Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të mërkurën, me 15 shtator 2021, në orën 11, u paraqit libri më i ri i akademik Rexhep Ismajlit “Për historinë e gjuhës shqipe”, që doli nga shtypi në qershor të këtij viti, në kuadër të botimeve të Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHAK-ut. Promovimi u zhvillua konform masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid 19 dhe, përveç numrit të kufizuar të pjesëmarrësve në sallë, u ndoq drejtpërdrejtë në kanalin zyrtar të Akademisë në Youtube (URL: https://youtu.be/iUafkzJfx0Y).
Në fjalën e hapjes, akademik Eqrem Basha, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, midis tjerash theksoi se “Akademik Rexhep Ismajli, studiues e pedagog, me një përvojë pothuaj 50 vjeçare, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që nga viti 1993, një kohë sekretar shkencor e për dy mandate kryetar i institucionit më të lartë shkencor në Kosovë, me autoritetin e studiuesit elitar të gjuhës shqipe, të historisë së saj, gjuhësisë së përgjithshme, sociolinguistikës, politikave të planifikimit, normës e standardit, por jo dhe me më pak interesime për për historinë, arkeologjinë, letërsinë dhe kulturën në përgjithësi, zë një nga vendet qendrore në fushën e botimeve shkencore te ne, jo vetëm me monografitë, studimet, veprat autoriale që konsiderohen kontribute kulmore albanologjike dhe albanistike në botën shqiptare dhe më gjerë, por edhe me përgatitjen, mbledhjen, sistemimin, përkthimin, botimin e dhjetëra veprave të albanologëve botërorë, veprave të plota të emrave të shquar të studiuesve e albanologëve tanë e të huaj, organizues e pastaj hartues i vëllimeve të rëndësishme të bazuar në konferencat e mëdha shkencore albanologjike, si ato të studimeve albanologjike në Amerikë, në vendet ku flitet gjermanisht, në Itali dhe kjo që po përgatitet sivjet, për studimet albanologjike në Francë, që gjithsesi do të shoqërohet edhe me botimin e kontributeve të saj në një vëllim më vete. Opusi shkencor i akademik Ismajlit, në veçanti ai i krijuar dhe i realizuar brenda Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është i gjerë dhe i denjë për hulumtime të thella e të veçanta. Ne sot jemi mbledhur këtu t’ju paraqesim veprën më të re të tij, , “Për historinë e gjuhës shqipe”, për të cilën kemi ftuar të flasin anëtarët korrespondentë të ASHAK-ut, Bardh Rugova dhe Shkumbin Munishi, ish studentë dhe tash kolegë në fushën e gjuhësisë, njëkohësisht dhe recensentë të veprës në fjalë.”
Në vazhdim, anëtarët korrespondentë, Bardh Rugova e Shkumbin Munishi, që janë dhe recenzentë të librit, paraqitën vlerësimet e tyre rreth botimit. Kontributin e tyre po e paraqesim në tërësi më poshtë.
Në fund një fjalë falënderimi mbajti dhe vetë autori i librit, akademik Rexhep Ismajli.
Fjala e anëtarit korrespondent Bardh Rugova
“Për historinë e gjuhës shqipe” i Rexhep Ismajlit
Libri i radhës i Rexhep Ismajlit, “Për historinë e gjuhës shqipe”, është, në fakt, vazhdim i studimeve diakronike të shqipes të shtruara në librin e tij të vitit 2015, “Studime për historinë e shqipes në kontekst ballkanik”. Te ai libër i atëhershëm, Rexhep Ismajli trajton probleme të prejardhjes së shqipes: të prejardhjes së saj brenda familjes indo-evropiane, të lidhjes së shqipes me gjuhët e lashta indo-evropiane, të lidhjes së saj me gjuhët e Ballkanit dhe të kontakteve të saj me sllavishten e vjetër e të re, duke i shtrirë fushat kërkimore në historinë e gjuhës, filologji, gjuhësi krahasimtare dhe gjuhësi ballkanike.
