PSE U PROPOZUA OLIVER J. SCHMITT PËR ANËTAR TË JASHTËM TË ASHAK-ut?

Me propozim të Kryesisë së ASHAK-ut (11. 09. 2012), dr. Oliver Jens Schmitt, profesor për Historinë e Evropës Lindore në Fakultetin e Shkencave Historike të Universitetit të Vjenës, anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave, Përgjegjës i Albanien-Institut, u kandidua për anëtar të jashtëm të ASHAK-ut. Kryesia i ngarkoi të nënshkruarit e këtij teksti për të hartuar një raport për punën dhe veprimtarinë e profesor Schmitt-it. Ishim të vetëdijshëm se kishim marrë një barrë tepër të rëndë për ta bërë vlerësimin për këtë kandidat nga se opusi i tij shkencor është shumë i gjerë dhe cilësia shkencore e studimeve të tij shumë e lartë. Mblodhëm të dhëna biografike e bibliografike, vlerësime të shkencëtarëve e historianëve me renome për këtë studiues të njohur jo vetëm për studimet historike shqiptare, të vështruara në kontekst të gjerë të zhvillimeve historike të Evropës. Në vlerësimet e ekspertëve të historisë, veçanërisht të historisë së Evropës JL, gjetëm se vepra e Schmitt-it është shkencore, e hartuar me kompetencë, e argumentuar me të dhëna dhe fakte shkencore dhe e mbështetur në dokumente relevante arkivore. Në anën tjetër, vetë jemi dëshmitarë se pas vitit 1999, kudo që i jepej rasti, në tryeza shkencore, në konferenca, në qarqe politike e diplomatike, prof. Schmitt-i me argumente shkencore e mbronte të drejtën e Kosovës për shtetësi të saj. Kishte shprehur edhe gadishmërinë për përgatitjen e shkencëtarëve të rinj nga Kosova nga fusha e historisë.

Në hartimin e raportit na ndihmoi shumë mendimi i prof. Noel Malcolm-it, anëtar i jashtëm i ASHAK-ut, të cilin, shpresojmë se e njeh gjithë opinioni shqiptar përmes veprës së tij “Kosova – një histori e shkurtër” dhe angazhimeve publike të tij për Kosovën.

Pas përfundimit të zgjedhjeve për anëtarë të rinj, korrespondentë dhe të jashtëm, të vetëquajtur historianë dhe politikanë-“historianë” sërish ngritën zërin kundër Akademi­së, kësaj radhe kundër pranimit të prof. dr. Oliver J. Schmitt-it anëtar të jashtëm i AShAK-ut, që u bë në përputhje të plotë me kriteret shkencore-profesionale, ligjore dhe me postulatin për autonominë e institucionit. Fushatën e filloi agresivisht gazetari Jusuf Buxhovi, me shkollim themelor për gjuhë-letërsi, gjithë jetën me pezullim midis gazeta­risë e letërsisë, pa përgatitje bazike profesionale historiografike, por që ngre pretendime të mëdha të ketë bërë historinë e suksesshme, të vetmen, më të mirën,  katër mijë vjeçare të kombit! Akuzon autorë vendës si ‘argatë të Akademisë Serbe’, ndërsa autorë të huaj si ‘albano­fobë’! Më së shumti e atakon prof. Oliver Schmitt-in, duke e cilësuar ‘antishqiptar’ – çka është një gënjeshtër e kulluar, pastaj ‘sllavist’ – çka nuk është, ‘proserb’ – çka del në anën tjetër të arsyes.

“Historiani” Buxhovi nuk u mjaftua me kaq, po në manirin e stalinizmit arkaik kërkoi ndihmë nga politika e ditës, konkretisht nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, që të ndërhynte në Akademi dhe të bënte anulimin e zgjedhjes së prof. Schmitt-it. Krasniqi, pas ankesës se nuk e paskësh lexuar ende raportin (athua kush duhej t’ia jepte?), nuk e la pa sulmuar edhe Akademinë, edhe prof. Schmitt-in në prononcime për media, përfshirë shkrimin me titull “Me gjysmë të vërteta nuk bëhet shkencë” (”Koha ditore”, 22. 12. 2012).

