Aktuale

aktuale 1
 

Tryezë shkencore: Materialet kompozite

Informatë

Seksioni i Shkencave të Natyrës të ASHAK-ut organizon tryezën shkencore ”Materialet kompozite” më 6 prill 2018, në mjediset e ASHAK-ut.

Tryeza shkencore ”Materialet kompozite” synon të vë në pah rëndësinë shumë të madhe të përdorimit të materialeve kompozite në jetën e përditshme si dhe të nxisë bashkëpunimin ndërdisciplinar në mes të hulumtuesve shkencorë të lëmenjve të ndryshëm në nivel vendi dhe më gjërë. Materialet kompozite, si materiale të formuara me bashkimin e dy e më tepër materialeve të ndryshme, kanë veti mekanike dhe fiziko-kimike më të mira se secili veç e veç si p.sh.: fortësi më të madhe, peshë specifike më të vogël, përçueshmëri elektrike dhe termike më të mirë, rezistencë më të madhe ndaj faktorëve të jashtëm në mjedis etj. Prandaj, në emër të Këshillit organizues ftojmë të gjithë ekspertët e lëmenjve të ndryshëm që merren me materialet kompozite, në Kosovë dhe jashtë saj, të marrin pjesë me kumtesa në këtë tryezë.

Në këtë tryezë shkencore do të diskutohet, ndër të tjera, për:
Llojet e ndryshme të materialeve kompozite, struktura dhe vetitë e tyre.
Përftimi i materialeve kompozite.
Zbatimi i tyre në degë të ndryshme të teknologjisë dhe industrisë. 
Ndikimi i materialeve kompozite në mjedis, ricklimi i tyre etj.

Dorëzimi i abstrakteve
Prezentimet në tryezë mund të bëhen në gjuhën shqipe dhe në atë angleze. Dorëzimi i abstrakteve për tryezën shkencore bëhet në adresën elektronike: xhemshitbrajshori@ashak.org. Data përfundimtare e dorëzimit të abstrakteve është 28 shkurt 2018. Abstraktet mund të shkruhen në gjuhën shqipe ose angleze. Modeli i një abstrakti është dhënë i bashkangjitur. Përzgjedhja e prezentimeve për tryezë do të bëhet në bazë të kualitetit dhe relevancës në lidhje me materialet kompozite.

Këshilli organizues:
Prof. Fetah PODVORICA, anëtar korrespondent, kryetar
Prof. Myzafere LIMANI, anëtare korrespondente, anëtare
Prof. Ardian MORINA, Universiteti i Leeds-it në Angli
Prof. Hysni OSMANI, Universiteti i Prishtinës

Në emër të Këshillit organizues
Prof. Fetah Podvorica