Tani, “Për historinë e gjuhës shqipe” (Botim i ASHAK-ut, 2021), është sërish një kredhje në diakroni, duke i pasur në fokus tri momente të rëndësishme. Si pikë e parë, shtruar nga autori është diskutimi i ndarjes dialektore të shqipes, duke e rrahur në rrafshin e gjuhësisë ballkanike, në ndjekje të ndryshoreve dialektore si pasqyrime të konteksteve historike përgjithësisht. Si pikë e dytë, janë studimet albanistike përgjithësisht, me ç’rast autori ofron një lexim të thelluar dhe gjithëpërfshirës kritik të studimeve albanistike në gjuhë të ndryshme: në anglishten, në gjermanishten dhe në italishten, duke përfshirë edhe diskutimet e dy autorëve klasikë të studimeve mbi shqipen: Selman Riza dhe Wilfried Fiedler. Si pikë e tretë janë tekstet e vjetra, me ç’rast kemi një diskutim shterrues mbi Buzukun dhe një diskutim lidhur me zanoret hundore te Pjetër Bogdani.
Pra, para nesh kemi një monografi të përbërë nga tre mbikapituj të historisë së shqipes.
Studimet diakronike hetojnë elemente të trashëguara në një gjuhë nga paragjuha e saj dhe kërkimin e formave të vjetra mbështetur në reflekset e krijuara ndërkohë; pra, ndryshimet e krijuara në bazë të kontakteve gjuhësore brenda historisë; dhe ndryshimet gjuhësore të krijuara si rezultat i proceseve të brendshme të asaj gjuhe. Prandaj, problemet e diakronisë së shqipes, sidomos ato të rindërtimit, të prejardhjes së shqipes në mungesë të dokumenteve të hershme të shkruara, të faktimit të vështirë të kontakteve në kohë të hershme, janë fort të ndërlikuara për t’u zgjidhur në fushën e gjuhësisë.
Derisa në librin e mëhershëm, “Studime për historinë shqipen në kontekst ballkanik” (2015) – i cili mes tjerash ka qenë një ndër shtytjet për pranimin e tij në Akademinë e Shkencave Amerikane si i vetmi linguist nga Evropa Lindore – Rexhep Ismajli diskuton çështjen e historisë së gjuhës shqipe, duke vënë fokusin kryesisht te prejardhja e saj, shpesh parë në raport me gjuhët e Ballkanit si gjuhë, me të cilat shqipja ka pasur kontakt të vazhdueshëm dhe të afërt, në librin e tashëm diskutimet shkojnë përtej prejardhjes së shqipes dhe diskutohen më shumë zhvillimet dhe dinamikat e zhvillimeve të saj në diakroni – ndonëse ka një syth që diskuton përmbledhtazi edhe çështjen e prejardhjes.
Rexhep Ismajli (1947) është autor i shumë monografive dhe i artikujve shkencorë që përfshijnë kontribute të rëndësishme në një shtrirje të gjerë fushash linguistike: filologji shqiptare, gjuhësi krahasimtare, histori e shqipes, gjuhësi ballkanike, gjuhësi teorike dhe planifikim i gjuhës. Që nga vitet shtatëdhjetë ka botuar studime që trajtojnë probleme të diakronisë së shqipes, të teksteve të autorëve të vjetër shqiptarë, të lidhjes së shqipes, sidomos, me rumanishten dhe me sllavishten. Libri “Për historinë e gjuhës shqipe” është përmbledhje e njohurive dhe e rezultateve studimore të tij që nga vitet shtatëdhjetë.
Pas librit të tij të fundit për probleme të diakronisë së shqipes, “Studime për historinë e shqipes në kontekst ballkanik” ka botuar edhe librin “Bashkësi gjuhësore, njësi, varietet” që trajton probleme të një tërësie konceptesh që kanë të bëjnë me gjuhën standarde dhe realitetin gjuhësor, konkretisht të funksionimit të gjuhëve në shoqëri, me theks të veçantë shqipen.
“Për historinë e gjuhës shqipe” është rikthim i tij në fushën e studimeve të historisë së shqipes.
