Aktuale

aktuale 1
 

Tryezë shkencore "STUDIMET ALBANISTIKE NË AMERIKË"

Ftesë për paraqitje

“STUDIMET ALBANISTIKE NË AMERIKË” 

Në vazhdën e tubimeve shkencore tashmë të rregullta, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në shtator 2015 organizon tryezën shkencore me temën: “Studimet albanistike në Amerikë”.
Studimet për gjuhën, për letërsinë, po edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, në botë tashmë kanë një historik të gjatë. Për rrjedhat e këtyre studimeve, sidomos në hapësirat europiane, janë bërë hulumtime të pjesshme, të veçanta, apo edhe sprova për vepra sintezë. Zhvillimet më intensive në gjysmë shekullin e fundit e kanë shtruar dhe nevojën e vështrimit më të plotë të këtyre studimeve.
Studimet albanistike në Amerikë kanë nisur në sh. 20 dhe jo rastësisht këto fillime ndërlidhen dhe me praninë e mërgatës shqiptare atje. Ndërkaq, kjo prani është ndjerë më shumë pikërisht në kohën e zhvillimeve të bujshme në shkencat linguistike në SHBA.
Pas Luftës II Botërore ka pasur një interesim më të shtuar në opinionin shkencor amerikan për gjuhën shqipe, ndërsa me kohë është rritur dhe interesi për aspekte të tjera të studimeve shqiptare. Zhvillimet e dy dekadave të fundit në Ballkan dhe në botën shqiptare, raportet e reja të botës shqiptare me ShBA-në dhe me botën tjetër të Amerikës Veriore kanë ndikuar që këto interesime të shtohen.
Cilat janë rezultatet e studimeve albanistike në Amerikë (ShBA, Kanada dhe vendet e tjera)?
Cili është kuadri institucional i këtyre studimeve?
A mjaftojnë kornizat e studimeve të Europës Juglindore (ku më së shpeshti vendoset interesimi për shqipen e shqiptarët), të studimeve europiane, apo të disiplinave të përgjithshme si linguistika, etj.?
Cilat janë fushat e studimeve albanistike që më së shumti u kanë interesuar studiuesve në Amerikë?
Cili është roli i studiuesve shqiptarë në nxitjen e këtyre studimeve në Amerikë?
Cilat janë kushtëzimet e gjendjes aktuale në këto studime?
Cilat janë perspektivat e këtyre studimeve në Amerikë?
Çështje si këto dhe shumë të tjera në kuadër të tematikës së përgjithshme “Studimet albanistike në Amerikë” pritet të shtrohen e të diskutohen në tryezën shkencore të organizuar nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 25-26 shtator 2015.
Për përgatitjen e tryezës është ngritur Këshilli organizues në këtë përbërje: Rexhep Ismajli, Victor Friedman dhe Eqrem Basha. Këshilli do t’u drejtohet studiuesve dhe institucioneve që mund të kenë interes për këto studime dhe pas shprehjes së interesit do t’i bëjë të njohura konturat e mëtejme të organizimit. Kontaktet me të interesuarit do të mbahen përmes Hilmi Zogjanit (adresa: hilmizogjani@ashak.org).
Ftoheni të shfaqni interesin për të marrë pjesë në këtë veprimtari shkencore dhe njëherësh të dërgoni një përmbledhje të shkurtë (abstrakt) për temën që propozoni të diskutoni. Afati për paraqitje është 20 qershori 2015. Për programin e punës të tryezës do të njoftoheni me kohë.
Në emër të Këshillit organizues të tryezës shkencore “Studimet albanistike në Amerikë”,
Akademik Rexhep Ismajli                                                  
Prishtinë, 4 mars 2015