Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Murati dhe Zëvendës ministri i Ekonomisë, z.Mentor Arifaj, u pritën nga akademiku z.Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave Akademik, akademike znj.Justina Pula, nënkryetare dhe anëtarët e AShAK-ut.
Në pritjen e sotme, Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për kontributin dhe rolin historik e kulturor, por gjithnjë edhe politik e akademik të anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).
Ne besojmë se progresi socio-ekonomik, jeta e dinjitetshme e qytetarëve në Republikë, varet sa nga demokracia, përfaqësimi e vendimmarrja me integritet e kompetencë, po ashtu edhe nga konsiderata e pazëvendësueshme për shkencën, tha kryeministri Kurti. Në këtë fushë për shkencën, por në të tjerat edhe për artin e kulturën, shtoi ai.
Gjatë takimit u potencua interesimi i Qeverisë dhe AShAK-ut, për bashkëpunim të ngushtë. Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit jo vetëm në sektorin e energjisë, por edhe në fusha të tjera.
Ai veçoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së furnizimit dhe konsideratën gjeopolitike, meqë energjia sot është bërë kryefjalë e politikës dhe gjeopolitikës, jo vetëm në vendin tonë.
Duhet të kemi parasysh konsideratat mjedisore, meqenëse siç thotë një fjalë e urtë, të tashmen e kemi jo vetëm trashëgimi nga paraardhësit tanë, por në një farë mënyre edhe hua nga brezat e ardhshëm, për shkak se çfarëdo që bëjmë ne, kemi kosto për brezat që do të vijnë pas nesh, tha kryeministri Kurti.
Në këtë takim, akademik z.Fejzullah Krasniqi, prezantoi raportin e AShAK-ut për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, një dokument për analizën dhe sugjerimet për zhvillimet e ardhshme në sektorin e energjisë. U theksuan të gjeturat e raportit për opsionet për furnizim të qëndrueshëm e me çmim të arsyeshëm për konsumatorët.