Më 17 mars 2021 në mjediset e Akademisë u bë paraqitja e një botimi ndër më të rëndësishmit të ASHAK-ut “Leksikoni i vendbanimeve të Kosovës – Tabloja fizike-hapësinore, demografike dhe funksionale”, në tri vëllime, që kapin 2.023 faqe. Për botimin folën Sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, akademikja Justina-Shiroka-Pula, kryetari i Akademisë akademik Mehmet Kraja, recensenti akademik Anton K. Berishaj dhe kryeredaktori akademik Hivzi Islami. Në përurim morën pjesë anëtarë të Akademisë, ekspertë nga gjeoshkencat dhe shumë të interesuar të tjerë.
Në hartimin e këtij botimi u angazhuan dhjetëra ekspertë të shkencave gjeohapësinore, sociologë, urbanistë, planerë, ekonomistë, demografë, historianë, etnologë, planerë etj., të udhëhequr nga akademik Hivzi Islami. Botimi përmban të dhëna, fakte dhe informata relevante nga terreni për dimensionin fizik-hapësinor, demografik, funksional, historik, kulturor, ekonomik, gjeopolitik, pastaj të dhënat për dhunën, krimet, masakrat dhe dëmet materiale që i shkaktoi regjimi fashisoid e gjenocidal i Serbisë etj.
Të dhënat burimore dhe origjinale shkencore-enciklopedike për evolucionin cilësor dhe sasior të vendbanimeve të Kosovës mundësuan ndërtimin e tablosë së vërtetë të krijimit, të dinamikës së jetës dhe të rrjedhave zhvillimore të vendbanimeve urbane dhe rurale, të kaluarën dhe të sotmen e tyre. Pjesa tekstuale e botimit përcillet me material ilustrues, çfarë janë fotot për objekte të ndryshme gjeohapësinore, të trashëgimisë natyrore e kulturore dhe elementet fizionomike e funksionale etj.
Botimi pa dyshim do të përmbushë një nevojë të kahershme për gjeoshkencat, shkencat sociale dhe opinionin e gjerë lexues dhe do të jetë një trashëgimi e madhe për shkencën dhe kulturën tonë.
Video regjistrimi nga promovimi: https://youtu.be/BDLZyFjaXhk
Fjala e hapjes e akademike Justina Shiroka-Pula
Fjala e akademik Hivzi Islamit