen në “Vjetarin” e saj, pra janë të disponueshme për publikun e gjerë; 

2. Nuk janë të pranueshme alinetë e reja të propozuesit (neni 7) që me ligj të përcaktohet numri i seksioneve dhe numri i anëtarëve të tyre. Përkufizimi i numrit të seksioneve paraqet bllokim të zhvillimit të Akademisë, meqenëse prurjet e kuadrove shkencore dhe artistike duhet të jenë përcaktuese për numrin e seksioneve dhe të anëtarëve të tyre. Në fillim Akademia ka pasur 3 seksione, zhvillimet shtruan nevojën të shtohej Seksioni i Arteve. Me kohë mund të lindin nevoja të tjera, e ato nuk mund të caktohen me vendime arbitrare, por në bazë të shqyrtimeve të gjera profesionale-shkencore. Kufizimi i numrit të anëtarëve, sidomos në Seksionin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, paraqet ndërhyrje burokratike në punën e Akademisë dhe kjo veçanërisht i godet shkencat albanologjike, duke e prekur drejtpërsëdrejti dhe autonominë e institucionit;  

3. Është krejtësisht absurde që Statutin e Akademisë ta aprovojë Kuvendi i Kosovës (neni 8), pasi që kjo do të thotë rrënim të plotë të mëvetësisë së Akademisë, sikundër që është non-sens që përmes “komisioneve për zgjedhje” Kuvendi i Kosovës ta bëjë “zgjedhjen e anëtarëve” të Akademisë, ndërkaq Kuvendi i Akademisë ta bëjë vetëm “aprovimin” ose “miratimin”, gjë që nënkupton shuarjen e autonomisë së Akademisë, që bie ndesh me nenin 2.1 të Ligjit në fuqi dhe të propozimit; 

4. Propozimet shtesë që jepen për kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të rregullt dhe korrespondentë të Akademisë janë krejtësisht të papranueshme, për shkak se, së pari, ato përcaktohen me Statut dhe akte të tjera të Akademisë, dhe së dyti, për arsye se zgjidhjet ekzistuese përmbajnë kritere të qëndrueshme dhe janë përvoja të verifikuara te ne dhe tek akademitë e rajonit dhe të Evropës. Kriteret që të propozuarit për anëtarë të Akademisë të kenë tituj si “profesor” ose “doktor shkence” apo “të kenë përvojë në mësimdhënie” (neni 11 dhe neni 12) ) nuk mund të jenë të mjaftueshme, sepse titujt elementarë shkencorë apo gradat arsimore nuk paraqesin garanci për vlerat shkencore a artistike; “përvoja në mësimdhënie” nuk mund të jetë relevante për Akademinë, ndërkaq në fushat e arteve nuk ka “doktor shkence”; pos kësaj, në parim mund të ketë individë që edhe në shkencë apo art të kenë shënuar suksese dhe të jenë rritur në personalitete të rëndësishme që komuniteti përkatës shkencor e artistik  i vlerëson; futja si kriter i “përvojës në mësimdhënie” e sjell Akademinë në nivel të një fakulteti;

5. Propozimi që “Zgjedhjet për anëtarë të Akademisë të bëhen… sipas nevojës për plotësimin e vendeve vakante” (neni 14) është krejtësisht i pavend, për arsye se në Akademi nuk kemi të bëjmë me “vende vakante” të punës, por me zgjedhjen e anëtarëve të Akademisë në bazë të kritereve shkencore e artistike, çka do të thotë se, nëse nuk ka propozime të vlerësuara sipas procedurave përkatëse ligjore, nuk zgjidhet askush;

6. Propozimi që Akademia duhet të harmonizojë punën e saj, Statutin dhe aktet e tjera normative “me dispozitat e këtij ligji brenda “dy” muajve nga hyrja e tij në fuqi” (neni 17) paraqet absurd të llojit të vet. Praktikat që ne njohim parashohin që ky afat të jetë së paku 6 muaj;

7. Çështja e moshës së anëtarit të Akademisë mbi 75 vjeç si kufizim për të votuar dhe për t’u zgjedhur në vende udhëheqëse (neni 24, alinetë 2 dhe 3) në Akademi mund të diskutohet, por nëse nuk bie ndesh me të drejtën elementare të votës, pra me Kushtetutën; natyrisht, kjo çështje do vështruar dhe në raport me statusin e padiskutueshëm të përhershëm të anëtarit të Akademisë dhe të të drejtave që i përkasin;

8. Gjithashtu mund të debatohet për propozimin “Personat të cilët kanë funksione të larta administrative dhe politike, nuk mund të kandidojnë për t’u zgjedhur anëtarë të Akademisë derisa janë në këto funksione” (20 A). Edhe këtu ka konfuzion, sepse për anëtarë të Akademisë sonë nuk ka kandidime, por bëhen propozime nga instancat përkatëse të universiteteve publike dhe instituteve shkencore publike, si dhe nga organet e caktuara të Akademisë, ashtu si saktësohet në ligj.

Sipas mendimit të Akademisë, nisma dhe mungesa e arsyetimit të saj, dyshimet për legjitimiten e Grupit punues, puna e deritashme dhe në veçanti propozimet konkrete për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë prekin drejtpërsëdrejti autonominë e institucionit,  janë të pazakonta, nuk hasen në praktikat e ligjeve të akademive të rajonit dhe më gjerë dhe prandaj janë të papranueshme. 

Akademia nuk e refuzon reformimin eventual, nuk mund të jetë e mbyllur ndaj kërkesave të shoqërisë, përkundrazi, ka vullnet t’i marrë në konsideratë të gjitha kërkesat që nuk e dëmtojnë cilësinë shkencore e artistike, bazën e qëndrueshmërisë dhe perspektivën zhvillimore të institucionit, posaçërisht autonominë dhe procedurat demokratike, pa të cilat nuk mund të ketë institucion të pavarur të shkencës e të artit. Nëse ka vullnet për bashkëpunim të ndërsjellë, për çka ASHAK ka qenë dhe është i gatshëm që, përmes një rruge normale e pragmatike, mbi bazën e vlerësimeve relevante shkencore nga vetë nstitucioni e jo me fushata, të gjitha çështjet të shtrohen e të zgjidhen optimalisht kënaqshëm për të mirën e Akademisë, të shkencës dhe të Kosovës.    

Me respekt, 

Prishtinë, 13.11.2012                      

Akademik Hivzi Islami, kryetar