Aktuale

aktuale 1
 

Ekspozitë e Rexhep Ferrit në ASHAK

Në ambientet e Akademisë se Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) më 20 tetor 2020 u hap ekspozita e pikturave të akademik Rexhep Ferrit. Ekspozita përfshin krijimet e periudhës më të fundit të autorit, piktura me motive abstrakte, krijime që tashmë kanë krijuar identitetin artistik të Ferrit, qoftë për nga motivet, qoftë për nga koloriti dhe gama e gjerë meditative.

Në praninë e dashamirësve të artit, të anëtarëve të Akademisë dhe ta vizitorëve të tjerë, gjithnjë duke respektuar masat e pandemisë, ekspozitën e shpalli të hapur sekretari i Seksionit të Arteve të ASHAK, anëtari korrespodent Luan Mulliqi, i cili bëri një portret të shkurtër artistik të Rexhep Ferrit, duke theksuar se Ferri mbetet njëri nga zërat më individualë të pikturës kosovare, një autor që tashmë ka krijuar rrugën e tij drejt vlerave të qëndrueshme në artin tonë.

Akademik Rexhep Ferri, duke përshëndetur të pranishmit, tha se ndihet i privilegjuar që i jepet rasti t’u ofrojë dashamirësve të artit një projeksion të shkurtër të punës së tij të viteve të fundit. Ai falënderoi Akademinë për mbështetjen dhe për organizimin e kësaj ekspozite.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 nëntor.