Pikëvështrimi i parë i këtij libri, çështja e dialekteve të shqipes mund të lexohet në dy rrafshe (sikur edhe pjesa më e madhe e librit në tërësi): në njërën anë është një lexim i plotë dhe i detajuar kritik i autorëve paraprakë që kanë trajtuar çështjen e ndarjes dialektore të shqipes dhe, në anën tjetër, është një analizë e të dhënave, mbi të cilat autori ofron interpretimet e veta, duke sjellë risi interpretative. Kapitulli nis me diskutime të autorëve të hershëm si Hahni, për të vazhduar me autorë të tjerë si Katiçiq, Naroznjak, Polak, Gjinari, Beci, Selishçev, Popoviq, Desnickaja, Shaban Demiraj e Camaj. Megjithatë, pasi të jenë shterruar diskutimet mbi botëndijimet e të tjerëve, autori ofron interpretimin e tij mbi ndarjen dialektore të shqipes, parë në aspektin ballkanik. Sipas tij, ndarja e dialekteve të shqipes “erdhi shkallëshkallshëm… nëpër procese komplekse që duhej të kalonte bashkësia e folësve në kontakt me gjuhët fqinje dhe në rrethana të ndryshme kulturore-politike. Izoglosa të rëndësishme që dallojnë toskërishten nga gegërishtja nuk janë më të hershme se shekujt VII-VIII: rotacizmi kishte përfunduar në sh. VIII, ndërsa zëvendësimi i paskajores me lidhore pak më vonë në sh. XII – XIII”. Duke e parë në këtë mënyrë, autori vëren se meqë nuk ka indikacione të tjera për lëvizjen e shqipes, konteksti ballkanik do të shihet si kuadër i përgjithshëm.
Në pjesën e diskutimeve mbi dialektet e shqipes, Ismajli diskuton edhe sythin “Shqipja dhe rumanishtja në vështrimin e Istvan Schutzit” dhe sythin “Studiuesit italianë për prejardhjen e gjuhës shqipe”.
Pikëvështrimi i dytë i këtij libri, çështja e studimeve albanistike jashtë viseve shqiptare, ofron nga një tabllo informative të përmbledhur të studimeve albanistike në Amerikë, në Itali dhe në vendet ku flitet gjermanishtja.
Pikëvështrimi i tretë i këtij libri, tekstet e vjetra të shqipes, përfshin tri studime lidhur me “Mesharin” e Gjon Buzukut dhe një për Pjetër Bogdanin. Studimi për Buzukun mund të konsiderohet më i përmbledhuri dhe më gjithëpërfshirësi deri tash për veprën e parë të botuar në gjuhën shqipe, duke trajtuar çështje të historisë së librit, të ndikimeve, të grafisë, por edhe diskutime të ndryshme për hipotezat për botime parabuzukiane, edhe duke analizuar studimet e mëhershme. Pjesa e teksteve të vjetra, mbyllet me studimin për sistemin e zanoreve hundore te Pjetër Bogdani.
Tri pikëvështrimet e ndryshme tok e kanë përbërë një përmbledhje në nivel monografie mbi historinë e shqipes, jo më gjithaq në rrafshin e prejardhjes së saj si në librin e vitit 2016, por më shumë në rrafshin e hetimit të ndryshimeve dhe të dinamikave të saj në diakroni, kryesisht në kuadër të kontakteve ballkanike, por edhe të ndryshimeve të brendshme gjuhësore. Disa nga objektet studimore të autorit janë shtruar prej tij edhe më parë në konferenca dhe revista shkencore, në kohë të ndryshme. Mirëpo, siç shprehet vetë autori në parathënie, përbëjnë vazhdimësi sa u përket mënyrës së kundrimit dhe interesimeve të autorit.
Libri “Për historinë e gjuhës shqipe” është një dritare me shumë informacion për gjendjen e hershme të shqipes dhe ndryshimet e saj në kohë të ndryshme, por, më shumë se kaq, është një vepër që ofron interpretimet më të qarta dhe më të sistemuara lidhur me dialektet e shqipes dhe historinë e tyre, por edhe për tekstet e vjetra të shqipes.
Libri përfshin një bibliografi të pasur dhe përfshin leximet kritike të një vargu autorësh që janë marrë me diakroninë e shqipes. Është shkruar me gjykime të ftohta dhe me gjuhë të rreptë shkencore. Konsiderojmë se nuk ekziston deri më sot asnjë studim më i plotë rreth dialekteve të shqipes, teksteve të vjetra sikur edhe asnjë analizë më përmbledhëse e studimeve albanistike në botë. Kjo e bën këtë libër referencë të pakapërcyeshme në studimet albanistike në rrafshin e diakronisë.
Na mbetet ta falënderojmë autorin për kontributin e tij të vazhdueshëm dhe rezultatet e jashtëzakonshme në studimet albanistike.
Fjala e anëtarit korrespondent Shkumbin Munishi
Rexhep Ismajli, Për historinë e gjuhës shqipe. ASHAK. Prishtinë 2021.
