Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, më 26 shtator, u mbajt promovimi i librit studimor Ekuilibri letrar (2023) të anëtarit korrespondent Nysret Krasniqi.
Në fjalën hyrëse, Akademik Sabri Hamiti, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, së pari i përshëndeti të pranishmit, akademikë, profesorë e studentë dhe mëpastaj ndërtoi një biografi shkencore të autorit duke theksuar: Nysret Krasniqi në këtë libër dëshmon njohje të letërsisë shqipe, përfaqëson metodë hulumtimi të thellë letrare, shpërfaq shkrim kritik të argumentuar. E tëra kjo e sistemuar në një studim monografik, që përballë estetikën letrare me rrethanat përtejletrare të letërsisë shqipe të shekullit XX. Kjo vepër, me etiketën e Akademisë sonë, nderon kolanën e botimeve studimore të kësaj Akademie.
Në vijim, Akademik Sabri Hamiti i ftoi të marrin fjalën Akademik Rexhep Ismajli dhe akademik Ali Aliu, të cilët, në cilësinë e recensentëve të librit studimor Ekuilibri letrar (2023) paraqiten vlerësimet e tyre në formë të detajuar.
Akademik Rexhep Ismajli, nëpërmjet një shtyrtimi analitik detajizues, duke prekur nyjet themelore të librit, diskutoi, argumentoi e sqaroi fenomene, nocione e tematika filozofike-letrrare të vrojtuara në librin Ekuilibri letrar për të theksuar: Nysret Krasniqi në librin e tij të përqendruar tek ekuilibri letrar ka zgjedhur të na flasë për vlerat e mirëfillta letrare dhe për nevojën që ato të shihen në prizmin e ligjësive specifike autonome estetike të letërsisë si dhe për çështje madhore të vështrimeve tona në këtë fushë me mtesën themelore të shpalosjes së përpjekjeve për të ikur nga ato shtrëngesa, pasojat e të cilave nuk kanë qenë fort fatlume për zhvillimet tona letrare.
Ndërsa, Akademik Ali Aliu, në fjalën e tij thellësisht analizuese, ndër të tjerash, theksoi: Nysret Krasniqi merret me projekte të mëdha studimore, të cilat janë punë e institucioneve dhe si shembull i kësaj është vepra studimore Letërsia e Kosovës 1953-2000, vepër të cilën e cilësoi si pararëndëse të studimit Ekuilibri letrar. Libri i tillë, pra Ekuilibri letrar, për vlerën e tij do të duhej të nxiste debate shkencore, ngase është një vepër nyje dhe si e tillë është ngulmuese në idetë që përfaqëson dhe të cilave në fund u jep zgjidhje.
Mëpastaj fjalën e mori Akademik Sabri Hamiti, i cili falënderoi Akademik Ali Aliun dhe Akademik Rexhep Ismajlin për venerimet e tyre analitike e sidomos për leximin sistematik të veprave dhe studimeve letrare shqipe, përfshirë këtu edhe veprën studimore Ekuilibri letrar.
Pastaj fjala iu dha autorit të librit, anëtarit korrespondent Nysret Krasniqi, i cili i falënderoi Akademikët Sabri Hamiti, Rexhep Ismajli e Ali Aliu duke shprehur mirënjohjen dhe nderimin për leximin, analizën e diskutimet lidhur me veprën Ekuilibri letrar dhe, ndër të tjerash, tha: Libri ngulmon se filozofemat e së resë ruajnë ekuilibrin me “traditën e vdekur” vetëm nëse dalin si logos e thymos prej saj! Idetë e reja nuk burojnë nga anonimitetet popullore, por nga librat e vjetër të autorëve klasikë, të cilët i japin kuptim e ndjeshmëri kulturës autentike në hapësirën gjeografike nacionale. Nëse ndodh e kundërta, lakmia për të renë, pa logosin e të vjetrës, na çon në ironi negative e në tallje infinite, me rrezikun final indiferencën ndaj letërsisë dhe kulturës nacionale, dukuri të cilat ky libër i kundërshton!
Promovimi i librit Ekuilibri letrar (2023) të anëtarit korrespondent Nysret Krasniqi zgjoi interesim tek të pranishmit, të cilët, në mbyllje, Akademik Sabri Hamiti, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, i falënderoi për pjesëmarrjen në këtë aktivitet shkencor. Promovimi i librit Ekuilibri letrar (2023) të Nysret Krasniqit u transmetua edhe në kanalin zyrtar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në youtube.