U paraqit botimi “Enigma e poezisë” i akademik Sabri Hamitit

Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të mërkurën, me datë 22 shtator 2021 u paraqit libri më i ri i akademik Sabri Hamitit “Enigma e poezisë”. I paraparë me programin e punës të vitit 2021, libri doli nga shtypi nga mesi i qershorit të këtij viti. Përurimi u zhvillua konform masave parandaluese kundër përhapjes së pandemisë covid 19, me një numër të reduktuar pjesëmarrësish në sallë, por u transmetua drejtpërdrejt edhe në kanalin zyrtar të ASHAK-ut në Youtube (URL: https://youtu.be/dF2NW6ow0LY). Fjalën e hapjes e mbajti akademik Eqrem Basha, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

“Akademik Sabri Hamitit është studiues i letërsisë dhe kritik letrar, por edhe poet, dramaturg e romansier, pedagog shumëvjeçar, në kujdesin e të cilit u ngritën gjenerata studiuesish, doktorë të shkencës së letërsisë, kritikë letrarë e krijues që begatojnë botën tonë letrare me diversitetin  e kërkimeve dhe orientimeve të reja”, theksoi mes tjerash në fjalë e hapjes akademik Basha. “Enigma e poezisë” titullohet libri më i ri i akademik Hamitit që po paraqesim sot(…), një vepër që i kushtohet, siç udhëzon dhe titulli, kryekëput poezisë, poezisë shqipe, para së gjithash, por edhe enigmës së përkthimit, në një segment, kur flet për përkthimet e Rexhep Ismajlit. Diagonalet që krijon akademik Hamiti në dy pjesët e librit, me Fishtën, Shantojen, Koliqin, Camajn, të përfshirë në pjesën e parë të librit dhe me një varg krijuesish të mesit deri te fundi i shekullit të kaluar, veçanërisht i dy dhjetëvjetëshave të parë të këtij shekulli, që përfshihen në pjesën e dytë, të japin një pasqyrë të gjerë të parapëlqimeve dhe leximeve të tij për të kërkuar-dëshmuar bindjen se kemi të bëjmë me një përkushtim par excellence ndaj poezisë të kritikut e studiuesit të letërsisë që edhe vetë është poet dhe që ka “kompetencën” të kërkoje e ta shpalojë enigmën, rrugën që gjurmon magjinë e poezisë. Do të thoshim një mjeshtër, të përdorim fjalorin teknik me shpresë se nuk do ta thjeshtësojmë dhe aq, i matjeve dhe sondave, i analizave dhe gjetjeve që na zbërthejnë gjithë ato figura e mistere. Është ky një “dialog me libra të shënjuar të autorëve modernë që e kanë zgjedhur lexuesin apo që i ka zgjedhur lexuesi,” paralajmëronte ai vetë në paraqitjen e këtij projekti. Të mësuar me përkujdesjen e tij që të na ofrojë gjithnjë botime tematikisht të përcaktuar, rreth një boshti dhe rreth një koncepti, dorëshkrimi që kemi në dorë, për të cilën do të flasin sot kompetentët e fushës, na orienton dhe na udhëzon të zbërthejmë dhe të lexojmë më qartë, kësaj here, artin e poezisë.”

Të ftuar për të folur rreth kësaj vepre më të re të akademik Hamitit ishin dy pedagoge dhe studiuese të letërsisë nga Fakulteti Histori-Filologji i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Persida Asllani dhe prof. dr. Dhurata Shehri, si dhe prof. dr. Nysret Krasniqin, nga Katedra e Letërsisë shqipe e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, anëtar korrespondent i ASHAK-ut dhe recensent i dorëshkrimit të veprës në fjalë.

Në vazhdim po japim të plota fjalët e Persida Asllanit, Dhurata Shehrit, Nysret Krasniqit, si dhe fjalën e autorit, akademik Sabri Hamiti, në fund të paraqitjes së botimit.

Fjala e Persida Asllanit

“ENIGMA E POEZISË”

Po e them që në hyrje se shkrimi për poezinë, e sidomos atë lirike, e mat vetveten te pamundësia për ta shpjeguar thelbin e poezisë përveçse si enigmë: enigmë e krijimit, enigmë e leximit dhe së fundi e interpretimit. Prandaj titullin e veprës që na mbledh këtu sot si miq të autorit e të letërsisë, e lexoj si pohimin e tij se poezia mbetet e tillë, enigmë që mrekullon, enigmë që josh e sidomos që sfidon leximin dhe analizën kritike. Dhe po si enigmë ajo i hapet bujarisht vetëm leximit e interpretimit që e poetizon atë – e shndërron në poezi të enigmës së shkrimit e të krijimit. Ky libër është prova. Autori i saj na tregon sot (e jo vetëm sot) udhëtimin me të, vetërrëfimin e leximit, – “kalim nëpër labirintin e tekstit poetik në shqip” e cilëson ai – duke shpalosur, tashmë në një sistem e strukturë rrëfimi nacional, atë çfarë poezia poezia lirike shqipe i shpalosi atij, e hera-herës edhe të ngjashmëve me të, që kanë sprovuar “kalimin” e tyre, në kohë e kontekste të ndryshme me poezinë shqipe. Ndaj i përfshin së bashku “Enigma e poezisë” edhe poetët, edhe përkthyesit, edhe kritikët si lexues të saj në sistem –  dhe duhet lexuar edhe ajo vetë si vijimësi e një udhëtimi shumë më të gjatë të nisur në vepra të tjera të autorit Sabri Hamiti, në monografi poetësh të përzgjedhur, për ta përmbyllur sot me këtë dialog të tij me shekullin e saj të fundit deri në të tashmen, me qëllim që të tregohet e të rroket, na thotë autori,  “drama e poezisë moderne shqipe”.

