U MBAJT NË TIRANË MBLEDHJA E KËSHILLIT NDËRAKADEMIK PËR GJUHËN SHQIPE

Më 20 qershor 2014, në Tiranë, në mjediset e Bibliotekës së Akademisë së Shkencave, u mbajt mbledhja e radhës e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqi­pe, nën drejtimin e akade­mikëve Jani Thomai e Rexhep Ismajli (bashkë­kryetarë) dhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kë­shillit: akademikët Kolec Topalli e Gjovalin Shkurtaj dhe profesorët Mehmet Çeliku, Seit Mansaku, Shezai Rrokaj, Shefkije Islamaj, Enver Hysa, Isa Bajçinca, Imri Badallaj, Abdullah Zymberi, Bardh Rugova e Rrahman Paçarizi.

Në rendin e ditës për diskutim pati dy çështje:

1. Çështje të sintaksës në shqi­pen stan­dar­de.

2. Shqipja standarde dhe shkolla.

Për të dy çështjet u paraqitën para­shtresat e hartuara nga gru­pet përkatëse të punës, në Tiranë e në Prishtinë, në të cilat shtroheshin vëzhgimet për gjend­jen dhe propo­zimet për përmirësime të mëtejshme në përdorimin e zbatimin e shqipes standarde.

Për çështjen e parë, Çështje të sintaksës në shqipen standarde, referuan krye­­­tarët e gru­peve të punës: prof. dr. Seit Mansaku (Tiranë) dhe ligjërues i lartë Isa Bajçinca (Prishtinë).

Në parashtresat e diskutimet u shprehën vlerësime të përgjithshme lidhur me veçoritë e normës në fushën e sintaksës, me marrëdhëniet ndërmjet gjuhës stan­darde e dialekteve në këtë fushë dhe për rrugët e zhvillimit e të pasurimit të struk­turës së saj sintaksore.

Zhvillimi i sintaksës së gjuhës standarde sot lëviz midis dy prirjeve të për­gjith­shme gju­hë­sore, midis afrimit e pasurimit me modelet e sintaksës popullore dhe modernizimit me struk­tura të reja nën ndikimin e përgjithshëm të modernizimit të jetës e të mënyrës së komuni­kimit. Nën ndikimin e këtyre dy prirjeve është zhvi­lluar e po zhvillohet struktura sintaksore e shqipes, sidomos në këta dhjetëvjeçarët e fundit. Rritja e komunikimit ndërshqiptar, përzierjet e popull­sisë së qyteteve për shkak të shtegtimeve të banorëve të zonave rurale drejt qyteteve, sidomos drejt krye­qyteteve a qyteteve të mëdha, vënia në qarkullim të lirë e veprave të një letër­sie të pa­njohur më parë, kanë sjellë një pasurim e gjallërim të mjeteve të reja sin­taksore nga dialektet dhe nga vepra të shkrimtarëve të panjohur sa duhet. Këto kanë sjellë prurje nga brumi i shqipes dhe gjallërim të mjeteve sintaksore me burim a mbizotërim dialektor.

Nga ana tjetër, hapja e gjuhës, e kulturës, e letërsisë dhe e shkencës ndaj gju­hëve e kultu­rave të vendeve të tjera, përkthimet e shumta nga fusha të ndryshme të dijes, kanë sjellë ndërtime e kombinime të reja në strukturën e standardit, të cilat, kur janë në pajtim me frymën e strukturën e shqipes, kanë sjellë modernizim e intelektualizim të saj, por kur bien ndesh me të, kanë sjellë edhe struktura të papaj­tueshme me gjuhën shqipe. Ndërlidhja e çështjeve të sturkturës sintaksore me çë­sht­je të stilit e të situatava që u përmendën, e bën çështjen edhe më komplekse dhe shpesh vështirë të dallueshme nga çështje të tjera të stilit e të shprehjes.