Krasniqi paskësh lexuar një kapitull të veprës së fundit të Schmitt-it “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, paskësh marrë disa fragmente të shkëputura e të izoluara nga tërësia e pro­ble­matikës së shqyrtuar, dhe ia paskësh dalë të nxjerrë konkluzione allabuxhovçe!

Nuk mund të mos e shtrojmë pyetjen: nga cila pozitë flet e shkruan Jakup Kras­niqi për shkencën, nga pozita e politikanit apo e “historianit”, apo nga të dyja?!

Pas sulmeve të pabaza të disa “historianëve”, dhe sulmeve të papërgjegjshme të udhë­he­qësve politikë në Shqipëri, në vitin 2009, prof. Schmitt në një intervistë për “Koha ditore” të dt. 3 gusht 2009, tha: Intelektualët shqiptarë “e dinë se unë kam dashuri të madhe ndaj kulturës shqiptare, por si shkencëtar unë punoj me do­ku­mente dhe metodat e mia shkencore”, duke lënë gjithnjë të hapur mundësinë e debatit e të disku­timeve shkencore për të gjitha çështjet, sepse, thoshte ai, asgjë nuk është e përkryer. “Pra unë nuk mund të shkruajë një libër duke u nisur nga motivi i simpatisë apo i antipatisë. Veç kësaj shkenca është  gjithmonë debat dhe jo e vërtetë absolute dhe studiuesi nuk mund të pohojë se ai ka monopolin mbi të vërtetën”. Veprat kryesore të tij janë tashmë të botuara shqip. Në vitin 2012 prof. Schmitt dha disa intervista në media të shkruara dhe elektronike dhe mbajti edhe disa ligjërata publike në Kosovë, por askush nga kritikuesit nuk doli para tij t’ia thoshte vërejtjet me argumente ose të shkonte e t’i bënte pyetje në ligjërata, të debatonte. Ndërkaq, referati për zgjedhjen e profesor Schmittit në AShAK ishte lënë në dispozicion të publikut plot një javë dhe askush nuk kishte shënuar asnjë vrojtim, përveç një gazetari të “Kohës ditore”.

Në një intervistë në numrin festiv të vitit 2009 të gazetës “Zëri”, në pyetjen e Daut Dautit për librin e Schmitt-it për Skënderbeun dhe zhurmën e madhe që u bë atë vit, Noel Malcolm, përveç tjerash, tha:

“Nuk e kam përcjellë këtë kontarversë në detaje, por kam lexuar për këtë çështje kur filloi në mënyrë skandaloze në Tiranë. Debatin që u bë në Kosovë nuk e kam përcjellë sa duhet. Unë jam befasuar nga trajtimi që iu bë Schmitit, por jo edhe aq shumë për arsye se unë e kuptoj rëndësinë që ka figura e Skënderbeut në historinë e shqiptarëve. Është temë e ndjeshme dhe e kuptoj sfondin psikologjik që ka. Por, Oliver Schmittt është historian shumë serioz. Ai është dijetar dhe nuk shkruan propagandë dhe nuk shkruan as kundër apo pro ndonjë interesi apo pozicioni politik, por shkruan si historian i vërtetë. Ai i ka analizuar burimet dhe ka treguar se cilat janë rezultatet e analizës. Ajo që gjithashtu më ka befasuar janë gjërat që i ka thënë e të cilat shkaktuan reagime apo, ndoshta, të ashtuquajturin skandal…

