Aktuale

aktuale 1
 

Agim Çavdarbasha – Ekspozitë retrospektive

Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, organizuar nga Seksioni i Arteve, me 25 tetor 2019, në orën 19.00, do të hapet ekspozita retrospektive e skulptorit Agim Çavdarbasha (1944-1999). E kuruar nga Eqrem Basha dhe në bashkëpunim me familjen e artistit të ndjerë, si dhe me Fondacionin “Agim Çavdarbasha”, kjo ekspozitë, që lidhet edhe me 20 vjetorin e vdekjes së artistit, paraqet një diagonale të krijimtarisë së tij, e realizuar në periudha të vështira të ekzistencës sonë dhe në kushte të rënda shëndetësore të autorit, i cili, përkundër sëmundjeve të njëpasnjëshme, arriti të krijojë një opus që me të drejtë konsiderohet sot se është në themelet e artit modern figurativ shqiptar, duke sjellë vepra që shënojnë kohën më dinamike të zhvillimit të skulpturës dhe të arteve figurative në përgjithësi tek ne. Çavdarbasha, përveç se ishte artist i sprovuar në të gjitha materialet e skulpturës, mermer, dru, allçi e bronz, metal e materiale plastike, ishte dhe pedagog dhe themelues i degës së skulpturës në Akademinë e Arteve (Fakulteti i Arteve) të Universitetit të Prishtinës. Nën kujdesin e tij janë formuar një mori skulptorësh, artistë figurativë që po afirmohen jo vetëm në hapësirat tona kulturore, por edhe gjithandej në arenën ndërkombëtare.

Për meritat e tij të jashtëzakonshme në krijimtarinë artistike në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa në vitin 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Në vitin 1995 ai kishte shpallur atelienë e tij në fshatin Çagllavicë të Prishtinës “Galeri të hapur”, ndërsa në vitin 2004 kjo galeri pësoi në flakët e ngjarjeve të marsit dhe bashkë me të u dogjën dhjetëra skulptura e vizatime të rëndësishme të opusit të tij.

Ekspozita do të rrijë e hapur një muaj nga dita e hapjes. Të interesuarit mund ta vizitojnë çdo ditë pune brenda orarit zyrtar (08 – 16.00).