Në mbledhjen e Këshillit Ndërakademik u vunë në dukje e u diskutuan në rrafshin nor­mativ ndërtime të ndryshme sintaksore të qortueshme si të papaj­tueshme me veçoritë e shqipes standarde. Meqenëse jo çdo herë çështjet e shtruara janë të rrafshit vetëm sintaksor, Këshilli men­­don se materialet e paraqitura nga komisionet përkatëse mund të vihen në qarkullim si ndih­mesa autoriale, ndërsa me këtë rast po përmendim disa prej tyre.

U vlerësuan të qortueshme ndërtimet me paskajoren e dytë, si: dëshiroj për të punuar, filloi për të përgatitur, ka vendosur për të shkuar etj.; në vend të tyre kë­shillohen ndërtimet me mënyrën lidhore: dëshiroj të punoj, filloi të përgatiste, ka vendosur të shkojë etj. Po kështu, të qor­tueshme u vlerësuan edhe ndërtime të tilla, si: përpiqet me qëllim për të fituar (me qëllim për të ndryshuar) etj.; në vend të tyre këshillohen ose paskajorja: përpiqet për të fituar (për të ndry­shuar), ose lidhorja: përpiqet të fitojë (të ndryshojë) etj.

Shkelje të normës sintaksore vërehen në përdorimin e lidhëzave ftilluese se e që në disa ndërtime me folje që kushtëzojnë përdorimin e njërës a të tjetrës lidhëz. Kështu, pas foljeve dua, dëshiroj, urdhëroj, kërkoj, propozoj, vendos etj. përdoret li­dhëza ftilluese që. Prandaj ndërtime të tilla, si: kanë vendosur se hetimet të vi­jojnë; ka kërkuar se të ndalet ky proces; propozoi se Kuvendi të miratojë një ven­dim etj., nuk janë në pajtim me normën sintaksore. Në këto raste, në vend të li­dhëzës se, duhet të përdoret lidhëza që.

Ndërmjet ndërtimeve parafjalore pavarësisht nga dallimet ose pavarësisht prej dallimeve dhe pavarësisht dallimeve; pavarësisht nga kjo, pavarësisht prej kë­saj dhe pavarësisht kësaj, këshillohet të përdoren ndërtimet me pavarësisht nga… ose pavarësisht prej…, të cilat janë kupti­misht më të qarta e gramatikisht më të përpikëta.

Po kështu, ndërmjet ndërtimeve: duhet pyetur specialisti apo duhet pyetur specialistin; du­het lexuar libri apo duhet lexuar librin, këshillohet ndërtimi i parë, me rasën emërore.

Këshilli vërejti se, në gjuhën sidomos të masmedias, bëhen shumë gabime sintaksore në përdorimin e përemrave pronorë, vetorë e pyetës, në përdorimin e trajtave të shkurtra përemërore etj. Në Këshill u mbështet mendimi se duhet të shkruajmë e të themi populli ynë, jo populli jo­në; djemtë tanë, jo djemtë tonë; djali yt, jo djali jot; vajzës sime, vajzës sonë, jo vajzës time, vajzës tonë; vajzës sate, jo vajzës tënde; ne shqiptarët, jo neve shqiptarët; cili student, jo kush student. Po ash­tu duhet shkruar u tha atyre, u foli studentëve, u bëri thirrje të gjithëve, jo i tha atyre, i foli studentëve, i bëri thirrje të gjithëve, siç po përdoren gabimisht mjaft shpesh sot.

U vlerësuan si të tilla ndërtimet: përgjigjem në pyetjen tuaj, në vend të i për­gjigjem pyetjes suaj; bën viktimën, në vend të hiqet (shtiret) si viktimë; bëj të padi­turin, në vend të bën (hiqet) sikur nuk di gjë; drejtësi e munguar, vullnet i mun­guar, dialog i munguar, në vend të mungesë drej­tësie, mungesë vullneti, mun­gesë dia­logu etj. Një imitim i huaj, krejt i panevojshëm e që du­het mënjanuar, është edhe klisheja dhe jo vetëm, që ka filluar të përdoret shpesh kohët e fundit në fraza të tilla, si: ne sot folëm për mirëqenien e të përndjekurve e të papunëve dhe jo vetëm; shu­më nga këto çështje kanë qenë bërë objekt diskutimi i medias dhe jo vetëm.