Teksa ky dramacitet mbruhet, merr zë e fytyrë në momente dhe hapësira të ndryshme të këtij shekulli, për lexuesin ideal, atë  që “bëhet bashkë me tekstin në kërkim të të bukurës e të vërtetës”, në skenën e poezisë shqipe ngjitet ngadalë një ligjërimin e gjendje e re lirike që shpie kah meditativja e metafizikja si kërkim e si vetënjohje. Madje, edhe kur trualli i skenës së saj është ai epiku kombëtar i Lahutës fishtjane – ku Hamiti, përmes evidentimit të amëzës, diskursit, heroit e figurës na dëshmon kryeveprën letrare si specifikë për krijimin e një trashëgimie të re letrare. Pikërisht në gjirin e kryeveprës epike, ai heton se si rreh zemra lirike e kombit te heroikja epike e Tringës, vëren se si ligjërimi poetik projektohet nga e bukura ideale e unit poetik drejt një ideali nacional të së bukurës, e cila, si e tillë, s’mund të mos jetë edhe e vërtetë. Për rrjedhojë, bëhet e rrokshme se si rrënja e këtij ideali të së bukurës, mbrujtur njëheri me të mirën e të vërtetën, ushqehet në truallin e Kanunit, i cili, për poetin gjenial Gjergj Fishta, është vepra më epike e popullit të vet, po aq sa shprehja më lirike e tij. E duhen kuptuar mirë këto shtresime thellësish, për të rrokur rrjedhën e thellë të lirikës shqipe, ndër vargje poetësh si Shantoja, Camaj etj. Jo për t’u rrokur doemos si vijimësi, por si energji e dramacitet i lindur e i sprovuar çdo herë i ri mbi truallin shkëmbor epik.

Prej këndej edhe lindja e Shantojës lirik, pikërisht aty ku ai vendosi të heshtte më shumë duke “hequr dorë”, duke na lënë trashëgimi kombëtare poezinë e tij të pasionit (si dhe dëshminë e pasionit të vet të jetës e të artit) në vetëm tri lirika të çmuara: “një kryqëzim harmonik i ndjenjës së thellë e mendimit krijues” përkufizon Hamiti.  Për nji puthje të vetme, Zog Malit dhe Vorr i harruem nxjerrin nga harresa e vetëvrasjes poetike dhe e vrasjes politike e ideologjike lirikun e rrallë të shqipes që, teksa i shpalos enigmën, autori që udhëton nëpër labirintin e tij, Sabri Hamiti, e ngre në rendin e poetëve të metafizikes si Bogdani, Mjedja, Fishta,  Poradeci. Enigma e “nji puthje të vetme” hyn kështu, falë analizës së tij në mikrostrukturën poetike të tekstit, në zemër të enigmës së poezisë lirike shqipe.

Edhe fyelli i Camajt, ndërsa këndon “lahutën e varur nën tra” shpalos dramacitetin e ri të një lirike të kujtesës së trashëgimisë letrare për t’u shndërruar më vonë, përgjatë jetës së poetit të mërguar, në sprovë të vetmimit e të krijimit modern, dhe më tutje, në zbulesë të enigmës së shkrimit e të vetvetes së shtresëzuar si një Palimsest. “Edhe më qartë – shprehet Hamiti – drama e njohjes dhe e zbulimit, padiktueshëm kryhet në vepër për identifikimin e poetit”. Prej këndej, “poezia e tij identitare e provuar dhe e shfaqur gjatë gjithë zhvillimit të veprës”.

Një dramacitet të ri shqoi Koliqi te poetët e rinj të Kosovës, ndonëse në sprovat e tyre të para. Krahinë letrare, periudhë letrare apo përdegëzim letrar, për Koliqin e Shêjzave ato janë pamja moderne në bashkëkohësinë e letërsisë shqipe e të pandashme prej kësaj letërsie, modernitetin e parë të cilës, atë të moderuarin, ia kish përkufizuar tashmë në dëshmime të veta letërsisë shqipe të viteve ‘30, edhe si kritik e studiues e sidomos edhe si krijues. Ky përkim i dyfishtë, i krijuesit që formulon e interpreton dhe i kritikut që ri-krijon letërsisë shqipe thuajse tërësisht përmes shqyrtimit të gjurmës poetike, leximi në sistem i saj, duke theksuar relacionalen e gjithëpërfshirjen – siç e thekson pa u lodhur Hamiti – e vendosin Koliqin në qendër të traditës së interpretimit ri-shkrues të enigmës së poezisë, të cilën ai e përjetoi në vetvete dhe e lexoi si zbulesë për veten e për të tjerët në kontekstin e një Historie të letërsisë kombëtare.

Një variacion po aq dramatik i kalimit nëpër labirintin e enigmës së poezisë shqipe mbetet edhe sprova e ndërmjetësimit, si pikëpjekje e shkrimit e rishkrimit, e krijimit dhe rikrijimit. Përkthimet e Rexhep Ismajlit i bashkohen “enigmës së poezisë” me statusin e tyre të dyfishtë: së pari, ato burojnë prej një shtyse po aq mistike që lidh në enigmën e tekstit poetik poetin autor e poetin përkthyes, poetin që ndërmjetëson bujarisht botët gjuhësore, letrare e kulturore të veprës; së dyti, me vetëdijen e ndërmjetësimit si krijim i ri që kalon përmes pyetësimit e kuptimësimit që i bëhet tekstit poetik si në një interpretim i ri muzikor.

