Aktuale

aktuale 1
 

U konstituua redaksia për botimin e veprës së Ali Podrimjes

 

Kryesia e ASHAK ka themeluar redaksinë që do të përgatitë për botim, në disa vëllime, veprën e plotë të poetit të ndjerë, akademik Ali Podrimja, të përbërë nga Ali Aliu, Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Sabri Hamiti dhe Mehmet Kraja. Kjo redaksi, e cila në takimin e parë zgjodhi kryesues të saj akademik Ali Aliun, do të merret fillimisht me mbledhjen, sistemimin, arkivimin e gjithë krijimtarisë së poetit të ndjerë, si dhe me konceptimin, formësimin dhe botimin e kompletit, që pritet të përgatitet për shtyp në pjesën e parë të vitit 2013.

Vendimi për botimin e veprës së plotë të poetit të ndjerë Ali Podrimja, anëtarit të rregullt të ASHAK, ishte marrë që në javët e para pas vdekjes së tij dhe ishte premtuar nga kryetari i ASHAK, akademik Hivzi Islami, që në mbledhjen komemorative, pas marrjes së lajmit të hidhur. 

ASHAK ka ndërmarrë dhe nisiativa të tjera për nderimin dhe valorizimin e emrit dhe veprës të poetit të madh. Kryesia i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve për t’ia vënë emrin e Podrimjes një institucioni apo një veprimtarie të rëndësishme kulturore në Kosovë. 

Njëkohësisht ASHAK i është drejtuar edhe Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit ku do të vendosej busti i akademik Ali Podrimjes.