Ceremonia solemne e ndarjes së fletëdëshmive për anëtarët e rinj të ASHAK

Më 20 janar 2025, në orën 11:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u organizua ceremonia solemne e ndarjes së fletëdëshmive për anëtarët e avancuar dhe anëtarët e rinj të Akademisë.

Ceremoninë e shpalli të hapur kryetari i Akademisë, akademik Mehmet Kraja, i cili në fjalën e tij theksoi:

“Të nderuar akademikë dhe të tjerë të pranishëm,
Ju përshëndes në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe ju dëshiroj mirëseardhje në këtë takim të përbashkët, për të shënuar një ndodhi të veçantë, siç është pranimi i anëtarëve të rinj në Akademinë tonë.
Siç e dini tashmë, gjatë vitit të shkuar, gjatë vitit 2024, jemi përpjekur të zhvillojmë një proces të identifikimit të vlerave shkencore dhe artistike, me të cilat ne synojmë të pasurojmë fondin e dijeve shkencore dhe të arritjeve artistike në Kosovë dhe më gjerë.
Mund t’ju them tani se kemi zhvilluar një proces ligjërisht dhe në pikëpamje statusore e administrative krejtësisht të rregullt, pra me të gjitha atributet ligjore dhe statutore, rregulla këto që jemi të obliguar t’i respektojmë, për të qenë në konkordancë me opinionin, me shtetin dhe me institucionin e Akademisë, e cila edhe më tej do të synojë të mbajë qëndrim të pavarur, në detyrën e vështirë për të gjetur individët më të merituar në shkencë dhe në art.
Por, ne gjithashtu jemi të vetëdijshëm (disa prej nesh, jo të gjithë, mbase) se pritshmëritë e opinionit dhe të mendjeve kritike ndonjëherë nuk shkojnë në të njëjtën rrjedhë me fuqinë e votës dhe të vendimmarrjes. Ndoshta pikërisht është rasti të them se në Akademinë tonë beteja për vlera të njëmendta ende nuk është fituar plotësisht.
Tani, që t’i kthehem aktit solemn të dorëzimit të fletëdëshmive, dua që nga kjo foltore, në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, t’i uroj ata që në këtë proces kanë dalë fitues, qofshin si anëtarë të rregullt të Akademisë, qofshin si anëtarë korrespodentë.
Urime!”

Më pas nënkryetarja e Akademisë, akademike Justina Shiroka-Pula i ftoi me radhë anëtarët e avancuar dhe anëtarët e rinj korrespondentë dhe ua ndau fletëdëshmitë.

Në emër të anëtarëve të avancuar të rregullt u falënderua akademik Salih Gashi, ndërsa në emër të anëtarëve të rrinj korrespondentë u falënderua prof. dr. Muhamet Mala.