Sot u bë e ditur se ka ndërruar jetë nobelisti me origjinë shqiptare Ferid Murati, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Ferid Murati lindi më 14 shtator të vitit 1937 në Whiting, Indisana, SHBA. Ishte bir i një emigranti nga Gostivari (Xhabir Murat Ejupi) dhe nënës amerikane Henrieta Bowman. U diplomua në Universitetin e Virxhinias, ku gjithashtu u emërua profesor në vitin 1970. Në këtë universitet punoi deri në vitin 1981, para se të zhvendosej në Stanford. Studimet e tij ishin përqendruar në efektin e nitroglicerinës në trupin e njeriut. Ai ka punuar mbi këtë projekt me vite të tëra, bashkë me Robert Furchgott dhe Luis Ignarro, të cilët së bashku fituan çmimin Nobel për mjekësi në vitin 1998. Një nga sukseset më të mëdha të prof. Muratit ishte shpikja e Viagrës, tashmë e njohur në gjithë botën. Gjatë këtyre viteve, pasi u nderua me Çmimin Nobel, mbajti shumë ligjërata anë e kënd botës, përfshirë edhe Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ishte anëtar nderi i disa akademive dhe “Doctor honoris causa” i disa universiteteve. Më 1999 botoi një editorial në gazetën “Illyria” në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.