U mbajt tryeza shkencore “Rishfrytëzueshmëria e brezave të rinj frekuencor UHF, VHF dhe valëve milimetrike për rrjete të komunikimeve pa tela”

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) nën përkujdesjen e Seksionit të Shkencave të Natyrës të ASHAK-ut, në Prishtinë organizoi tryezën shkencore njëditore “Rishfrytëzueshmëria e brezave të rinj frekuencor UHF, VHF dhe valëve milimetrike për rrjete të komunikimeve pa tela”, e cila u mbajt me datën 12 shtator 2022, me pjesëmarrjen e studiuesëve dhe ekspertëve të kësaj fushe nga Kosova, Italia dhe Shqipëria.

Anëtari korrespondent Fetah Podvorica në fjalen e hapjes dha informacione të përgjithshme për rezultatet e projektit “Hulumtim mbi mundësitë e rishfrytëzueshmërisë së brezave të rinj frekuencor UHF, VHF dhe valëve milimetrike për rrjete të komunikimeve pa tela në territorin e Kosovës”, projekt ky i mbështetur nga ASHAK, i cili është realizuar në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetin Politeknik të Torinos. Në kuadër të tryezës shkencore, lidhur me këtë temë boshte, u paraqiten dhjetë kumtesa. Anëtare korrespondente Myzafere Limani paraqiti në mënyrë të detajuar rezultatet kryesore të arritura të cilat janë të rëndësishme për mundësinë e rishfrytëzimin të brezave frekuencor, rezultate këto të publikuara në revista të rëndësishme dhe konferenca ndërkombëtare. Akademik Neki Frashëri paraqiti informacione për radiofrekuencat në Shqipëri ndërsa prof. Carla Fabiana Chiasserini nga Universiteti Politeknik i Torinos mbajti një ligjëratë në lidhje me me mundësinë e të mësuarit e shpërndarë të makinave bazuar në topologjitë optimale të rrjetit. Dr. Enver Hamiti në prezantimin e tij u përqëndrua në mundësitë e ripërdorimit të brezave frekuencor në objektet shkollore. Dr. Francesco Malandrino nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve të Italisë prezantoi temën mbi menaxhimin e rrjetit mobil nga aspekti human duke diskutuar rreth korrnizës referente të niveleve të lejuara të rrezatimit. Dr. Mimoza Ibrani paraqiti rezultatet krahasuese të hulumtimit të ndikimit të fushës eketrike të emetuar nga teknologjitë që operojnë në brezin frekuencor deri në 6GHz. Dr. Zana L. Fazliu në prezantimin e saj trajtoi disa qasje për vlerësimin e përshtatjes efektive të rrezes komunikuese në mes të transmetuesit dhe marrësit në ambiente urbane për valet milimetrike, në kushtet kur kërkohet përcaktimi sa më i saktë dhe njohja e pozitës, duke u bazuar në sinjalet e trafikut dhe në projektimin e përshtatshëm të rrezes.

Në punën e tryezës me prezantime dhe kumtesa u paraqiten edhe Dr. Hëna Maloku–Berzati nga Universiteti i Prishtinës, Rrezarta Duraku-Rizaj, përfaqësuese e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Besnik Duriqi nga Telekomi i Kosovës, dhe Flamur Gosalci nga kompania 3CIS.

Gjatë tryezës u zhvilluan diskutime të frytëshme për mundësitë e zgjërimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe të ndërlidhjes në mes të hulumtimeve shkencore dhe aktiviteteve të kompanive që operojnë në fushën e telekomunikimeve dhe autoriteteve rregullative.