U mbajt ligjërata e akademik Vinko Dolenc

Seksioni i Shkencave të Natyrës më 19 maj 2022, me iniciativën e anëtarit korrespondent Arsim Morina, e ka organizuar ligjëratën e akademikut slloven, prof. Vinko Dolenc me titull “Erërat, ujërat dhe mendimet nuk respektojnë kufijtë”.
Tubimin e hapi sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, anëtari korrespondent Fetah Podvorica i cili ndër të tjera theksoi se ligjërata e akad. Vinko Dolenc, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Sllovenisë dhe emër i njohur i neurokirurgjisë në botë realizohet në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit që e ka ASHAK-u me Akademinë Sllovene të Shkencave dhe Arteve.
Anëtari korrespondent Arsim Morina bëri një prezantim të përmbledhur të biografisë dhe të veprimtarisë shkencore shumë të begatë të akademik Vinko Dolenc, emër ky i njohur në fushën e neurokirurgjisë në nivel botëror që dëshmohet me punime të shumta shkencore si dhe me libra autorial. Ky njihet si pioner i aplikimit të teknikave mikrokirurgjikale në kirurgjinë e aneurizmës në fazën akute. Në vazhdim të fjalës së vet, anëtar korrespondent Arsim Morina solli shembuj të shumtë të kontributit shkencor të Prof. Dolenc për dekada me radhë, me të cilin ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë edhe vet prof. Morina.
Pas fjalës së prof. Morinës, akademik Dolenci e mbajti ekspozeun e vet gjatë 45 minutave në të cilën ai i paraqiti disa nga rezultatet e rëndësishme në kuadër të punës së vet shkencore.