U pa e nevojshme të kërkohet respektimi i strukturës gramatikore të shqipes në dallimin e gjinisë te numri tre: tre djem / tri vajza dhe jo tre vajza, prandaj edhe të trija jo të treja. Po ashtu u kër­kua të respektohet dallimi midis përemrave kush dhe (i) cili: kush përdoret vetëm për fry­morë, ndërsa cili, i cili mund të përdoret edhe për jofrymorë: kujt ia dhe librin, por cilin libër, jo kë libër apo kujt libri.

Në këtë takim të Këshillit Ndërakademik u diskutuan edhe çështje të tjera të normës sintaksore.

Për çështjen e dytë, Shqipja standarde dhe shkolla, referuan kryetarët e gru­peve të pu­nës: prof. dr. Mehmet Çeliku e prof. dr. Shezai Rrokaj (Tiranë) dhe prof. dr. Imri Badallaj e prof. dr. Bardh Rugova (Prishtinë). Nga parashtresat e dis­kutimet e anëtarëve të Këshillit për këtë çështje po japim disa vlerësime e pro­pozime.

Grupet e punës kishin përmbledhur në parashtresat e tyre këto dy çështje kryesore:

– Vlerësimin e përgjithshëm të mësimdhënies dhe të nxënies së shqipes standarde në shko­llat nëntëvjeçare, të mesme e në universitete, vendin që zë gjuha shqipe në plan-programet e cikleve të ndryshme të shkollave tona, tekstet, mësim­dhënien, përgatitjen e mësuesve në fakul­tetet e mësuesisë e kualifikimin e tyre, mbështetjen e shqipes standarde në shkollë nga institu­cionet shtetërore etj.

– Propozimet konkrete për përvetësimin më të mirë të gjuhës në shkollat nëntëvjeçare, të mesme e të larta.

Materialet e paraqitura me shkrim u diskutuan me një fry­më bashkëpunimi e mirëkup­timi. Këshilli vlerësoi shtrirjen e përdorimin e shqipes standarde në dokumentacionin shkollor, për­dorimin e shqipes standarde nga nxënësit e mësuesit si faktor themelor i ngritjes cilësore të ar­si­mit, e cilësoi gjuhën shqipe si lëndë themelore në shkollë me detyrë të dyfishtë, që u mëson nxë­nësve gjuhën prakti­kisht dhe teorikisht (d.m.th. si metagjuhë). Këshilli diskutoi për problemet kryesore që vihen re tani për zo­të­rimin e gjuhës në shkollë, si dhe në mësimdhënien e saj. U thek­suan si dukuri negative: shman­giet e shpeshta nga norma në përdorimin e gjuhës së shkruar e të folur nga nxënësit, varfëria e të shprehurit të nxënësve, në të shkruar e në të folur, varfëria në zotërimin e pasurisë semantike të fjalëve, varfëria në njohjen e përdorimin e strukturave gramati­kore-sintaksore e të mjeteve stilis­tike etj. Këshilli nuk pajtohet me rrudhjen e mësimit të gjuhës në ciklin nëntëvjeçar dhe sidomos me shtrirjen e kufizuar të lëndës së gjuhës në shkollë të mes­me në raport me letërsinë. Gjithashtu Këshilli diskutoi për nivelin e ulët të përgatitjes së mësues­ve të gjuhës e të edukatorëve, për përgatitjen e tyre të dobët në fakultetet e më­suesisë, për kua­lifikimin informal të mësuesve të gjuhës, për mosvështrimin e gjuhës shqipe si lëndë me rëndësi kombëtare.

Pas diskutimeve, Këshilli arriti këto përfundime e propozime:

1. Meqë cikli nëntëvjeçar nuk po arrin dot t’ua mësojë mirë nxënësve të gjitha nënsiste­met e shqipes standarde, si në të shkruar ashtu edhe në të folur, propozohet që gjuha shqipe në planin mësimor të shkollës së mesme të jetë lëndë e veçantë, e ndarë nga letërsia, dhe të jepet provim pjekurie në përfundim të shkollimit parauniversitar.

