Aktuale

aktuale 1
 

Promovohet libri "Enigma e poezisë" i akademik Sabri Hamitit

Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të mërkurën, me datë 22 shtator 2021, në orën 11, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASHAK-ut do të promovojë librin më të ri të Akademik Sabri Hamitit, ENIGMA E POEZISË.

Botimi më i ri i Akademik Sabri Hamitit, studiues i letërsisë, kritik letrar, poet, dramaturg e romancier, autor i mbi 40 librave, një pjesë e të cilëve janë realizuar në kuadër të botimeve të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, i kushtohet  poezisë shqipe, poezisë shqipe të shekullit XX, autorëve të rëndësishëm si Fishta, Shantoja, Koliqi, Camaj, përkthimit të poezisë, që lidhet me emrin e R. Ismajlit, të përfshirë në pjesën e parë të vëllimit, si dhe autorëve të fundit të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, si Z. Zorba, F. Rreshpja, Rr. Dedja, A. Podrimja, F. Arapi, R. Çollaku, L. Lleshanaku, A. Konushevci, D. Topalli, M. Ahmeti, A. Idrizi, A. Tufa e Eqrem Basha, të përfshirë në pjesën e dytë.

Janë ftuar të flasin profesoreshat  e Universitetit të Tiranës dhe studiueset e shquara të letërsisë, Dhurata Shehri e Persida Asllani si dhe anëtari korrespondent ASHAK-ut, Nysret Krasniqi, që është dhe recenzent i botimit.

Promovimi mbahet konform masave kundër përhapjes së pandemisë covid 19. Njëkohësisht do të mundësohet ndjekja e aktivitetit në kanalin zyrtar të ASHAK-ut në Youtube.