Teksa përmbyllet pjesa e parë e kësaj enigme (si pjesë e parë e librit) është më se e qartë se ajo ka bërë bashkë pesë rrugëtime të ndryshme jo vetëm në poetikë e në shkrim por edhe në tipologji. Ato janë pamjet thelbësore të lirikes meditative nga krijimi te rikrijimi, rrugëtim drejt modernitetit e modernizimit, që ngjizin themelin konceptual të modernes bashkëkohore mbi të cilin ngrihet, me specifikat e veta të forta të shprehjes së individualitetit,  ajo pjesë e lirikës meditative shqipe të cilën autori ka parapëlqyer ta interpretojë përmes përzgjedhjes së veprës që i flet thuajse në të tashmen e vet. Tashmë kërkimi i “enigmës së poezisë”  ngjan më pranë atij vargu të Camajt, që vetë Hamiti citon këtu në libër:

… zbulon hijen e fjalës

në thellësinë që s’shihet”.

Hija e fjalës dhe e dramacitetit të saj në lirikën e Zorbës, Rreshpes, Dedajt, Podrimes, Arapit, Çollakut, Lleshanakut, Konushevcit, Demë Topallit, M. Ahmetit, Arben Idrizit, Agron Tufës, Eqrem Bashës, rezonojnë në këtë pjesë të dytë si vepra që zgjidhen dhe vepra që e zgjedhin lexuesin e vet. Për autorin e “zgjedhur” të kësaj “përzgjedhjeje” leximi i tyre është në thelb “kërkim i mënyrës së krijimit për të zbuluar nyjat e domethënies”, jo si qëllim për lexim por, doemos, si “lexim estetik”.

Ky lexim më prek dhe më josh në shpalimin e enigmës së poezisë drejt enigmës po aq poetike të interpretimit të saj nga Sabri Hamiti. E ky lloj shkrimi është dhuratë e Muzave vetëm për poetët, e ndërmjet syresh, atyre të metafizikes epërore. Ndaj u shtoj në mendjen time këtyre leximeve të Sabri Hamitit, enigmën e poezisë së “Kukutës së Sokratit” e i marr leje autorit të kujtoj se si më përzgjodhi ajo vepër poetike me lakimin metafizik të kujtesës në zemër të lirikës shqipe: kujtesë e qenies që kërkon deri në skaj njeriun në thellësinë e kupës së Sokratit, kujtesa e patrajtueshme e dheut, e atdheut, e gruas, e dashnisë, e bijve, e gjuhës, e gurëve, e ujërave, e botës. Është Kujtesa e Bogdanit, e Naimit dhe Lazgushit, e Pashkut dhe Mjedjes, Camajt e Podrimjes. Palimsest kumtesh e ligjërimesh, i fjalëve si thelbe kuptimi e kujtimi.

Dhe ja se si, qoftë dhe pa dashje, nisim një udhëtim të ri nëpër labirintin e tekstit poetik në shqip. Ftesën, autori i librit që prezantojmë sot, na e bëri sërish edhe kësaj here, si shumë herë të tjera, bujarisht e miqësisht, me enigmën e krijimit në mendje dhe me mallin e poezisë në zemër.

Fjala e Dhurata Shehrit

ENIGMA E POEZISË SHQIPE TË SHEKULLIT XXI

Në parathënie të librit të tij më të ri, Sabri Hamiti udhëzon lexuesin metodik që zbërthimin e “enigmës” së poezisë shqipe të fillojë ta kërkojë në librin pararendës Testamenti, aty gjendet harta e labirintit. Prandaj, po e nis nga fillimi (fundi) leximin e librit të fundit. Në librin Testamenti, Hamiti kërkon e interpreton shpirtin e nacionit përmes gjuhës së letërsisë, zbulon e ndërton leximin e tij për lirikën metafizike shqipe (duke ndërtuar njëkohësisht kanonin e tij personal) dhe krijon me shkrim e stil poezinë e mendimit, metafizikën e vetvetes. Shkrimi, leximi, pra triumfi i unit personal në librin Testamenti kalon nëpër zbulimin e trashëgimisë së përjetësisë në lirikën shqipe përtej ndodhive emocionale duke filluar me; autorin biblik, Bogdanin dhe Kankët e Sibilave, lirikun romantik, De Radën dhe Këngët e Milosaut, doktrinarin poetik, Naimin dhe Mësimet, Fletoren e Bektashijve dhe Qerbelanë, lirikun klasik, Mjedjen dhe Andrrën e jetës e stinët e jetës, lirikën Nji lule vjeshte të epikut Fishta, lirikun modern e metafizik, Poradecin dhe Vallen e tij të përjetësisë.

Këtu duhet lidhur filli i Arianës, ndërsa mbërrijmë në shekullin XX me poezinë e Fishtës, Shantojës, Camajt e përkthimet e Ismajlit, e sidomos në shekullin XXI, pas tronditjeve jashtëletrare të gjysmës së parë të shekullit më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, për të hetuar  praninë, mungesën apo shkëlqimin e një poezie të re metafizike e të mendimit. Poeti Hamiti kërkon edhe një herë poetin jo misionar, këtë herë në shekullin e ri “në një zgjedhje të lirë krijuesish të ndjeshëm e meditantë […] duke parë esencën e botës së njeriut”, duke ndërtuar njëherësh edhe vetëdijen për librin poetik si strukturë, edhe largimin nga poezia e rastit, poezia si reagim e libri si album apo si ditar.

Libri na propozon një sistemim e sistem të komplikuar e të nyjëtuar shumëfishëm të interpretimit të poezisë “së re” shqipe, sistemin në sinkroni dhe diakroninë sistemike: tre breza, tre kritere dhe një antologji e trefishtë për të prodhuar sistemin që përmban një shumëfish të treshit dhe një libër më vete. Ja si thuret interpretimi i poetit Hamiti:

Brezat

Tre breza: Pak a shumë të një brezi, por jo të një poetike janë Arapi, Dedaj, Rreshpja e Podrimja e pranë tyre Basha e Topalli; Konushevci e Ahmeti të brezit pasardhës, ndërsa më të rinjtë Tufa, Lleshanaku, Idrizi e Çollaku të një brezi e të një fryme.