Në vazhdën e studimeve në fushën e historisë së gjuhës shqipe, Akademik Rexhep Ismajli vjen edhe me një tjetër publikim tejet të rëndësishëm për studimet linguistike shqiptare. Është pikërisht vepra “Për historinë e gjuhës shqipe” të cilën po e promovojmë sot. Pas librit të botuar vetëm pak vite më parë me titull “Studime për historinë e shqipes në kontekstin ballkanik” në të cilin trajtoheshin çështje të ndryshme të historisë së gjuhës dhe të prejardhjes së shqipes, si dhe të lidhjeve të saja me gjuhët ballkanike, libri për të cilin po flasim sot, vjen si vijimësi e studimeve gjithëpërfshirëse të Ismajlit në fushën e historisë së gjuhës shqipe.
Në të vërtetë, ky libër i Ismajlit është i ndërtuar mbi dy aspekte tematike qendrore. Në pjesën e parë, autori sjell një shqyrtim mjaft të gjerë dhe të thelluar të çështjeve që lidhen me ndarjen dialektore të gjuhës shqipe në dy dialekte kryesore dhe të dimensioneve e periodizimeve historike të kësaj ndarjeje, duke e kundruar këtë proces në kuadër të kontekstit ballkanik, të lidhjeve historike e kulturore të shqipes me gjuhët e Ballkanit, por edhe të ndikimeve eventuale të këtyre gjuhëve në proceset brendshme gjuhësore që kanë ndodhur brenda shqipes. Në këtë vepër, shqyrtimi i problemeve të ndarjes dialektore të shqipes nuk është kundruar vetëm thjesht si zhvillim i proceseve historike gjuhësore në kuadër të sistemeve të shqipes, por merr në konsiderate edhe dimensionet e shumta sociolinguistike që lidhen me kontekstet e ndryshme historike e kulturore nëpër të cilat ka kaluar shqipja në periudha të ndryshme që nga periudha antike. Së këndejmi, zhvillimi i proceseve gjuhësore brenda shqipes që kanë ndikuar në ndarjen dialektore është parë në lidhje të ngushtë me kontekstet sociolinguistike që i kanë shoqëruar këto procese. Kjo qasje e Ismajlit vërehet sheshazi kur autori trajton dukuritë kryesore të ndarjes dialektore të shqipes në dimensionin e tyre historik dhe i lidh ato me problemet ekonomike, politike dhe kulturore të kontekstit kohor në të cilin kanë mundur të ndodhin ato dukuri, duke marrë po ashtu në konsideratë të plotë edhe zhvillimet e mundshme në rrafshin e kontakteve gjuhësore që janë zhvilluar në Ballkan dhe ndikimin e tyre në sistemet gjuhësore përkatëse. Prandaj, studimi i kësaj problematike gjuhësore, të cilën e ka vënë shqyrtim autori, për aq sa i takon fushës së studimeve të historisë së gjuhës, po aq mund të cilësohet si studim që bie në fushën e sociolinguistikës historike.
Siç vë në pah Ismajli, ndarja dialektore e shqipe në shumë rrafshe është e lidhur me çështjen e prejardhjes së saj, por edhe të lidhjeve e ndërndikimeve të shqipes me gjuhët e ndryshme që janë përdorur në Ballkan në periudha të ndryshme historike. Në radhë të parë, këtu duhet pasur parasysh lidhjet e mundshme të shqipes me ilirishten apo edhe trakishten, por dhe raportet me greqishten e vjetër, latinishten, gjuhët sllave, rumanishten e kështu me radhë. Sigurisht, këto tematika dhe lidhshmëria e tyre tashmë kanë një histori të shqyrtimeve shkencore nga autorë të shumtë të huaj e shqiptarë tash e gati tre shekuj. Duke pasur në konsideratë këtë aspekt dhe për ta bërë sa më të plotë shqyrtimin shkencor të çështjes së ndarjes dialektore të shqipes, Ismajli sjell një trajtim të thelluar shkencore për pothuaj të gjitha pikëpamjet e autorëve më kryesorë, të cilët kanë diskutuar lidhur me prejardhjen e shqipes dhe çështjet që lidhen me ndarjen dialektore, por edhe ndikimin eventual të gjuhëve ballkanike jo vetëm sa i përket zhvillimit të dukurive dialektore në shqipe, por edhe të aspekteve që mund të hedhin dritë në prejardhjen e saj. I tërë ky shtjellim i përimtuar shkencore fillon me paraqitjen e plotë të pikëpamjeve të Hahnit, Selishçevit, Vaclav Polakut, Vladimirk Petroviç Njeroznakut, Meyerit, Joklit, të autorëve rumunë si Hasdeu, Philipide, Brankush, Russu e kështu me radhë, si dhe të pikëpamjeve të autorëve shqiptarë, duke filluar me Çabejnë dhe duke vazhduar me Gjinarin, Becin e kështu me radhë. Në këtë mënyrë, Ismajli jo vetëm që ndërton një kuadër shumëdimensional shkencore brenda të cilit trajton çështjet në shqyrtim, por njëkohësisht nuk i mbetet aspak borxh akribisë shkencore, e cila e pranishme në tërë shqyrtimin shkencore të secilit problem veç e veç që ai ka marrë në shqyrtim dhe që lidhet me ndarjen dialektore të shqipes.
