Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Europës, me seli në Salcburg të Austrisë, ka konfirmuar këto ditë zgjedhjen në radhët e saj të tre anëtarëve të rinj nga Kosova. Në adresa të prof. dr. Hivzi Islamit, demograf, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar aktual i saj, prof. dr. Edi Shukriut, arkeologe, anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës kanë ardhur letrat zyrtare me të cilat njoftohen se janë zgjedhur anëtarë të rregullt të Akademisë Europiane në mbledhjen e saj të mbajtur në nëntor të këtij viti.
Shërbimi profesional i ASHAK njëkohësisht është njoftuar se në këtë mbledhje anëtar i rregullt i kësaj Akademie është zgjedhur dhe kompozitori e dirigjenti Rafet Rudi, nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës.
Inaugurimi solemn i anëtarëve të rinj do të bëhet në Asamblenë e përgjithshme, me datë 8 mars 2014, në Salcburg.
Me këtë dëshmohen edhe një herë meritat dhe vlerësimi i lartë që u bëhet shkencëtarëve dhe artistëve nga Kosova në suaza ndërkombëtare, duke i zgjedhur anëtarë të forumeve më elitare europiane dhe botërore.
Anëtarë të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve (ASAE) nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës janë i ndjeri akad. Gazmend Zajmi, akad. Rexhep Ismajli dhe anëtari i jashtëm akad. Muhamedin Kullashi.
Sekretare e Akademisë
Lendita Juniku Pula