Nga libri i vetëm tek libri i lamtumirës

Disa poetë shkruajnë librin e fundit si kurorë poetike e trishtimi: Rreshpja, Arapi, Podrimja, Dedaj – dhe tre prej tyre librin e lamtumirës; Tufa, Lleshanaku, Ahmeti, Idrizi e Çollaku – poetë që maturohen pas rebelimit e vrullit shkatërrues (pasroja të pararojës); poetët që e rishkruajnë me variante poetikën autoriale Konushevci, Topalli e Basha. Dhe njëri, vetëm njëri shkruan vetëm një libër në vetminë e vet të herët e të vonë, Zorba, librin e parë dhe të fundit, librin që lidh modernitetin e parë të letërsisë shqipe, atë të viteve ’40 me modernen e Kosovës së viteve ’70 për t’u përmbyllur me inaugurimin e modernes së tretë të poezisë shqipe në fillimet e shekullit të ri. Është “libri i jetës” në kuptimin metafizik të jetës së njeriut, por edhe shembulli i përsosur i kërkimit bodlerian për “librin poetik”. Në këtë kërkim do t’i ngjajë Çollaku me librin “Heshtjen duke gërmuar”, ndonëse nuk është libri i tij i vetëm, por i vetmi LIBER, të paktën deri tani.

Poetikat e modernes se tretë

Struktura sistemore e shkrimit interpretues të Hamitit bëhet tipologjizuese kur përafron poetikat autoriale të: Zorbës, Çollakut, Bashës e Ahmetit në kërkimin e lirikës meditative e metafizike; kur ngjason Arapin, Podrimjen, Konushevcin e Idrizin në shpalljen a sosjen e lirikës së rebelimit; kur gati njëson në një lirikë klasike e spontane Dedajn, Rreshpen e Topallin, por edhe Tufën, që bashkë me Lleshanakun i vë në të njëjtin rend lirika e pasojës kolektive shqiptare, pasojë por edhe shkak.

Antologjia e shumëfishtë

Antologjia që ndërton Sabri Hamiti është e trefishtë, duke shkuar gradë gradë drejt thelbit të thelbit të poezisë: përzgjidhen në varg ngushtimesh – autorë, libra, poezi, deri tek lexuesi që mund ta lexojë përzgjedhtas antologjinë e shumfishtë në secilin prej propozimeve, pra, edhe një antologji e interpretuar e trembëdhjetë autorëve të poezisë shqipe të shekullit të ri, edhe një antologji e trembëdhjetë librave të poezisë shqipe të shekullit të ri, edhe trembëdhjetë poezi, kanoni personal i shijimit e vlerësimit të saj.

Toposet e poezisë së shekullit të ri

Vetmia dhe heshtja janë kryefjalët e poezisë meditative dhe metafizike në shqip, edhe në shekullin e ri,  kusht e thelb tejkohor  i lirikës universale. Me nuanca personale e fuqi të ndryshme shkrimi, këto konstante universale të lirikës bëhen formë e prodhojnë kumte të ndryshme.

Rreshpja vetminë e bën titull (Në vetmi e Vetmi), gjendje e deri konstantë poetike që prodhon edhe mallkimin me përjetësi, por edhe dimrin e fjalës.

Dedaj vetminë e shkruan si mall deri në nivel të vajit, e këndon në lumin e tij të përjetshëm të kontratës poetike me familjen vendlindjen e identitetin

Arapi vetminë e shkruan deri në trishtim e lamtumirë që lakohen nëpër stinë e muaj për të mbërritur te trishtimi i brymtë hyjnor. Secili nga ciklet mbaron me lamtumirën (Lamtumira e fundit që nuk pashkësh qenë e fundit lamtumirë) – “Sepse është trishtim kur vdesin poetët, ngase lindin tepër rrallë, edhe më rrallë rilindin”.

Çollaku vetminë e gërmon deri në heshtje e heshtjen metodikë që prodhon “heshtjen e mbetur në tentativë”, poezinë filozofike apo inversin,  filozofinë poetike, i mbetur i vetëm para letrës së bardhë.

Lleshanaku vetminë e shkruan si gjuhë – sepse gjuha është gërryese e të bën vetmitar.

Topalli  është poeti i heshtur e i heshtjes, i heshtisë, i vdekjes së fjalës pa shenja, si tragjedi shkrimi, i lules së paemër, vetmitare e të paprekshme.

Tufa është poet i nokturnit, i dështimit, i zbrazëtisë, i varrezës ajrore, i mëkatit, i garderobës gramatike ku shpaloset dëshpërimi si akt, jo si përshtatje, e sidomos i vetëvrasjes, si ajo e Agamemnonit në Aulidë.

Për të mbërritur tek Perlat e zeza të Bashës, tek vetmia e heshtja si tkurrje deri në epitaf, me formulën finale Memento mori!

E di që do të mbeten aq fjalë pa shpjegime

Shenja e enigma që kërkojnë zbërthime

Duke e thurur e zbërthyer kështu sistemin e poezisë shqipe përmes shkrimit të poetit për poezinë, Sabri Hamiti konsakron klasiken moderne të modernitetit të tretë, pra të bashkëkohësisë së poezisë shqipe të shekullit XXI. Duke i huazuar vargun Romeo Çollakut, shkrimi i Sabri Hamitit për enigmën e poezisë, merr trajtat e “një heshtjeje të mbetur në tentativë”, sepse, për poetin e kukutës: vdekja e heshtjes është fjala dhe e vërteta e librit është kërkimi.

