Një përfaqësi e Akademisë Sllovene viziton Akademinë e Kosovës

Më 6 qershor 2023 në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës qëndroi një përfaqësi e Akademisë Sllovene të Shkencave dhe të Arteve, e prirë nga kryetari Peter Shtih dhe anëtari i Akademisë, Tomo Virk.
Duke përshëndetur mysafirët, kryetari i ASHAK, akademik Mehmet Kraja, mbajti një fjalë rasti:

Të nderuar miq, të nderuar akademikë
Kam nderin dhe privilegjin që sot para jush t’i dëshiroj mirëseardhje në Akademinë tonë delegacionit të Akademisë Sllovene të Shkencës dhe Arteve, kryetarit akademik Peter Shtih dhe bashkëudhëtarit të tij, sekretarit të seksionit të filologjisë, akademikut Tomo Virk.
Më lejoni të them se bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me Akademinë Sllovene të Shkencave dhe të Arteve zhvillohet që një kohë relativisht të gjatë dhe me këtë rast më lejoni të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar që ky bashkëpunim të vendoset mbi parime të mirëkuptimin dhe respektit të ndërsjellë. Përfitoj nga rasti që të falënderoj Akademinë Sllovene, shtetin e Sllovenisë dhe popullin slloven për përkrahjen dhe mbështetjen e gjithanshme që i kanë dhënë Kosovës, dhe unë me këtë rast kërkoj nga ju, zoti kryetar, që këtë mesazh të qartë ta merrni me vete dhe ta çoni në vendin tuaj.
Tani, mbasi e kemi kaluar këtë fazë mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë, konsideroj se ne kemi krijuar predispozita të mira për nxitur një bashkëpunim të frytshëm midis dy akademive tona, duke realizuar projekte të përbashkëta jo vetëm të njohjes, por edhe të thellimit të dijes për njëri-tjetrin. Në këtë pikë mendoj se fusha e botimeve të përbashkëta, përmes përkthimit të ndërsjellë, mund të jetë një fushë me interes për të dyja palët.
Miq të nderuar,
Tani është radha që t’ju prezantoj me pak fjalë kryetarin e Akademisë Sllovene, akademikun Peter Shtih. Akademiku Shtih është profesor i historisë së mesjetës në Universitetin e Lubjanës. Në vitin 2007 ai u zgjodh anëtar korrespodent i Akademisë Sllovene të Shkencës dhe të Arteve, më 2015 anëtar i rregullt, ndërsa nga viti 2020 është kryetar i Akademisë Sllovene. Të kthehemi pak më prapa: akademiku Shtih ka lindur në Lubjanë në vitin 1960, studimet për histori i ka kryer në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Lubjanës, ku punoi si ligjërues. Më pas specializoi në Universitetin e Vjenës dhe më 1993 doktoroi në Universitetin e Lubjanës, ku i mori edhe titujt universitarë, përfshirë edhe gradën e profesorit të rregullt në vitin 2004. Studimet shkencore të akademikut Shtih përfshijnë historinë mesjetare të hapësirës së Adriatikut Alpin nga fundi i antikitetit deri në shekullin XV. Bibliografia e tij përmban mbi 400 tituj, përfshirë monografi akademike, trajtesa dhe artikuj shkencorë. Është përkthyer në gjermanisht, italisht, kroatisht etj.

Më pas fjalën e mori edhe kryetari i Akademisë Sllovene, i cili falënderoi dhe u zotua për një bashkëpunim edhe më të frytshëm midis dy akademive.

