Aktuale

aktuale 1
 

Njoftim për opinion për vizitën e delegacionit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të kryesuar nga rektori i këtij universiteti z. Marjan Dema në ASHAK

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, z. Marjan Dema me bashkëpunëtorë, sot i bënë një vizitë Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ata u pritën nga Kryesia e ASHAK-ut, e udhëhequr nga akademik Nexhat Daci, kryetar i ASHAK-ut. Me atë rast mysafirët e uruan kryetarin e Akademisë, akademik Nexhat Dacin për zgjedhjen e tij si kryetar i Akademisë si dhe ofruan bashkëpunim substancial dhe kërkuan përkrahje në procesin aktual të reformave në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” që përfshijnë krijimin e standardeve për ndryshime. 
Udhëheqësit e Akademisë falënderuan mysafirët për vizitën dhe njëherit ofruan bashkëpunim të plotë duke potencuar përvojën pozitive në rrafshin ndërkombëtar kur bashkëpunimi në mes të ASHAK-ut, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe institucioneve tjera nga e gjithë hapësira shqiptare ka qenë i suksesshëm. Ky bashkëpunim do të zhvillohet përmes hapjes së Akademisë ndaj institucioneve arsimore, akademike dhe atyre shkencore-kërkimore në vend, në rajon dhe më gjerë. Të dy palët u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë në të ardhmen.

Prishtinë
11.01.2018