Sqarim

Nëpër rrjete sociale kemi vërejtur, me shqetësim, diskutime që aludonin për tendenca përjashtimi të ndonjë studiuesi nga Konferenca shkencore ‘Shqipja standarde sot’, mbajtur më 17 nëntor në Prishtinë, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në shënim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. Si Këshill Organizativ njoftojmë opinionin se, ndërsa, si gjithmonë, ka pasur rrahje mendimesh brenda Këshillit Organizues për parimet e përgjithshme të kritereve të pranimit të kandidatëve që do të paraqiteshin me punime në konferencë, nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje nga Akademia e Kosovës apo nga Akademia e Shqipërisë në punën e Këshillit. Pra, nuk ka pasur shkresë ndërhyrëse drejtuar organizatorëve, siç pretendohet.

Si Këshill Organizativ kemi punuar shumë për mbarëvajtjen e konferencës dhe kujtojmë se kemi arritur të organizojmë një konferencë shumë të suksesshme, me rezultate të rëndësishme për shqipen standarde sot. Prandaj, konsiderojmë se është për keqardhje që një tubim i tillë të vihet në hije të një diskutimi të këtillë të parëndësishëm, ta pandershëm dhe, për më tepër, të mbështetur në pohime të pavërteta.

Këshilli Organizativ i Konferencës,
Më 19 nëntor 2022