U mbajt konferenca shkencore “Harmonizimi i legjislacionit të Kosovës dhe të Shqipërisë në kuadër të integrimeve europiane”

Më 23 qershor 2023, në organizim të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), në Prishtinë u mbajt konferenca shkencore “Harmonizimi i legjislacionit të Kosovës dhe të Shqipërisë në kuadër të integrimeve europiane”, në të cilën morën pjesë studiues të njohur të fushës legjislative nga Kosova dhe Shqipëria.
Përveç kryetarit të ASHAK, akademik Mehmet Kraja dhe kryetarit të seksionit të shkencave shoqërore të ASHSH, akademik Gëzim Hoxha, konferencën shkencore e përshëndeti edhe z. Glauk Konjufca, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërkaq për problematikën e harmonizimit të legjislacionit Kosovë-Shqipëri në programin e ngjeshur dhe përmbajtësor të konferencës ishin të përfshirë me kumtesa studiuesit: Arsim Bajrami, Ksenofon Kritafi, Aurela Anastasi, Sokol Sadushi, Rexhep Gashi, Mirlinda Batalli, Visar Morina, Arta Rama Hajrizi, Nijazi Halili, Salihe Salihu, Agim Zogaj, Mentor Borovci, Frashër Demaj dhe Nur Çeku.
Në fund të dy seancave, u zhvilluan edhe diskutime me interes për problemet e shtruara në referate dhe ligjërimet e pjesëmarrësve.