Fjala e Nysret Krasniqit

RIZBULIMI DHE ZBULIMI I HONEVE TË MISTERSHME TË POEZISË SHQIPE

Gjuha nisi si metaforë apo poezi, poezia foli me metafizikën, ndërsa metafizika jeton në imagjinim, si rrjedhojë në poezi.

Ky qarkullim në rreth, të themi primordial, me gjithë tendencën e vazhdueshme për racionalitet, përbën enigmë.

Këtë fenomen, i cili jeton në divinacionin e vet, e ndjen, heton dhe e studion autori Sabri Hamiti. Aq më fuqishëm kur ky autor është po ashtu poet, i cili qoftë kur objektivon, qoftë kur imagjinon në poezi, është udhëtar në botën e metafizikës.

Mendoj se në këtë mënyrë motivohet edhe titulli i librit Enigma e poezisë, për të cilin, me shumë kënaqësi, po flas sot akademikë e miq të nderuar!

Pra, Enigma e poezisë është studim analitik e fenomenologjik i poezisë moderne shqipe.

E konceptuar në dy pjesë, kjo vepër vë në relacion fenomenologjik poezinë e kanonit dhe “poezinë e re” për të analizuar, interpretuar dhe rivlerësuar traditën poetike shqipe, si dhe për të studiuar evolucionin e shprehësisë të kësaj forme letrare deri më sot.

Në këtë ndërmarrje studimore zgjedhja e autorëve është intencionale, pra bazohet në fuqinë krijuese të tyre, të cilët kanë formuar kanonin poetik shqiptar nëpërmjet diferencave, për t’u studiuar si forma të ndërliqshme autentike të poezisë shqipe si traditë, modernitet e bashkëkohësi.

Në këtë udhë, te pjesa Enigma e poezisë I kemi pesë kapituj, në fakt pesë autorë, vepra e të cilëve analizohet me synim të formimit të ikonës autoriale si sublimim krijues në letërsinë shqipe.

Te Fishta, Sabri Hamiti, së pari, jep definicione e distinksione teorike-filozofike për nocionin e kryeveprës, zgjedh dhe trajton kryeveprën Lahuta e Malcis, duke e parë fuqinë e autorit Gjergj Fishta si sublimues të përpjekjeve të mëparshme për krijimin e kësaj forme letrare, si simbol të kanonozimit të diskurseve etnike nacionale. Përveç kësaj, veneron intencën e autorit për të krijuar mozaikun e idealiteteve nacionale, nëpërmjet analizës së heronjve, faktit e fiksionit, si dhe ndikimit të kësaj vepre në kulturën shqiptare duke e nënkuptuar si etikë të tekstit, tashmë, edhe autorin si hero kulturor shqiptar.

Një vrojtim jashtëzakonisht inteligjent, përveç personazheve të tjera, i bëhet figurës së Tringës, e cila në veprën epike bart të gjitha arketipet etnike-nacionale, por të përfaqësuara në bukurinë shqiptare. Sabri Hamiti vëren shenjtninë e mitit, kodeve, etikës nacionale të sublimuara në shenjtninë e bukurisë të mbrujtur me nderin si trashëgimi e heroikë. Në këtë udhë, ai diskuton edhe për diskursin ligjvënes eliptik të Kanunit të Lekë Dukagjinit të parë nga Fishta dhe propozon që eliptika ligjore kanunore të vërehet në figurën mimetike te vepra Lahuta e Malcis. Mbi vetëdijen se kryevepra Lahuta e Malcis e Gjergj Fishtës ruan, mbron dhe sugjeron në përhershmëri idealitetet etnike-nacionale, Sabri Hamiti kap esencat fenomenologjike të veprës, si dhe ndikimin e saj në harkun kohor tashmë shekullor të shkrimit të saj.

Te Shantoja rizbulohet dhe inaugurohet autori, sidomos me specifikën e tingëllimave të tij, rrjedhimisht lirikës, e cila nuk është trajtuar qenësisht më parë. Sabri Hamiti heton e analizon se Lazër Shantoja është adhurues i epikës fishtiane, pasues i klasikës sonetike të Mjedjes, por vetë shkruan lirikë filozofike si sinkretizim formash, poemë, tingëllim e elegji me temë themelore jetën që gradualisht i nënshtrohet vdekjes. Trajtat e vdekjes hetohen te poemat lirike Për një puthje të vetme e Zog mali, të shkruara si tufë sonetesh dhe te Vorr i harruem që është formë e elegjisë. Poemën lirike Për një puthje të vetme Sabri Hamiti e analizon duke hetuar punktumet themelore figurative si Zgjimi, Bukuria, Mërzia, Puthja si dramacitet i vdekjes në bukuri dhe në dashuri, por edhe duke hetuar fenomenin invers të kësaj poeme ku poeti nga vdekja i këndon dashurisë si refleksion personal e universal duke përjetuar njëkohësisht peshën e dualitetit trup e shpirt, sidomos kur ky fenomen kap ndërgjegjen e doktrinarit e meshtarit. Kurse, te Zog mali venerohet shkallorja e figurshme e biografemave të autorit Lazër Shantoja si autorefleksion e krizë e përhershme ndërmjet misionaritetit e literaritetit si idealitet, pra si udhë drejt martirizimit të tij. Në prizmin e Sabri Hamitit, elegjia Vorr i harruem është vepër e përkryer lirike për faktin se nëpërmjet vargut poetik Shantoja arrin që të dëshmojë se më lehtë pranohet determinimi vorr i harruem, sesa jeta ku thyhet besa, fjala e dhënë dashunore apo ku humbet nderi e moraliteti. Doktrina religjioze e arketipi etnik-nacional si moralitet pranojnë vdekjen e harrimin, qoftë edhe shuarjen e bukurisë së vashës së dashur, por jo edhe mashtrimin në jetë e jetën si mashtrim. Një autorefleksion subtil i një autori, të cilin Sabri Hamiti thërret për ta integruar në kanonin e lirikës shqipe.

