Vizitë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, delegacioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) vizitoi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ku u prit nga drejtoresha e saj, Blerina Rogova Gaxha.

Delegacioni i ASHSH-së udhëhiqej nga Kryetari, Akademik Skënder Gjinushi. Gjatë vizitës, delegacionin e shoqëronin Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK)Akademike Justina Shiroka-Pula, dhe Sekretari shkencor i ASHAK-ut, Akademik Bardh Rugova.

Gjatë takimit, drejtoresha Blerina Rogova Gaxha i njoftoi mysafirët me veprimtarinë, fondin bibliotekar dhe rolin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në ruajtjen e trashëgimisë dokumentare, kulturore dhe shkencore të vendit.

Vizita u zhvillua në frymë miqësore dhe akademike, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të dijes, kulturës dhe shkencës në Kosovë dhe Shqipëri.