Prishtinë, 25 maj 2026 – Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) u nënshkrua Memorandumi i bashkëpunimit institucional ndërmjet ASHAK-ut dhe Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM). Memorandumi u nënshkrua nga Kryetarja e ASHAK-ut, akademike Justina Shiroka-Pula, dhe Rektorja i IBCM-së, Prof. Dr. Mihone Kerolli Mustafa.
Ky memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit dhe koordinimit të potencialeve shkencore, akademike dhe hulumtuese ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë. Memorandumi i bashkëpunimit synon krijimin e një platforme të përbashkët veprimi për realizimin e projekteve kërkimore me karakter ndërdisiplinor, si dhe bashkëorganizimin e konferencave shkencore, simpoziumeve, tryezave të rrumbullakëta dhe tribunave publike.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtuesit e të dy institucioneve shprehën përkushtimin e tyre për zbatimin e plotë të Memorandumit, duke theksuar se ndërthurja e kapaciteteve elitare të ASHAK-ut me potencialin akademik të IBCM-së do të kontribuojë në avancimin e cilësisë së kërkimit shkencor në vend dhe në hapjen e perspektivave të reja për zhvillimin e mëtejmë të arsimit të lartë.
Memorandumi konsiderohet një hap domethënës drejt forcimit të partneritetit institucional, shkëmbimit të përvojave dhe angazhimit të përbashkët për arritjen e objektivave strategjike. Palët u shprehën të bindura se ky bashkëpunim do të sjellë rezultate konkrete dhe përfitime të ndërsjella, duke kontribuar në zhvillimin dhe suksesin afatgjatë të të dy institucioneve.


