Vizitë në institucionet qeveritare

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, delegacioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), i udhëhequr nga Kryetari, Akademik Skënder Gjinushi, zhvilloi vizita institucionale te Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Hajrulla Çeku, si dhe te Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, znj. Saranda Bogujevci.

Gjatë këtyre vizitave, delegacioni i ASHSH-së shoqërohej nga Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK)Akademike Justina Shiroka-Pula, Nënkryetari i ASHAK-ut, Akademik Fejzullah Krasniqi, dhe Sekretari shkencor, Akademik Bardh Rugova.

Takimet u zhvilluan në frymë të bashkëpunimit institucional dhe akademik, me fokus në rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet institucioneve shkencore, arsimore dhe kulturore në hapësirën shqiptare. Në bisedime u theksua roli i akademive në zhvillimin e dijes, kërkimit shkencor, arsimit të lartë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.

Vizitat shërbyen si mundësi për shkëmbim mendimesh mbi bashkëpunimet e ardhshme ndërinstitucionale, veçanërisht në fushën e shkencës, arsimit, kulturës, botimeve akademike dhe promovimit të vlerave kombëtare. Ato u vlerësuan si hap i rëndësishëm në forcimin e komunikimit ndërmjet institucioneve akademike dhe atyre qeveritare në Kosovë dhe Shqipëri.