”Ne e dimë që Skënderbeu është tejet i rëndësishëm për shqiptarët. Por sulmet kundër Schmitt-it nuk janë të bazuara në fakte historike. Unë e njoh Oliver Schmitt-in dhe ai është person shumë i sinqertë dhe dinjitoz. Jam tronditur për mënyrën se si është akuzuar ai. Ai ka qenë nxënësi më i mirë i Peter Bartl-it, i cili ka udhëhequr Institutin Albanologjik në Mynih për shumë vite me radhë. Ky institut është transferuar në Universitetin e Vjenës dhe Oliver Schmitti është drejtor i këtij instituti. Ky është instituti i vetëm i dedikuar që me devotshmëri të studioi në mënyrë serioze çështjet albanologjike jashtë tokave shqiptare. Kurse Schmitt është një dijetar i cili vazhdimisht promovon hulumtime të reja të historisë shqiptare. Të demonizosh Oliver Schmittin nga ndonjë seksion i medieve apo nga një pjesë e botës politike, është gabim i tmerrshëm. Studimet e tij janë të një standardi të lartë shkencor”.

Në pamundësi që ta japim raportin e plotë për prof. O. Schmitt-in me rastin e zgjedhjes në Akademi, po shkëpusim vetëm përfundimin:

“Siç mund të shihet nga e tërë veprimtaria e deritashme e tij hulumtuese-shkencore, prof. dr. Oliver Jens Schmitt, anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave, pjesën më të madhe të punës së tij ia ka kushtuar historisë shqiptare, të vështruar në tërësinë e saj dhe në një kontekst më të gjerë evropian. Tërësitë e mëdha hulumtuese të tij kanë qenë: Arbëria Venetike, Historia e Skënderbeut dhe epokës së tij, Kosova dhe Historia e popullit shqiptar. Të gjitha këto ai i ka vështruar në një horizont më të gjerë të Evropës Juglindore. Ai është një nga të paktit historianë titullarë universitarë aktivë në Evropën Perëndimore sot dhe me moshën e formimin e tij garanton se me këto çështje do të merret edhe një kohë të gjatë. Profesor Oliver Jens Schmitt ka shfaqur dhe interesa të tjerë për botën shqiptare dhe ballkanike, është angazhuar në paraqitjen e kësaj bote në aspektin shkencor e kulturor para opinionit të Evropës Qendrore, ndërsa me pozitën që ka në Institutin e Historisë të Universitetit të Vjenës për një kohë të gjatë mund të luajë një rol me peshë në këtë drejtim. Intensiteti i paraqitjeve të tij të deritashme, cilësia shkencore e studimeve, interesi i shfaqur në vijimësi, vlerësimet që i janë bërë veprës së tij nga historianët, na bëjnë të propozojmë që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ta zgjedhë akademik profesor dr. Oliver Jens Schmitt-in anëtar të jashtëm të saj” (Akademik Hivzi Islami dhe Akademik Pajazit Nushi, Prishtinë, 24 shtator, 2012).

Kosova gjithnjë ka nevojë për të vërteta dhe miq, siç janë prof. Noel Malcolm, prof. Oliver Jens Schmitt, profesori i këtij të fundit Peter Bartl, etj., të cilët flasin dhe shkruaj­në disa gjuhë, ndër to edhe shqipen, shfrytëzojnë materiale burimore në shumë gjuhë të tjera, klasike e bashkëkohore dhe janë shkencëtarë me formim të mirëfilltë e të sprovuar historiografik. Me pranimin e O. J. Schmitt-it anëtar të jashtëm të AShAK-ut, ky insti­tucion ka dëshmuar edhe një herë se është institucion i shkencës, i dijes, i së vërtetës, i civilizimit, që shpërfill qasjet diletanteske-folklorizante, kontekstet emocionale dhe ideo­lo­gjike në interpretimin e ngjarjeve dhe të proceseve historike. Autorët e këtij teksti, si pro­pozues dhe nënshkrues të referatit që prof. Oliver J. Schmitt të zgjidhej anëtar i jash­tëm i AShAK-ut (mori 20 vota nga gjithsej 24 votues), ndjehen krenarë për hapin e ndërmarrë dhe suksesin e tij.

Prishtinë, 25.12.2012
Akademik Hivzi ISLAMI
Akademik Pajazit NUSHI