Te Koliqi, autor të cilin në studime të mëparshme Sabri Hamiti e studion si inaugurues të prozës moderne shqipe, fokuson fenomenin e mallit të tij për shkrimin e historisë letrare shqiptare. Analizon rolin integralist, gjithsesi motivues e vlerësues, të mendimtarit lucid gjithpërfshirës. Sabri Hamiti vëren se Koliqi studion pararëndësit e tij, Petrotën, Rrotën, Çabejn, të cilët kanonizuan letërsinë shqipe në histori parciale letrare, por vetë merr barrën e sublimimit të kësaj trashëgimie dhe nis realizimin e konceptit të tij integralist për një histori letrare shqipe. Në këtë pikë, Sabri Hamiti e sheh Koliqin prijatar, përbashkues të ujëdhesave letrare dhe më e veçanta, integrues të letërsisë së Kosovës në hartën letrare shqipe. Gjithashtu, Hamiti vëren se tekstet historike-letrare të shkruara apo të mbikëqyrura nga Koliqi, siç janë Shkrimtarë shqiptarë I, II, Dy shkollat letrare shkodrane, esetë e karakterit historik te revista Shejzat si dhe venerimet panoramike-eliptike për autorë të Kosovës do të bëhen themel për historitë letrare të studiuesve Namik Resuli, Zef Skiroi e Arshi Pipa. Përveç kësaj, Sabri Hamiti shenjon idealin koliqian të mallit për vijimësinë e kulturës gege, projeksion ky që mendohej se do të ndodhte në letërsinë e Kosovës, si dhe refuzimin e tij që nëpërmjet abstenimit të mos trajtojë shkrimtarinë e dirigjuar nga ideologjia komuniste. Duke veneruar idenë e Koliqit se historia letrare është shuma e monografive autoriale, Sabri Hamiti si pasues të tij i tumir studimet moderne historike-letrare të Kosovës duke anashkaluar historitë përjashtuese të konceptuara sipas parimeve likuiduese të doktrinës së realizmit socialist.

Te Camaj, Sabri Hamiti jep bioletrën e tij poetike, lakoren e tij krijuese nëpërmjet një analize përimtuese të konceptit themelor të autorit si ekuilibrues të zërave të trashëgimisë metonimike dhe shkronjës së kultivuar në simbol, duke analizuar lakoren e formave të tij poetike, poezi, poemë, por gjithnjë duke hetuar palimpsestin si filozofi krijuese personale. Martin Camaj i Sabri Hamitit është autori që shkruan mallin e vet për humusin e tij, qoftë si kujtesë kur është në vendlindje, qoftë si rikujtesë kur është në mërgim, për të veneruar se poezia e tij është vetmia esenciale e sublimuar në figurë e një autori autentik që nuk ikën nga rrënja e vet. Në këtë lakore studimore Sabri Hamiti analizon poezinë e Camajt që nga vepra e tij e parë Nji fyell nder male deri tek e fundit Palimpsest, duke vërejtur stilistikën e vargut gegë, si dhe duke përcjellë ideografinë e tij, esenca të cilat provojnë vetminë fisnike të poetit.

Në këtë strukturim të këtij libri, Sabri Hamiti analizon e rivlerëson poezinë dhe mendimet për të të autorëve gegë, pra Fishtën, Shantonë, Koliqin e Camajn, kanonin nacional si trashëgimi e përhershmëri. Kjo intencë rinjohjeje bëhet utilitare sidomos në kohë të thyerjeve të mëdha të kohës sonë, ku identitarja është vënë përballë presionit të shoqërisë së lëngshme!

Ndërkaq, në vijimësinë e librit, kemi diskutimin për fenomenin e përkthimit, i cili kur aplikohet në poezi domosdo merr premisat e rikrijimit. Poezia, si përkthim, e do dijetarin e historianin e gjuhës, njohësin e traditës dhe të formave të vargëzimit, dashuruesin e përhershëm të letërsisë e sidomos njohësin e intertekstualitetit si kulturalitet. Kjo filozofi provohet te kapitulli Ismajli.

Sabri Hamiti, këtu, veneron gjuhëtarin në rolin e përkthyesit si rikrijues, i cili për kulturën e vet refuzon ishullimin, ngase e do komunikimin. Në këtë udhë, veprimtaria e përkthimit si marrëdhënie ndërkulturore e Rexhep Ismajlit, kundrohet në planin e prurjeve teorike-filozofike në studimet tona nga qarqet shkencore evropiane e sidomos përkthimi i poezisë shqipe si fenomenologji e shpirtit shqiptar për tjetrin. Shumë autorë shpëtimin e vet nga krizat e jashtme ideologjike e politike e kanë gjetur në botën e përkthimit të autorëve të dashur, si ikje nga barbaria!

Ky libër si pjesë të dytë, siç thamë, ka titullin Enigma e poezisë II.

Pjesa e dytë, duke u bërë komplementare me të parën, ruan idenë substanciale të autorit për kredhjen studimore në misterin e poezisë dhe në tipikën dhe atipikën e poezisë shqipe. Vërehet se Sabri Hamiti refuzon të diskutojë për mungesën e enigmës në poezinë e socrealizmit ngase vrojton e analizon fenomenologjinë alternative të kësaj doktrine, pra kërkon poezinë e imagjinimit metafizik.

