U mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare “Sfidat dhe përspektiva e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe rajon”

Më 6 dhe 7 tetor 2023, në organizim të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), në Prishtinë u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare “ Sfidat dhe përspektiva e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe rajon”.

Në këtë konferencë shkencore morën pjesë studiues dhe ekspert të njohur të fushës së ekonomisë, inxhinier, agronom, xehetar, demograf, ekspert të mjedisit si dhe ekspertë të fushave  përkatëse, që ndërlidhen me temën e shtruar për trajtim. Me kumtesat e tyre u paraqitën 45 referues me tema autoriale dhe rreth 100 studiues e pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe vendet e tjera te rajonit si dhe ekspertë ndërkombëtar.

Fjalën e hapjes e mbajti  Akad. Justina Shiroka-Pula, e cila ndër të tjerash theksoi, së qëllimi i  konferencës është shkëmbimi i përvojave dhe informacioneve shkencore, i cili duhet të nënkuptojë ndërlidhjen e sistemit me hulumtim dhe zhvillim shkencor, për ta ngritur bashkëpunimin institucional, si dhe ndërmarrjen e nismave të përbashkëta shkencore nga të dyja palët dhe më gjerë. Në konferencë janë diskutuar dhe analizuar një seri procesesh e nivelesh bashkëpunimi e bashkërendimi ndërmjet institucioneve akademike e universitare, qeverive,  bizneseve dhe institucioneve ndërkombëtare, për t’i bërë sa më ko-operuese e komplementare ekonominë e Shqipërisë dhe Kosovës.

Në pjesën plenare, konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të Akad. Mehmet Kraja, kryetar I ASHAK-ut, akad. Skender Gjinushi, kryetar i ASHSH-së, konferencën shkencore e përshëndeti edhe Arbërie Nagavci, ministre e MASHTI-t, Jeton Shaqiri, ministër MASHM-së, rektori Qerimi Qerimi, rektor i UP-së dhe Ahmet Ismajli, guvernator i BQK-së.

Në vijim të pjesës plenare të punimeve të Konferencës, si folës kryesor kumtuan akademikët e shquar, studiuesit, si dhe eksperte ndërkombëtare: akad. Isa Mustafa, akad. Anastas Anastas, profesorët Piroshka Nagy- Mohacsi dhe Will Bartlett nga London School of Economics dhe  Volker Treichel nga IFC (Banka Botërore).

Në ditën e  dytë të konferencës shkencore “Sfidat e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe rajon”, e cila i zhvilloi punimet në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, konferencën e nderoi me pjesëmarrjen dhe fjalën e tij, Kryeministri i Kosovës Albin Kuti.

Fjalën e mbylljes së punimeve të konferencës shkencore ndërkombëtare“ Sfidat dhe perspektiv e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe rajon”, e mbajti Akad. Justina Shiroka-Pula dhe Akad. Anastas Angjeli, i cili duke falënderuar pjesëmarrësit dhe duke ritheksuar vlerën e kësaj konference, ndër të tjerash, thanë: në programin e ngjeshur dhe përmbajtjesor të konferencës dy ditore, ishin të përfshirë me kumtesa shumë studiues, ku u zhvilluan edhe diskutime me interes për problemet e shtruara, që do të shërbejë si një platformë për të ndarë idetë kreative, për të ofruar studime dhe analiza konkrete në funksion të një perspektive të bashkëpunimit ekonomik Kosovë -Shqipëri dhe rajon.