(projekt afatgjatë)
Bëhet fjalë për një projekt afatgjatë nga fusha e gjuhësisë, i cili synon të studiojë tërësinë e zhvillimeve gjuhësore në Kosovë gjatë shekullit XX. Meqë kemi të bëjmë me një fushë komplekse të studimeve dhe për një aplikim të metodave të avancuara, projekti është ndarë në tri faza: në fazën e parë është paraparë të krijohet baza e të dhënave elektronike, në të cilën do të përfshihen trajtat specifike të leksikut dhe tipologjitë e fjalëformimit, trajtat e veçanta të zgjedhimit dhe fleksionit etj.; në fazën e dytë është paraparë të bëhet botimi i fjalorit gjithëpërfshirës të gjuhës së shkruar shqipe në Kosovë; ndërsa në fazën e tretë planifikohet të studiohen tiparet themelore të arealit gjuhësor të Kosovës, me një përqendrim të veçantë në specifikat e tij në raport me shqipen standarde dhe dialektore. Një projekt i këtillë, përveç që është me rëndësi për studime fundamentale të gjuhësisë shqiptare, do të ketë edhe aspektin e vet praktik dhe pragmatik, sepse në njërën anë, do të përkufizojë në mënyrë të argumentuar shkencërisht rrugën e zhvillimit gjuhësor të Kosovës dhe nga ana tjetër do të identifikojë problematikën e gjerë të aktualitetit dhe të transicionit gjuhësor te ne. Ky projekt mbetet që të avancojë tash e tutje, meqë me kalimin në godinën e re të Akademisë janë krijuar kushtet e përshtatshme për infrastrukturën përkatëse të një ndërmarrjeje të këtillë.