Në pjesën nistore të diskutimit të fenomenit, Sabri Hamiti kërkon vëmendjen e vetëdijen për poetët Lasgushi e Mjedja, si etër të figurës, ndërsa gjen se ky mister është ruajtur te Zorba e Rreshpja, të cilët në kohë të anti-figurës krijuan metafizikën e tyre si auto-refleksion.

Zef Zorba me veprën Buzë të ngrira në gaz krijoi në vetmi kundërpeshën e thatësisë nëpërmjet hermetikës, intertekstuales e muzikalitetit në varg duke krijuar elegjiaken baladeske me tone metafizike, kurse Frederik Reshpja me veprën Në vetmi u vu në kërkim të Itakës personale duke pasur në fokus gjithnjë kultin religjioz për nënën. Një lirikë sa personale, poaq humane!

Kjo alternativë shkrimore që ruan enigmën poetike do të hulumtohet edhe tek individualitetet e tjera të autorëve-poetë, të cilët me gjithë shtëngesat e variacionet ideologjike të kohës, ndiejnë dhe kuptojnë se vargu poetik synon sublimen dhe si të tillë e aspiruan dhe e realizuan.

Rrahman Dedaj fokusohet me veprën Zoti thotë ndryshe Adam, tek e cila trajtohet magma e subtilitetit poetik si bekim për shpirtin njerëzor në të gjitha trajtat e krizave të autorit empirik.

Ali Podrimja me veprën Pikë e zezë në blu si sinkopim e eliptizëm i figurës, qoftë edhe si ndryshim i stilit paraprak, me fokus në rikujtesën e simboleve të gjenezës. Herë për djalin, herë për nënën si figurim pa lament, njëkohësisht si refleksion personal, rrjedhimisht universal.

Fatos Arapi me veprën Një zemër falet për mua si rijetim paradoksesh personale e shqiptare si mohim i simbolikës së Kainit.

Këta autorë, shpeshherë të vënë nën trysninë e totalitaritetit, në prizmin e Sabri Hamitit, ruajtën differentia specifica-n e poezisë, e cila arrihet vetëm nëpërmjet dashurisë për njeriun që sublimohet në mozaikun e metaforikës, madje si kapërcim nga terri në dritë, nga shekulli 20 në shekullin 21.

Në vijimësinë e studimit të kësaj dramatike poetike, siç e quan autori Sabri Hamiti, apo të transformimeve gjenerike e kompozicionale, studiohet poezia e Romeo Çollakut te vepra Heshtjen duke gërmuar, tek e cila vërehet toni filozofik i saj, pastaj dominanca e paradoksit dhe e krahasimit si refuzim te vepra Pothuajse dje e Luljeta Lleshanakut, si dhe ditari intim poetik i Abdullah Konushevcit te vepra Lutje dashurie. Kjo laryshi e misterit apo enigmës së individualizuar të poezisë studiohet edhe te vepra Sytë që dinë me pa e Demë Topallit, ku vërehet autorefleksioni si përmallim për kohën e humbur, pastaj figura e riteve të kalimit nga erosi si metafizikë te vepra Libri i lumturisë i Mimoza Ahmetit e deri te rebelimi si kërkesë për lirinë individuale dhe utilitaren shoqërore te vepra Poezi 2016 e Arben Idrizit.

Në opusin e poezisë së këtij shekulli integrohen në analizën hermeneutike edhe poezitë e kërkesës për identitet dhe dinjitet njerëzor të Agron Tufës te vepra Zonja Asnjëri dhe zoti Askurkushi, si dhe poezitë e klasikut të litotës Eqrem Bashës, i cili tashmë te poezitë (dorëshkrim) me titull Udhëtar në fund të rrugës këtë figurë e shndërron në epitaf, si figurim për fatumin njerëzor.

Kjo poetikë e shumëzëshmërisë me përqëndrim në individualitetet krijuese gjithsesi shoqërohet me venerime të sakta për transformimet e formave, nga klasikja te modernja e postmodernja ku dominon liria e vargut, dialogu i metaforës me metoniminë, si dhe loja e vetëdijshme kompozicionale. Sabri Hamiti vëren se, shikuar si fenomen, poezia e këtij shekulli kap shkalloren e spontanitetit, meditacionit, rebelimit me synim të kalimit saj në metafizikë. Gjithashtu, vëren se poezia transformon ngase jeton në enigmën e saj, sepse arti poetik që nuk ndërron – vdes!

Sa i përket natyrës shkencore të librit mund të themi se, duke njohur përvojën studimore sistematike të Sabri Hamitit, ky libër jetëson harmoninë epistemike të njohjeve teorike-letrare, të cilat janë nënshtresë përcjellëse e leximit dhe rileximit të autorëve të zgjedhur të poezisë shqipe. Pra, ky libër ka fuqinë shkencore, njohëse e hermeneutike, një studim distilues i korpusit të zgjedhur poetik dhe si i tillë merr edhe karakter utilitar për kulturën letrare shqipe në përgjithësi.

Mirëpo, njohja e jashtëzakonshme e dijeve teorike-letrare e filozofike nga autori Sabri Hamiti për misterin, enigmën e hapësirën e letërsisë nuk ndikon në robnimin nga referenca. Ngase, fuqia e mendimtarit në letërsi matet kur rivlerëson traditën dhe kur heton evolucionin e saj, madje kur merr guxim të peshojë e të vlerësojë letërsinë që shkruhet sot.

Prandaj, Libri Enigma e poezisë duke ikur nga robnia e referencës, pa asnjë dyshim është referencë për honet e mistershme të poezisë shqipe!