Është me rëndësi të theksohet se shfaqja e çdo dallimi dialektor midis dialekteve të shqipes lidhet me etapa të caktuara historike dhe çdo tipar i tillë lidhet jo vetëm me zhvillimet sistemore dhe me ecurinë e variacionit të shqipes, por edhe me implikimet eventuale të ndikimeve në shqipe nga gjuhët në kontakt. Tiparet dalluese të dialekteve të shqipes jo vetëm që nuk janë të njëkohëshme, por ato janë të ndryshme edhe sa i përket hapësirave gjeografike në të cilat janë shfaqur. Pikërisht, duke parë këto zhvillime, Ismajli nuk mjaftohet që tiparet e dallimeve dialektore t’i marrë në shqyrtim vetëm nga këndvështrimi i rindërtimit të zhvillimeve historike gjuhësore në shqipe në rrafshin e dialekteve të saja, por të gjitha këto zhvillime kërkon t’i shpjegojë duke ndërtuar një sfond të detyrueshëm sociolinguistik brenda konteksteve historike kur kanë ndodhur ato zhvillime. Në bazë të shqyrtimeve të bëra Ismajli konstaton se sa i përket ndarjes dialektore të shqipes mund të përvijohen dy qëndrime: i pari, që ndarjen dialektore e sheh si pasojë e ndarjes së dikurshme etniko-politike që shkon në periudha të lashta, deri në hamendësime që çojnë në supozime se në fillim nuk dol të ketë pasur një gjuhë të vetme, dhe qëndrimi i dytë, që ndarjen dialektore të shqipes e shohin si rezultat i ndryshimeve graduale që kanë ndodhur në shqipe, me fjalë të tjera si rezultat i variacionit gjuhësor që është shfaqur në shqipe. Pikërisht, duke u nisur nga kjo gamë e gjerë e konsideratave shkencore që Ismajli ka marrë në shqyrtim, ndarjen dialektore të shqipes ai e sheh me të drejtë si një zhvillim sociolinguistik. Duke u nisur nga tiparet sistemore të shqipes dhe nga zhvillimi historik i tyre, por duke marrë në konsideratë edhe dimensionet e dallimeve midis dialekteve të shqipes, ai pohon se nuk mund të hidhet poshtë konstatimi se dikur ka pasur një shqipe e përbashkët dhe se dallimet dialektore janë zhvilluar shkallë-shkallë në etapa më të vona komplekse nëpër të cilat kalonte bashkësia folëse në kontakt me gjuhët fqinje dhe në rrethana të ndryshme socio-kulturore e politike. Mbi këtë bazë, ai konstaton se ndarja dialektore e shqipes ka ndodhur në një hapësirë që delimitohet në konturat e ndarjes së sotme dhe se kronologjikisht mund të ketë filluar pak para ose gjatë ardhjes së sllavëve në Ballkan, gjithsesi duke mos e mohuar faktin se ka një shtrirje të protoshqipes në lashtësi në hapësirat e Ballkanit Perëndimor dhe në kontakt me varietetet e lashta greke dhe romake.
Pjesa e dytë tematike e librit, po aq e rëndësishme, lidhet kryesisht me studimet që janë bërë për Buzukun dhe veprën e tij. Në këtë kuadër, Ismajli sjell një pasqyrë të plotë të studimeve që janë kryer për Buzukun pas viteve ’50 të shekullit XX. Në këtë mes, ai përmend botimet e Mesharit të Buzukut nga Namik Resuli (1958, 2013) dhe Eqrem Çabej në Tiranë më 1968 dhe në Prishtinë më 1987 dhe 1988 dhe ribotimet pas vitit 2000. Më tej, autori merr në shqyrtim dimensione të shumta që janë të rëndësishme të diskutohen kur merret në shqyrtim Meshari dhe që kanë të bëjnë me historinë e librit, përkthimin, ndikimet gjuhësore, grafinë, vendin e botimit, letrën dhe aspekte të tjera që janë të rëndësishme për t’u trajtuar dhe që mundësojnë ndërtimin e një tabloje më të plotë për Mesharin e Buzukut. Pikërisht, diskutimi i këtyre dimensioneve specifike të veprës së Buzukut nga Ismajli, japin një kontribut të ri dhe të çmuar për një trajtim sa më të plotë të kësaj vepre.
