Më 10 mars 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), u mbajt ligjërata shkencore me titull “Biosensorët si pajisje të gjeneratës së ardhshme të pajisjeve diagnostikuese për shëndetin global”, të cilën e prezantoi akademik Arben Merkoçi, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe një studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar në fushën e nanoshkencës, nanoteknologjisë dhe biosensorëve. Ligjërata u organizua në kuadër të aktiviteteve shkencore të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për promovimin e arritjeve bashkëkohore të kërkimit shkencor dhe për forcimin e bashkëpunimit akademik me qendrat ndërkombëtare të kërkimit.
Aktivitetin e hapi nënkryetari i ASHAK akademik Fejzullah Krasniqi, i cili theksoi rëndësinë e zhvillimit të dialogut shkencor dhe të prezantimit të rezultateve më të avancuara të kërkimit multidisiplinar. Më pas, rrugëtimi shkencor dhe akademik i akademik Arben Merkoçit u prezantua nga Prof. dr. Fetah Podvorica, anëtar korrespondent i ASHAK.
Në ligjëratën e tij, Akademik Merkoçi paraqiti zhvillimet më të fundit në fushën e biosensorëve dhe potencialin e tyre për transformimin e diagnostikës moderne mjekësore. Ai theksoi se biosensorët përfaqësojnë një nga drejtimet më premtuese të kërkimit multidisiplinar, ku ndërthuren nanoteknologjia, kimia, biologjia dhe teknologjitë e avancuara diagnostikuese. Këto sisteme inovative mundësojnë diagnostikimin më të hershëm të sëmundjeve, monitorimin më efikas të gjendjes shëndetësore dhe zhvillimin e metodave të reja për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në nivel global.
Kjo ligjëratë u ndoq me interes nga anëtarët e Akademisë, profesorët universitarë, studiues dhe të ftuar të tjerë, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për diskutim dhe shkëmbim idesh mbi zhvillimet më të reja në këtë fushë të rëndësishme të shkencës bashkëkohore.
Me këtë rast në shenjë mirënjohje për konributin e rëndësishëm në fushën e nanoteknologjisë në nivel global, kryetarja e ASHAK, akademike Justina Shiroka Pula i ndau mirënjohje të veçantë akademik Arben Merkoçit.






