Aktuale

aktuale 1
 

Deklaratë me rastin e vdekjes së akademik Pajazit Nushit

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton opinionin se sot, në orët e pasdites, në shtëpinë e tij, u nda nga jeta një nga figurat më të spikatura në fushën e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare, doktori i parë i shkencave psikologjike në Kosovë, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe nënkryetari i saj, akademik Pajazit Nushi. Është kjo një humbje e madhe për familjen, Akademinë dhe shkencën, për kulturën shqiptare, për kolegët dhe miqtë nga Kosova dhe bota shqiptare.
Akademik Pajazit Nushi lindi në Gjakovë në vitin 1933, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. U diplomua në Degën e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit në vitin 1955, ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës nga fusha e shkencave psikologjike. Punoi profesor i psikologjisë në Shkollën Normale të Prishtinës, në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës dhe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Krahas mësimdhënies ushtroi dhe funksione administrative-profesionale: drejtor i Entit Krahinor për Përparimin e Arsimit dhe të Edukimit, ndihmës i kryetarit të Këshillit Federativ për Arsim e Kulturë të ish-Jugosllavisë; nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, redaktor i Enciklopedisë së Jugosllavisë (redaksia për Kosovën), kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut etj. Ishte dhe rektor i Kolegjit Universitar “Iliria”. Në vitin 2000 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 anëtar i rregullt; në dy mandate ishte sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe nënkryetar i Akademisë, në të cilën detyrë e gjeti dhe vdekja. E drejtoi revistën “Studime Shoqërore” të ASHAK-ut. Botoi shumë vepra, studime dhe trajtesa nga disa fusha të shkencave psikologjike. Sapo e botoi në Akademi veprën kapitale “Leksikoni i psikologjisë” në dy vëllime. Në shkencat psikologjike u bë emër i njohur dhe përtej Kosovës. Për punën e tij shkencore dhe angazhimin shoqëror dhe kombëtar mori shumë mirënjohje dhe dekorata.
Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nushi, kolegëve, miqve dhe dashamirëve të tij gjithandej Kosovës dhe mbarë botës shqiptare.
Mbledhja komemorative do të mbahet të enjten, më 03.09.2015, në orën 10:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa homazhet nga ora 10:30 deri ora 12:00, po ashtu në mjediset e Akademisë.
Akademia përkujtimore dhe homazhet do të bëhen në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë nga ora 14:00.
Varrimi do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës më 03.09.2015, në orën 17:00.