Vizitë e ambasadores së Kroacisë në Kosovë

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka-Pula priti në vizitë zyrtare Ambasadoren në detyrë të Republikës së Kroacisë në Kosovë, Znj. Danijela Barišić dhe Dr. Nedjeljko Špilek, Minister- Këshilltar.

Në kuadër të vizitës së tyre të parë në ASHAK u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkencor dhe akademik ndërmjet dy institucioneve, me fokus në vendosjen e kontakteve me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë, në Zagreb.

Në takim u theksua gatishmëria e Akademisë së Kosovës për të propozuar dhe realizuar projekte të përbashkëta kërkimore në fusha të ndryshme shkencore, shkëmbim të studiuesve, organizim të aktiviteteve shkencore, si dhe prezantimin e fushave kërkimore dhe të potencialeve shkencore që ofron Kosova.

Takimi u vlerësua si hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe shkëmbimit të njohurive ndërmjet institucioneve përkatëse.