2. U miratua propozimi që në të gjitha shkollat e mesme të të gjitha profileve lënda e gju­hës të mësohet gjatë tri viteve, me një program të ri dhe me tekste të reja.

3. U mbështet propozimi që në vitet e para të ciklit nëntëvjeçar (cikli fillor) në mësimin e gjuhës shqipe t’i jepet përparësi anës praktike, zotërimit të standardit, bashkë me leximin; në vi­tet në vazhdim të ciklit nëntëvjeçar (klasa VI-IX) dhe në ciklin e shkollës së mesme gjuha të më­so­het në aspektin teorik, por, krahas kësaj, t’u jepet rëndësi e veçantë leximit të letërsisë artistike dhe punëve me shkrim, har­timeve e diktimeve.

4. U arrit përfundimi që planet e programet në fakultetet e mësuesisë, për­fshirë ato të gju­hëve të huaja e fakultetet që përgatisin edukatorë për institucionet parashkollore, si dhe në fakul­tetet e gazetarisë, ka nevojë të rishikohen, duke u dhënë shtrirje më të gjerë lën­dëve kryesore të gjuhës së sotme, si leksikologjia, morfologjia, sintaksa. Mendohet që përvetësimi i drejtshkrimit duhet të përfundojë në shkollimin parauni­versitar. U propozua që lënda Kulturë gjuhe të përfshi­het në programet e uni­ver­siteteve, në radhë të parë në fakultetet e mësuesisë, të gaze­tarisë, të gjuhëve të huaja, të arteve, të drejtësisë, të mjekësisë etj., me synimin e zotërimit sa më të mirë të normës leksi­kore, gramatikore, stilistike e terminologjike në funksion të komunikimit sa më të plotë.

5. U pa e arsyeshme të kërkohet për t’u zbatuar nga institucionet përkatëse:

–  rritja e orëve mësimore për lëndën e gjuhës në ciklet nëntëvjeçare;

– reduktimi i normës mësimore për mësuesit e gjuhës;

– mësimi i gjuhës shqipe në ciklet parauniversitare, nëpërmjet teksteve e mësuesve, sipas koncepteve teorike e terminologjike bashkëkohore;

– trajnimi i mësuesve të gjuhës në kurse periodike katërvjeçare;

– hartimi i teksteve për fëmijët e emigrantëve sipas një politike në ndihmë të emigra­cionit;

6. Përgatitja e gjuhës shqipe në universitete duhet të jetë përparësi e arsimit universitar, ndërsa mësimdhënës i lëndës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe në nivelet e ulëta e të mesme nuk mund të jetë askush që nuk ka, së paku, 180 kredite (ECTS) të lëndëve profesionale sipas planprogrameve të shkollave përkatëse. Ndonëse nismat për përmirësimin e cilësisë në arsim kanë propozuar shtimin e kom­ponentit didaktik, kujtojmë se kompetenca gjuhësore është parakushti themelor për mësimdhënie cilësore.

7. Albanologjia, me shqipen në veçanti, duhet të jetë përparësi e investimeve shkencore të qeverive përkatëse. Përqindje të konsiderueshme të investimeve për shkencë e kërkime shkencore duhet të jepen për projekte që lidhen me albanologjinë. Duhet të ngrihet departament i veçantë për gjuhën shqipe (përdorimet, terminologjitë, përshtatjet me standardet evropiane, ku po synojmë të integrohemi) në kuadër të ekzekutivit (mbase brenda Ministrive të Arsimit a të Kulturës).

8. Në shkolla t’i kushtohet vëmendje diversitetit kulturor e begatisë dialektore të shqipes, në mënyrë që të mos krijohet hapësirë për stigmatizim të cilitdo varieteti të shqipes.

KRYESIA E KËSHILLIT NDËRAKADEMIK PËR GJUHËN SHQIPE