Sot me 24.03.2026, Seksioni i Shkencave Shoqërore i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës organizoi aktivitet promovues me titull: “Krijimtaria e akademik Muhamedin Kullashit në gjuhë të huaja”.
Për biografinë dhe bibliografinë e akademik Muhamedin Kullashit folën Akademik Frashër Demaj dhe akademik Hivzi Islami.
Profesor Kullashi mori pjesë në simpoziume dhe konferenca shkencore vendore dhe në një numër të konsiderueshëm të konferencave shkencore ndërkombëtare në Francë, Belgjikë, Zvicër, Itali, Bullgari, Hungari, Kanada, Turqi, Tunizi, Argjentinë, Urugai etj. Botoi në revista shkencore të Prishtinës, Tiranës, Zagrebit, Beogradit, Romës, Parisit, Vjenës, Madridit, Montrealit etj.
Akademik Kullashi ka botuar libra dhe studime në gjuhën shqipe, franceze, angleze, kroate dhe në disa gjuhë tjera. Gjithashtu botoi vepra në bashkautorësi dhe përmbledhje me punime, me nobelistë dhe autorë të shquar francez, anglez, gjerman, italian, spanjoll etj.
Akademik Kullashi si njohës i mirë i gjuhës frënge u shqua edhe në përkthimin e vepra të njohura të filozofëve francez si: Denis Diderot, Henri Lefebvre, Jean-Paul Sartre, Claude Lefort, Jean-François Lyotard dhe Emmanuel Lévinas.
Në fjalën e tij akademik Muhamedin Kullashi përmendi konferencat dhe botimet shkencore për kohen kur ishte profesor në “Paris 8” dhe takimet me personalitete të shquara të botës akademike franceze si dhe bisedat e rëndësishme që ka pasur me presidentët francez për Kosovën gjatë qëndrimit të tij në Francë në cilësinë e profesorit dhe ambasadorit.




