Ndërhyrja e forcave të xhandarmërisë serbe në Preshevë shtyri Kryesinë e ASHAK-ut ta përsërisë shqetësimin për gjendjen në të cilën janë shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës. Ky akt i shëmtuar tregoi qartë se regjimi serb dëshiron t’ua shkulë shqiptarëve të Luginës edhe kujtesën për të rënët e tyre në mbrojtje të lirisë nga mësymjet e hordhive ushtarako-policore serbe në vitin 2001. Me këtë akt Serbia u tregoi në mënyrë të përsëritur banorëve të Luginës dhe botës mbarë qëndrimin armiqësor të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve të mbetur padrejtësisht dhe me lojërat gjeopolitike në mëshirën dhe juridiksionin e shtetit serb. Dhe kjo ndodhi në një kohë kur subjektet e Luginës tashmë ishin në përfundim të marrëveshjes për një zgjidhje të dialoguar për monumentin.
Nuk ka dyshim se ky aksion hyn në radhën e shumë të tillëve të ushtruar nga shteti i Serbisë me synimin e përshpejtimit të procesit të heshtur të spastrimit etnik në Luginën e Preshevës. Para syve tanë tashmë ka ndodhur spastrimi në komunën e Medvegjës pikërisht në këto dy dekadat e fundit dhe po vazhdon edhe në Bujanoc e Preshevë.
Është ky rast që Kryesia e ASHAK-ut e ndien të nevojshme ta përsërisë shqetësimin e saj për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të vënë nën trysni të shumëfishta të drejtpërdrejta nga regjimi serb në vijën e Milosheviqit: trysnive të theksuara dhe të dukshme policore, ushtarake e administrative dhe të trysnive me efekte afatgjata ekonomike dhe shoqërore. E mbërthyer midis tre kufijve shtetërorë dhe kufirit të egërsisë e të armiqësisë së regjimit serb, popullsia shqiptare e Luginës nuk po ia del dot të gjejë zgjidhje.
Qetësimet e përkohshme me ndërhyrjet e improvizuara të vitit 2001 të drejtuara nga z. P. Feith, pa vendime të qarta dhe detyruese për regjimin serb lidhur me respektimin dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës, po e shpërfaqin tani tërë paqëndrueshmërinë e tyre. Në kontekstin e sotëm po duket edhe më qartë efekti i mosevidentimit të çështjes dhe të drejtave njerëzore e kolektive të shqiptarëve të Luginës në bisedimet e Vjenës, po ashtu.
Procesi i dialogut midis shteteve të Kosovës dhe të Serbisë të drejtuar nga BE-ja po e nxjerr edhe më përfushë tërë absurditetin e trajtimit të problemeve të rajonit me standarde dhe parime të dyfishta: një për serbët dhe tjetri për shqiptarët, kudo që janë ata. Ndërkaq, të drejtat e njeriut janë të njëjta gjithandej dhe nuk mund të shihen të shkëputura nga kontekstet politike e të sigurisë.
Para syve tanë po rrjedh procesi i spastrimit të heshtur etnik përmes ikjeve të vazhdueshme nën trysninë e horizontit të mbyllur, të mungesës afatgjatë të çfarëdo nisme për zhvillim ekonomik e shoqëror, të mungesës së institucioneve të shkollimit të lartë (ndërkohë që nuk u njihen diplomat e Kosovës), të shëndetësisë deri edhe më elementare, të nismave për zgjidhjen e problemeve reale 7-8 herë më pak të zhvilluar se mesatarja e viseve të tjera të Serbisë, ndërkohë që popullsia është privuar nga komunikimi normal me amën, të gjitha këto të kombinuara me ndërhyrje të herëpashershme kështu brutale me synim të drejtpërdrejtë përshpejtimin e këtij procesi të spastrimit etnik. Në të njëjtën kohë, bie në sy edhe mungesa e angazhimeve substanciale, sistemore institucionale të Shqipërisë dhe të Kosovës në drejtim të krijimit të çfarëdo kuadri për lëvizje që do të krijonin hapësirë për evitimin apo zbutjen e pasojave të këtij procesi.
Kryesia e ASHAK-ut nuk mund të mos e shprehë zhgënjimin për neglizhencën e dukshme të mekanizmave evropianë dhe ndërkombëtarë, të cilët, me standardet dukshëm të dyfishta dhe me mbështetjen që po i japin këtij regjimi në integrimet evropiane pa i përmbushur standardet e respektimit të të drejtave njerëzore e kolektive të shqiptarëve, po i fryjnë agonisë dhe po bëhen pjesëmarrës në këtë proces të dhimbshëm e të heshtur të Luginës së Preshevës.
Gjithë duke mbështetur përpjekjet që po bën Kosova për stabilizimin e raporteve me minoritetet dhe serbët, Kryesia e ASHAK-ut kërkon nga mekanizmat qeveritarë të Kosovës që të kërkojnë rrugë dhe mjete për zgjidhjen e problemeve reale dhe të hapjes së horizontit të shpresës për zhvillime më pozitive për shqiptarët e Luginës. Eshtë e qartë se gjendja e përgjithshme e shqiptarëve të Luginës, trysnia e përgjithshme politike, ekonomike, shoqërore, kulturore e policore-ushtarake është e lidhur me synimin e regjimit serb për të grabitur hapësira e territore shqiptare pa shqiptarë, çka nuk mund të jetë e pranueshme për raportet evropiane të sh. 21. Ndihmat që mund të japë Kosova në këtë drejtim duhet të jenë në harmoni me ofertat dhe mundësitë që krijohen për minoritetet e Kosovës dhe kjo duhet të sigurohet në të njëjtin proces me ndërmjetësim ndërkombëtar. Çështje kështu të ndjeshme për rajonin dhe me kaq potencial destabilizues nuk mund të lihen në dorë të vullnetit policor të ish-zëdhënësit të Millosheviqit, sot Kryeministër i Serbisë, i cili nuk ngurron të ndërmarrë hapa hapur represivë ndaj popullatës shqiptare dhe të zgjedhurve e institucioneve legjitime të saj në vendin e vet.
Kryesia e ASHAK-ut shpreh tërë solidarizimin me popullatën e Luginës së Preshevës dhe me kërkesat e saj legjitime për të gjetur zgjidhje sistemore, institucionale dhe administrative të ndërmjetësuara edhe ndërkombëtarisht, që do ta garantonin ekzistencën dhe jetën normale të saj në trojet e veta.
Kryesia e ASHAK-ut kërkon nga popullata e Luginës së Preshevës ta ruajë gjakftohtësinë dhe të mos bjerë pre e provokimeve të regjimit serb. Kryesia e AShAK-ut kërkon nga popullata e Kosovës, po ashtu, të përmbahet nga çdo lloj veprimi të dhunshëm ndaj të tjerëve në Kosovë.
Kryesia e ASHAk-ut shpreh shpresën që mekanizmat e BE-së, nëse vërtet duan të ndihmojnë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, do t’i shtrojnë në mënyrë serioze dhe me të njëjtat kritere të gjitha problemet në rajon.
Prishtinë, 23.01.2013
PËR KRYESINË E ASHAK-ut
Akademik Hivzi ISLAMI, kryetar