Është me rëndësi të theksohet se në librin “Për historinë e gjuhës shqipe” gjejmë edhe disa studime të tjera të dobishme që lidhen me historinë e shqipes. Këtu duhet përmendur studimin që pasqyron në mënyrë të përmbledhur pikëpamjet e autorëve italianë për prejardhjen e gjuhës shqipe. Në këtë studim, Ismajli shtjellon pikëpamjet e Vitorio Pizzanit, Emanuale Banfit dhe Paolo Di Giovienes për aspekte të ndryshme që kanë të bëjnë me prejardhjen e shqipes. Po ashtu, janë mjaft me interes edhe studimet për lidhjen e shqipes me rumanishten (në nderim të Ishtvan Shutzit), dhe pasqyrimi i studimeve për shqipen në vendet gjermanishtfolëse. Të gjitha këto studime të përfshira në këtë vëllim e plotësojnë gamën e trajtimeve historike të problemeve të ndryshme që lidhen me shqipen dhe me origjinën e saj, me ndarjen dialektore, me shkrimin e saj, si dhe me kontaktet me gjuhët fqinje. Në libër gjejmë po ashtu një kapitull që merr në shqyrtim veprimtarinë e studiuesit Selman Riza e parë nga një kënd specifik, e cila prek fusha të tilla nga historia e gjuhës e gjuhësia e përgjithshme, deri te semiotika.
Në bazë të materialit që sjell ky libër, të temave që trajtohen dhe të rezultateve të sjell Ismajli, mund të pohohet se ky libër paraqet një prurje jashtëzakonisht të rëndësishme për studimet albanologjike. Dimensioni i gjerë i trajtimit të problemeve, metodologjia e plotë dhe saktësia shkencore janë shtyllat kryesore që i japin vlera të veçanta këtij libri. Këto veçori specifike shkencore dhe metodologjike, si dhe gjetjet dhe përfundimet që sjell Ismajli lidhur me çështjet e shqyrtuara, e bëjnë këtë libër shumë të rëndësishëm për studimet albanistike në fushën e studimeve të historisë së shqipes. Aq më tepër, ky libër, bashkë edhe me librin paraprak të Ismajlit “Studime për historinë e shqipes në kontekstin ballkanik”, në njëfarë mënyre i vejnë themelet e studimeve në fushën sociolinguistikës historike të shqipes. Në këtë mënyrë, siç ka bërë edhe më parë, Ismajli hap një fushë të re studimore në albanistikë, siç është ajo e sociolinguistikës historike të shqipes.
Krejt në fund dua të shtoj edhe një gjë, të bëj një thirrje. Mendoj se është koha e fundit që veprat e Rexhep Ismajlit, siç është libri për të cilin folëm sot dhe libri “Studime për historinë e shqipes në kontekstin ballkanik”, pastaj studimet e Ismajlit në fushën e historisë së standardizimit të shqipes, por edhe veprat e tjera, do të duhej të përktheheshin sa më parë, në radhë të parë në gjuhën angleze. Meqenëse gatishmëria për t’i përkthyer këto vepra nuk mungon, u bëj thirrje institucioneve përkatëse kulturore dhe shkencore që t’i gjejnë mënyrat për ta bërë të mundur këtë veprimtari. Në një botë të trazuar shkencore, e cila shpesh ndërthuret në realitete objektive dhe virtuale, si në hapësira shqipfolëse, ashtu edhe në ato ndërkombëtare, e ku shqyrtimi shkencor shpeshherë përzihet me ndërhyrje sharlatanësh, veprat e Rexhep ismajlit, do të kontribuonin në mënyrë vendimtare që studimet albanistike të shpërfaqeshin në dritën më të mirë të mundshme, duke qëndruar në shtylla të fuqishme shkencore. Në këtë mënyrë gjuhësia shqiptare do të promovohej në hapësirat ndërkombëtare në mënyrën më të mirë të mundshme.