Fjala e autorit – Sabri Hamiti

DASHUNUESIT E POEZISË

Të dashur miq e kolegë,

Ju ndiej që jeni këtu të pranishëm në një solemnitet ditunor e shpirtëror, të paraqitjes së librit tim Enigma e poezisë në Akademi. Ky është libri i pestë që më ka botuar Akademia në dy deceniet e fundit, pas librave: Tematologjia, Albanizma, Utopia e Testamenti, për të bërë një Poetikë Shqipe.

Kjo paraqitje është një dramë e vogël e kapërcimit nga shkrimi intim në leximin publik. Akti në vetvete e ka aventurën e librit të parë, si libër i fundit, apo andrrën autoriale të librit të fundit, si libër i parë.

Po, le të jetë kjo fjalë e imja edhe si confession.

Sa herë e zë veten ngushtë, poezia më shpëton, si ilaç a si farmakon. Poezia që thur enigmën duke lënë shteg për zgjidhjen e saj. Prandaj, poezia është mirazi i parë dhe i fundit, që mund të jepet dhuratë për lexuesin e panjohur; ashtu dhe miqtë që bëhen bashkëbisedues në tryezën e nivelit të familjaritetit letrar.

Për të zgjidhur enigmën, rivizitova poetë, përkthyes e dijetarë të shqipes të shekullit XX dhe të shekullit XXI.

Gjergj Fishtën, i cili bashkon me zemër të hapur Zotin e Zanën, për të krijuar poezinë e idealitetit letrar të botës shqiptare, të cilin idealitet e mbron fuqishëm, po si veprën e vet.

Lazër Shantojën, krijues e kanonist, që në aventurën poetike bëhet skandalizuesi i parë, i cili “Për nji puthje të vetme” krijon e shkatërron kurorën e lirikës personale me dashurinë.

Ernest Koliqin, shkrimtar e poet, që me tharmin e artit poetik projekton kanonin letrar shqiptar në integralitetin e plotë të kësaj letërsie.

Martin Camajn, i cili krijon poezi të rrënjës së vet, pastaj e lexon vetveten (i privuar nga lexuesi), për të zbuluar në fund enigmën me shqiptimin e palimpsestit të vet poetik.

Rexhep Ismajlin, gjuhëtar e dijetar letrar, i cili jeton dramën, si “gjendje të ndërmjetme”, të përkthyesit të poezisë, si rikrijues, për të rritur komunikimin e saj poetik e kulturor.

Zef Zorbën, i cili refuzon refuzimin duke shkruar vetëm një libër, libër të mbetur në dorëshkrim, librin e jetës e të alternativës moderne poetike.

Rivizitimi vijon edhe me “Shejzat” poetike të autorëve bashkëkohorë, në shekullin XXI, nga Rrahman Dedaj deri të Eqrem Basha.

Tani që jemi këtu, të gjallët me të gjallë, të baraslarguar e të barasafruar nga rrethanat e reales, duke falënderuar nga zemra kolegët e nderuar, vlerësoj:

Eqrem Bashën, për figurën sharmante e spontane, që vjen duke u rrudhur në elipsë, si te Anton Pashku apo te Beketi.

Nysret Krasniqin, kur zbërthen kuptimin poetik dhe filozofik të poezisë, duke e kaluar nëpër sitën e hermeneutikës së Gadamerit; ashtu dhe dekonstruksionin sipas Zhak Derridas.

Dhurata Shehrin, për shprehjen e saktë dhe gjykimin e prerë, edhe kur e merr “malli i stampës” i Ernest Koliqit edhe kur kanonizon dhe dekanonizon, simbas Harold Blumit.

Dhe Persida Asllanin, në fund apo në fillim, që me prekje të lehtë i shkund pemët e ndjesisë e të mendimeve, duke rrjetuar tekstin fin, à la Rolan Bart.

Më në fund, po më duket që sprovat e leximit dhe të kërkimit të enigmës së poezisë ma dhurojnë një njohje: Poezia, si thelb i arteve, nuk është tjetër përpos e vërteta njerëzore e thënë bukur.

Atëherë, dijetari letrar e ka më mirë të kalojë në statusin e dashunuesit të poezisë, duke dashunuar bukurinë e saj. Dhe tash, të gjithë bashkë, bëhemi dashunues të bukurisë.

Pasfjalë (përfundimi i librit Enigma e poezisë)

Dorëshkrimi është kalimi i zërave në germa me një shkrim të dorës; Dorëshkrimi është tekst i pabotuar asnjëherë. Shkrimi për Dorëshkrimin është mister i leximit të parë. Këtë mundësi ia jep tjetrit vetëm miku i letrave.

Leximi i parë me shkrim domosdoshmërisht i lidh gatitjen e poe­zisë me përgatitjen për leximin e poezisë.

Leximi i parë, i lirë e zbulues, bëhet në nivel të mahnitjes me tekstin, mahnitje që krijon një shpërthim emocional. Leximi tjetër i shton shenja tekstit, duke nënvizuar fjalë, figura e vargje, si parathënie të kuptimeve të gjetura, madje duke shkruar në margjina të fletëve. Një lexim, tash tjetër, shpalon poezitë, i rivë në komunikim me njëra tjetrën në cikle dhe të cikleve në tërësinë e librit.

Kur mbaron përgatitjen, fillon aventura e shkrim/leximit, duke krijuar lumturinë e njësimit të botëve që kanë vënë komunikim: të Krijuesit e të Lexuesit, si Rikrijues. Mjeshtëria për të vënë në rrjet poetik botët, duke çelur fjalët e kuptimet, për ta takuar bukurinë, me ndjesi, mendim, intuitë, dije.

Ars longa, Vita brevis.

Prishtinë, 22 shtator 2021