Aktuale

aktuale 1
 

ASHAK përkujton Robert Elsie

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS PËRKUJTON ROBERT ELSIE

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Robert Elsie-t, njërit nga albanologët më të shquar të kohës sonë, studiues i gjuhës, i letërsisë, i historisë dhe të traditës shqiptare, përkthyes, hulumtues arkivash dhe dokumentesh të hershme, nga ato gjuhësore, historike, deri te zhvillimet më të reja të artit dhe të letërsisë sonë. 
I lindur në Vankuver të Kanadasë në vitin 1950 ai do të njihet shumë herët me shqipen dhe me kulturën shqiptare dhe do t’ia përkushtojë gjithë jetën thesareve të saj. I konsideruar si një nga penat më aktive të përhapjes së kulturës dhe të trashëgimisë sonë në botë, veprimtaria e tij, e gjerë dhe e gjithanshme, është shtrirë në disa gjuhë botërore të cilat i zotëronte ai si një poliglot i vërtetë.  
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtar i jashtëm i së cilës ishte ai që nga viti 2000, duke konsideruar humbjen e tij të pazëvendësueshme, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta anëtarëve të familjes Elsie, miqve dhe dashamirëve të tij të shumtë në të gjitha trojet shqiptare.

Me rastin e ndarjes nga jeta të albanologut Robert Elsie, ASHAK do të mbajë një mbledhje përkujtimore në mjediset e Akademisë, më 4 tetor 2017, në orën 10.