Aktuale

aktuale 1
 

Ceremonia solemne e ndarjes së fletëdëshmive për anëtarët e rinj të ASHAK

Më 27 janar 2021, ora 11:00 në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në përputhje me masat për parandalimin e Covid-19 u organizua ceremonia solemne e ndarjes së fletëdëshmive për anëtarët e rinj të Akademisë, të zgjedhur në Kuvendin zgjedhor të saj më 22 dhjetor 2020. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi me bashkëpunëtorë, akademik Shaban Sinani dhe profesor Irakli Koçollari.

Ceremoninë e shpalli të hapur kryetari i Akademisë, akademik Mehmet Kraja, i cili në fjalën e tij theksoi:

“Me lejoni që në fillim t’ju them se gjatë vitit të shkuar, gjatë vitit 2020, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka zhvilluar një proces të rëndësishëm, procesin e pranimit të anëtarëve të rinj dhe të avancimit të anëtarëve korrespodentë në anëtarë të rregullt të Akademisë.

Sikundër e dini, i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me Ligjin për Akademinë, në përputhje me Statutin dhe aktet tona normative, përfshirë edhe rregulloren përkatëse.

Pavarësisht se viti i shkuar ishte vit i vështirë për një aktivitet të rregullt institucional, për shkak të pandemisë, ne u përpoqëm që edhe në këto rrethana të zhvillojmë një proces të drejtë, të hapur dhe transparent, duke respektuar deri në detaje të gjitha aktet ligjore që i përmendëm më lart. Institucionet e arsimit të lartë, fakultetet e Universitetit të Prishtinës, universitetet lokale dhe institutet, bënë një numër propozimesh për anëtarë të rinj të Akademisë, gjithsej 45 kandidatë, nga të cilët 38 i plotësuan kushtet që të futeshin në garë për 8 vende të shpallura nga Kryesia: 5 në Seksionin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, 11 në Seksionin e Shkencave Shoqërore, 17 në Seksionin e Shkencave të Natyrës dhe 5 në Seksionin e Arteve.

Pas votimit nëpër seksione, ashtu siç ishte paraparë, 8 kandidatë kaluan për votim në Kuvendin e Akademisë, i cili, me numrin përkatës të votave vendosi të pranoheshin 3 kandidatë: Besnik Krasniqi, Nysret Krasniqi dhe Shkumbin Munishi, të cilët i kemi këtu dhe të cilëve me këtë rast solemn do t’ua dorëzojmë fletëdëshmitë si anëtarë të rinj të këtij institucioni prestigjioz të shkencës dhe të arteve.

Njëkohësisht, krahas këtij procesi, pra të pranimit të anëtarëve korrespondentë, u zhvillua edhe procesi i avancimit të 16 kandidatëve në anëtarë të rregullt të Akademisë. Nga ky numër, 4 syresh morën titullin akademik: Edi Shukriu, Justina SH. Pula, Kujtim Shala dhe Muhamedin Kullashi.

Po me këtë radhë, përmes këtij procesi u pranuan edhe tre anëtarë të jashtëm të Akademisë: 1. Brian D. Joseph, Irena Sawicka nga fusha e albanologjisë dhe Abdylmenaf Bexheti nga fusha e shkencave shoqërore.

Për të gjithë këta kandidatë, për pranimin e anëtarëve të rinj dhe për avancimin e anëtarëve korrespodentë në anëtarë të rregullt, u shkruan recensione nga anëtarët e Akademisë dhe vlerësimet për arritjet e tyre në fushën e shkencës dhe të artit qëndruan të ekspozuara për një javë në ambientet e Akademisë. U paraqit vetëm një vërejtje dhe disa sugjerime të cilat më pas u shqyrtuan nga Kryesia dhe iu proceduan seksioneve për shqyrtim përpara se të zhvillohej procesi i votimit.

Unë kam konsideruar se pranimi i anëtarëve të rinj, përveç që të zhvillohet i mbështetur në aktet tona normative, do të duhej të shoqërohej edhe me aktivitete të tjera, të cilët këtë vit nuk kishte mundësi të zhvilloheshin për shkak të pandemisë, por mendoj se në të ardhmen do të duhej të shoqëroheshin me një promovim dhe paraqitje publike të kandidatëve përmes ligjëratave, ekspozitave dhe formave të tjera të prezantimit, në mënyrë që edhe pranimi të zhvillohet në suaza të një konkurrence të hapur dhe Akademia këtë proces ta përjetojë si një aktivitet që pasuron përformancën e saj publike”.

Më pas kryetari Kraja i ftoi me radhë anëtarët e rinj korrespondentë dhe ua ndau fletëdëshmitë, ndërsa e ftoi kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushin t’ua ndajë fletëdëshmitë anëtarëve të rinj të rregullt.

Në emër të të gjithë anëtarëve të rinj të zgjedhur, një fjalë rasti e mbajti akademike Justina Sh. Pula, e cila e falenderoi Akademinë për besimin si dhe uroi të gjithë anëtarët e rinj për zgjedhjen e tyre.