Simpozium për energjinë e pastër dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Në tetor të këtij viti, më saktësisht më 14 tetor 2022, në organizim të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, është paraparë të mbahet një simpozium shkencor me temën “Energjia e pastër dhe zhvillimi i qёndrueshёm”, i cili do të trajtojë aspekte të ndryshme ndryshme të prodhimit të energjisë së pastër prej burimeve të energjive të ripërtritshme në dritën e zhvillimeve të fundit në nivel regjional dhe global. Simpoziumi synon të vërë në pah nevojën e vendit për të prodhuar energji të mjaftueshme dhe të pastër në mënyrë që të mundësohet zhvillimi ekonomik. Që të ndodh kjo, në të njëjtën kohë duhet të bëhen përpjekje për ta zhvilluar sa më shpejt tranzicionin energjetik dhe diversifikimin e burimeve të energjisë, duke shfrytëzuar potencialet e Kosovës dhe të rajonit. Investime të shumta duhet të bëhen në teknologjitë që shfrytëzojnë burimet e ripërtritshme të energjisë, në rritjen e efiçiencës së sistemit, në  përmirësimin e sistemit të ngrohjes  dhe atij të ruajtës së energjisë, si dhe në krijimin e një sistemi elektroenergjetik të integruar, që përfshin në kuadër të tij edhe kontributin e llojeve të ndryshme të energjive të ripërtritshme. Të gjitha këto masa do të ndikojnë në uljen e emitimit të ndotësve në atmosferë, në radhë të parë të CO2 dhe në krijimin e një sistemi energjetik stabil. Në këtë simpozium shkencor janë të mirëpritur të marrin pjesë ekspertët që merren me problemet e energjisë, mjedisit dhe të sektorit të ekonomisë. Në të do të diskutohet, ndër të tjera, për:

  • Burimet e energjisë, me theks të veçantë për burimet e ripërtritshme
  • Efekti i burimeve të ndryshme të energjisë në mjedis,
  • Tranzicioni energjetik, kostoja
  • Efiçienca energjetike
  • Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik etj.

Dorëzimi i abstrakteve

Prezentimet në simpozium mund të bëhen në gjuhën shqipe dhe në atë angleze. Dorëzimi i abstrakteve bëhet në adresën elektronike: fetahpodvorica@ashak.org. Data përfundimtare e dorëzimit të abstrakteve është 10 shtatori 2022. Abstraktet mund të shkruhen në gjuhën shqipe ose angleze. Modeli i një abstrakti është dhënë i bashkangjitur. Përzgjedhja e prezentimeve për simpozium do të bëhet në bazë të cilësisë dhe relevancës në lidhje me tematikat e tubimit.

Këshilli organizues:
Akad. Fejzullah KRASNIQI, kryetar
Akad. Isuf  KRASNIQI, anëtar
Akad. Jorgaq KAÇANI, anëtar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë
Akad. Justina PULA, anëtare
Prof. Fetah PODVORICA, anëtar
Akad. Ilirjan MALOLLARI, anëtar,  Akademia e Shkencave e Shqipërisë
Prof. Myzafere LIMANI, anëtar

Abstrakti_Gjedhja_Simpoziumi për energjinë e pastër dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Informata_Simpozium për energjinë e pastër dhe zhvillimin e qëndrueshëm

For English click the links below:

Information for the scientific symposium of Clean Energy and sustainable development

Abstract_Template for the scientific symposium of Clean Energy and sustainable development