Vizitë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Më 27 janar 2021, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, i shoqëruar nga anëtarët e Kryesisë së Akademisë, akademik Jusuf Bajraktari, nënkryetar, anëtare korrespondente Myzafere Limani, sekretare shkencore, akademik Eqrem Basha, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, akademike Justina SH.Pula, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, anëtar korrespondent Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës dhe anëtar korrespondent Luan Mulliqi, sekretar i Seksionit të Arteve, priti në takim delegacionin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi, kryetar, akademik Shaban Sinani dhe profesor Irakli Koçollari.

Takimi u zhvillua në atmosferë miqësore. Delegacionet e dy akademive tona diskutuan për realizimin e projekteve të përbashkëta të parapara në Protokollin e bashkëpunimit ASHAK-ASHSH, me theks të veçantë për fillimin e punës për hartimin e Encikolpedisë shqiptare, Fjalorit të madh të gjuhës shqipe dhe Kuvendin e studimeve albanologjike.

U tha se takimet do të vazhdojnë, ashtu që të hartohen dokumentet përkatëse për fillimin e punës në projektet e lartëpërmendura.