Në Vërmicë (Prizren) për dy ditë me radhë u zhvillua një takim i përbashkët i Redaksisë qendrore të Enciklopedisë shqiptare (ESH), i redaksive vendore të Tiranës dhe Prishtinës, si dhe i redaktorëve përgjegjës të redaksive të fushave në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoninë e Veriut (redaksi e posaçme).
Takimi u drejtua nga kryeredaktori i ESH akad. Skënder Gjinushi dhe zëvendëskryeredaktori, akad. Mehmet Kraja. Ky takim shënon mbylljen e fazës përgatitore të punës më se njëvjeçare të Redaksisë qendrore, e cila u prezantoi redaksive vartëse paketën e plotë të akteve ligjore e nënligjore, rregulloreve e udhëzimeve për autorët, të përgatitura prej saj.
Kryeredaktori i ESH akademik Gjinushi, pasi vlerësoi punën paraprake të dy akademive të shkencave për përgatitjen e platformës së ESH, e cila u kurorëzua me marrëveshjen ndërqeveritare ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për financimin e këtij projekti, i njohu pjesëmarrësit me aktet e nxjerra nga Redaksia qendrore, sidomos me rregulloret e funksionimit të redaksive të gjithë niveleve, të cilat normojnë funksionimin e tyre dhe harmonizojnë punën midis redaksive e autorëve.
Zëvendëskryeredaktori i ESH dhe njëherazi drejtues i redaksisë vendore Prishtinë, akad. Kraja prezantoi ndarjen e punës ndërmjet redaksive të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe i njohu pjesëmarrësit me përbërjen e redaksive të fushave. Në tërësi, për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare” janë të angazhuara 27 redaksi të fushave në Tiranë, 29 redaksi të fushave në Prishtinë dhe një redaksi e posaçme për Maqedoninë e Veriut.
Pikë e rëndësishme në organizimin e këtij takimi ishte vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta e redaktorëve përgjegjës të fushave të Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim koordinimin e punës së përbashkët për hartimin e ESH.