Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, delegacioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), i udhëhequr nga Kryetari, Akademik Skënder Gjinushi, vizitoi Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës “Dr. Ibrahim Rugova”, si dhe Rezidencën e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova.
Në të dyja vizitat, delegacioni i ASHSH-së shoqërohej nga Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Akademike Justina Shiroka-Pula.
Gjatë këtyre vizitave, delegacioni u njoh me hapësirat memoriale dhe dokumentare që pasqyrojnë jetën, veprimtarinë politike, intelektuale dhe shtetformuese të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. U theksua rëndësia historike e këtyre institucioneve në ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe në dokumentimin e proceseve që lidhen me lëvizjen paqësore për liri, pavarësi dhe shtetndërtim të Kosovës.
Vizitat u zhvilluan në frymë respekti dhe vlerësimi institucional, duke nënvizuar rolin e figurës së Presidentit Rugova në historinë moderne të Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së tij politike, kulturore dhe kombëtare.










