Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të mërkurën, me datë 15 qershor, në orën 11:00, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe Seksioni i Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut, paraqitën botimin e akteve të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Studimet për shqiptarët në Francë”.
Aktivitetin e shpalli të hapur akademik Sabri Hamiti, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, i cili falënderoi pjesëmarrësit, prezantoi strukturën e botimit duke theksuar traditën e ndërkomunikimit kulturor shqiptar-frëng, e cila tashmë përbën një histori albanistike.
Për botimin “Studimet për shqiptarët në Francë” folën: akademik Rexhep Ismajli, akademik Muhamedin Kullashi dhe anëtari korrespodent Nysret Krasniqi.
Akademik Rexhep Ismajli, në formë të përmbledhur, sintetizoi autorë e vepra, për të krijuar kështu një pamje të historisë së albanologjisë të parë nga prizmi i dijes frënge, e cila shërben si njohje e rinjohje moderne, e cila është prezantuar në botimin “Studimet për shqiptarët në Francë”.
Akademik Muhamedin Kullashi vlerësoi botimin e kësaj vepre dhe prezantoi studime e tekste të autorëve frengë për shqiptarët duke u përqëndruar në historinë e diplomacisë, me fokus nga vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar e këndej.
Ndërkaq anëtari korrespodent Nysret Krasniqi paraqiti një mozaik të teksteve teorike-letrare dhe kulturologjike të cilat përbëjnë diskursivitetin kulturor për shqiptarët në Francë, të botuara në veprën “Studimet për shqiptarët në Francë”.
Aktiviteti u transmetua në kanalin zyrtar të ASHAK-ut në Youtube.
Fjala e akademik Sabri Hamitit