Në kuadër të kësaj vizite, akademiku Tomo Virk mbajti ligjëratën me titull “Letërsia bashkëkohore sllovene dhe roli shoqëror i saj”. Këtë paraqitje të akademikëve sllovenë e moderoi akademik Sabri Hamiti, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Tomo (Tomislav Virk), doktor i shkencave të letërsisë, profesor i rregullt për letërsi krahasimtare dhe teori letrare në Degën e Letërsisë Krahasimtare dhe të Teorive Letrare në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Lublanës si dhe Anëtar Korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Sllovenisë në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, më datë 06.06. 2023, mbajti ligjëratën Letërsia bashkëkohore sllovene dhe roli shoqëror i saj.
Nëpërmjet analizës konceptuale historike, Tomo Virk, në pjesën e parë të ligjëratës, shpjegoi rolin shoqëror tradicional të letërsisë sllovene. Theksoi se mungesa e tejzgjatur e shtetësisë sllovene ka ndikuar që shkrimi letrar slloven të jetë intencional dhe të sforcohet si i tillë sidomos në shek. 19 duke marrë rolin e një mediumi të vetëdijësimit nacional e njëkohësisht duke u bërë prijës dhe substitut i të gjitha institucioneve të tjera të munguara nacionale. Ky fenomen, sipas akademikut Virk, letërsisë sllovene i jepte rolin parësor të konsolidimit identitar e nacional duke e lënë në hije efektin estetik të saj. Përjashtime nga kjo formë ideore e shkrimtarisë ishin autorët France Presheren dhe Ivan Cankar, të cilët me veprat e tyre kishin depërtuar në botën perëndimore, por gjithsesi duke ruajtur tematikën e tyre të brendshme të koloritit slloven.
Tomo Virk, vëren se format themelore të shkrimit tradicional letrar slloven ishin poezia lirike dhe romani shoqëror, të cilat kishin themeluar “strukturën mallëngjyese” në shprehësinë letrare.
Roli identitar, i konstituimit nacional e institucional, pastaj roli social e politik i letërsisë sllovene, konstaton Virk, nuk përmbyllet në shek. 20, por transformohet në rrethana të reja, gjatë Luftës së Parë Botërore, deri në shkallën sa poetët formojnë institucionet kulturore, shtetërore e madje shkruajnë kushtetutën e vendit, e njohur si “kushtetuta e shkrimtarëve”. Përveç kësaj, roli shoqëror e nacional i letërsisë dëshmohet edhe me emërtimin e institucioneve themelore kulturore sllovene me emra poetësh si Presheren e Cankar, duke fituar kështu cilësorin se sllovenët janë “popull i poetëve”.
Tomo Virk, theksoi se ky fenomen ndryshon trajtën e tij mbas vitit 1945, pra mbas Luftës së Dytë Botërore, ku shkrimi letrar “harron” konceptet e formësimit kombëtar për të hulumtuar në kërkesat e lirisë njerëzore, të lirisë së individit dhe të trajtimit të temave të ndaluara, sidomos të kontestimit të historisë zyrtare dhe të raportit të saj të ndërlikuar me komunizmin. Tomo Virk konstaton se edhe në këtë rast letërsia sllovene bëhet paraprijëse e historiografisë duke marrë karakteristika të dëshmisë për të vërtetën e munguar.
Mirëpo, në vitet 1989-91, kur realizohet ëndrra sllovene për shtetësi, letërsia sllovene humb tensionin e saj kritik për të nisur hulumtimin e funksioneve estetike. Konsolidimi nacional e shtëtëror sikur e humb rolin e letërsisë si identifikuese e trajtuese “e patologjive të kohës” për ta shtyrë procesin shkrimor drejt trajtimit të temave të aktualitetit, madje me ngjyrime të situatave ditore, fenomen që sforcohet dukshëm sidomos mbas vitit 2000.
Mbas këtij trajtimi konceptual me premisa historike, akademiku Tomo Virk, në pjesën e dytë të ligjeratës, trajtoi zhvillimet aktuale në letërsinë sllovene në format e dramës, poezisë dhe të romanit.
Në kumtimin e tij vijoi me dramatikën, të cilën e cilësoi si art me premisa post-dramatike me refleksione politike, duke theksuar se ajo është “gati kryekëput e orientuar kah kritika shoqërore”, frymë e cila i ka përfshirë edhe akademikët-krijues Jançar dhe Novak, por që hetohet më me ngulm te autorja Simona Semeniç, dramat e së cilës i cilësoi të shkëlqyera, por që si të tilla nuk kanë arritur të depërtojnë tek një rreth më i gjerë recpetuesish.
Ndërsa, poezia aktuale sllovene, sipas Virkut, ruan dimensonin kritik dhe merret kryesisht me refleksionet e “margjinalizimeve shoqërore”, fenomen ky që më shumë do të ishte i natyrshëm për dramën dhe për prozën romanësore. Dimensionin kritik-poetik e zhvillojnë edhe autorët klasikë, siç janë Jesih, Dekleva, Grafenauer dhe Novak, por më të zëshëm janë autorët e rinj si Urosh Zupan, Primozh Çuçnik, Jure Jakob dhe Anja Golob.
Fenomen dallues i poezisë aktuale sllovene, për akademikun Virk, është vepra trilogjike e akademikut Boris A. Novak Vrata nepovrata 2014 [Dera e moskthimit], e realizuar në formën e eposit në rimë me fuqi të jashtëzakonshme si elukuencë shprehësie, por edhe si intencë semantike. Një vepër me intertekstualitet homerik, dantesk, madje me elemente budiste, por me topos në traditën dhe në aktualitetin e botës shpirtërore sllovene.
Kurse, romani aktual slloven, për mendimin e akademikut Tomo Virk, trajton temat e ekzistencës personale të ndërlidhura me fatet shoqërore e historike, shpeshherë si transponim formash të ndërlidhura me teatrin e filmin. Tema dominante, megjithatë mbetet rivizitimi i kohës së Luftës së Dytë Botërore, si reminishencë e si letrarizim i krizave individuale, nacionale e shoqërore në botën sllovene me fokus në pasojën e përplasjve të ideologjive të kohës.
Tomo Virk, duke shpjeguar këtë fenomen, merr shembull romancierin Drago Jançar, i cili në veprën Atë natë e pashë (2010), duke pasur në sfond vlimet e mëdha ideologjike e ushtarake të Luftës së Dytë Botëtore, trajton fatin e vërtetë të bashkëshortëve Hribar, të cilët e vuajnë pasojën e përplasjeve ideologjike deri në flijim. Për akademikun Virk, estetika e këtij romani buron nga struktura romanësore, ngase historia dhe ideologjia marrin rol kronotipik sekundar për t’u shquar efekti apo pasoja e saj në sagën familjare si dhembshuri njerëzore ku edhe qëndron fenomeni estetik i veprës letrare.
Ndërkaq, në përmbyllje, akademiku Tomo Virk, duke konstatuar, në plan konceptual, thekson: “Roli shoqëror i letërsisë bashkëkohore sllovene nuk është më në nxitjen, ndërtimin dhe ruajtjen e vetëdijes dhe të identitetit kombëtar, as në kompensimin e mungesës së pluralizmit politik, ideor dhe të mendimit; por do të mund ta formulonim ashtu që letërsia ia vendos pasqyrën patologjisë së shoqërisë bashkëkohore sllovene”.
Ligjërata e akademikut slloven, Tomo Virk zgjoi interesim të theksuar tek të pranishmit.