Vizitë e delegacionit të ASHAK-ut dhe ASHSH-së në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Në kuadër të vizitës zyrtare në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), delegacioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), i kryesuar nga Kryetari, Akademik Skënder Gjinushi, zhvilloi një vizitë institucionale dhe përkujtimore në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz – një nga vendet më simbolike të historisë së re të Kosovës.

Delegacioni përbëhej nga Akademik Vasil Tole, Zëvendëskryetar i ASHSH-së, Akademike Anila Hoda, Sekretare Shkencore, si dhe Akademik Anastas Angjeli. Ata u pritën dhe u shoqëruan nga Kryetarja e ASHAK-ut, Akademike Justina Shiroka-Pula, Nënkryetari Akademik Fejzullah Krasniqi, Sekretari Shkencor Akademik Bardh Rugova dhe Sekretari i Seksionit të Shkencave Shoqërore, Akademik Frashër Demaj.

Gjatë vizitës, bëri homazhe pranë varreve të familjes Jashari, duke shprehur nderim dhe mirënjohje për sakrificën sublime të Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, të cilët u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kompleksi Memorial, i ngritur në vendin ku ndodhi rezistenca heroike e marsit 1998, përfaqëson një simbol të qëndresës, unitetit dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Sqarime dhe informacione të detajuara mbi historikun e ngjarjeve, arkitekturën e kompleksit dhe rëndësinë e tij në kujtesën kolektive u dhanë nga ciceroni përgjegjës. Delegacioni u njoh nga afër me ekspozitat dokumentare, materialet arkivore dhe dëshmitë historike që pasqyrojnë një nga periudhat më të dhimbshme, por edhe më krenare të historisë moderne shqiptare.

Në fjalët e rastit, përfaqësuesit e dy akademive theksuan rëndësinë e ruajtjes dhe studimit të kujtesës historike si pjesë e përgjegjësisë institucionale dhe kombëtare të akademive. Ata vlerësuan se bashkëpunimi ndërakademik ndërmjet ASHSH-së dhe ASHAK-ut është thelbësor për thellimin e kërkimeve shkencore, për forcimin e identitetit kulturor dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta historike e kombëtare.

Kjo vizitë u konsiderua si një moment reflektimi dhe përkushtimi ndaj trashëgimisë historike, si dhe si një dëshmi e lidhjeve të forta akademike dhe shpirtërore ndërmjet institucioneve më të larta shkencore të Shqipërisë dhe Kosovës.