Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademike Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, priti sot në takim Komandantin e Grupit Mbështetës të Ushtrisë Amerikane për Ballkanin, Nënkolonelin Miguel Cisneros, së bashku me delegacionin e tij.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë në rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetjen e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës.
Akademikja Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e saj për kontributin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të ushtarëve amerikanë në Kosovë, në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon.
Takimi u zhvillua në frymën e miqësisë së qëndrueshme ndërmjet popullit të Kosovës dhe popullit Amerikan, duke riafirmuar rëndësinë e partneritetit strategjik që vazhdon të kontribuojë në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit.


