Takim pune për hartimin e artikujve të Enciklopedisë shqiptare

Gjatë dy ditëve të shkuara, organizuar nga Redaksia vendore e Kosovës, u mbajt një takim pune me disa redaksi të fushave të Enciklopedisë shqiptare. Takimi kishte për qëllim hartimin dhe shqyrtimin e modeleve të artikujve të të gjitha kategorive për fushat: Albanologjia, Letërsia, Arkeologjia dhe lashtësia; Mesjeta, Bizanti dhe periudha osmane; Rilindja Kombëtare, Historia e shek. XX, Lufta në Kosovë 1998-99 dhe informimi/komunikimet. Me këtë rast u demonstruan modele të artikujve, u analizuan dhe u diskutuan përmbajtjet, pastaj literatura dhe referencat, citimet e brendashkruara dhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen me këtë problematikë.

Takimin e udhëhoqi kryeredaktori për Kosovën i Enciklopedisë shqiptare, akademik Mehmet Kraja, i mbështetur nga anëtarët e Redaksisë vendore dhe Qendrore, akademik Sabri Hamiti dhe akademik Jusuf Bajraktari.

Takimet e radhës me fushat e tjera të shkencave shoqërore dhe të shkencave të natyrës do të mbahen gjatë ditëve të ardhshme të muajit tetor.